Festa e Emrit të Kryepiskopit Joan në Ditën e Jetëndërrimit të Shën Joan Teologut

26 Shtator – Një Ditë e Bekuar dhe e Gëzuar për të gjithë Kishën tonë

 

Në këtë mëngjes Shtatori, kur rrezet e diellit përshkonin kupolën e Katedrales “Ngjallja e Krishtit” në Tiranë, u kremtua me solemnitet dhe gëzim të thellë dita e emrit të Fortlumturisë së Tij, Kryepiskopit të Tiranës, Durrësit dhe gjithë Shqipërisë, Fortlumturisë së Tij Imzot Joanit, në të kremten e Jetëndërrimit të Shën Joan Teologut.

Kisha katedrale “Ngjallja e Krishtit” ishte mbushur plot me besimtarë. Të gjithë Hierarkët e Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, Mitropoliti i Fierit Hirësi Nikolla, Mitropoliti i Elbasanit Hirësi Andoni, Mitropoliti i Gjirokastrës Hirësi Nathanaili, Mitropoliti i Beratit Hirësi Asti si edhe Mitropoliti i zgjedhur i Korçës Hirësi Anastasi, ishin të pranishëm, të bashkuar në një frymë dashurie vëllazërore dhe nderimi për Fortlumturinë e Tij, i cili me përkushtim, besim, dashuri dhe urtësi po udhëheq Kishën tonë të Shenjtë në këto kohëra ringritjeje shpirtërore.

Nga të gjitha Mitropolitë e vendit kishin ardhur besimtarë të të gjitha moshave, për të marrë pjesë në këtë ditë të shenjtë.

Pas Liturgjisë Hyjnore, nuk munguan urimet e përzemërta dhe fjalët e ngrohta që shprehën mirënjohje për shërbimin fisnik dhe plot përkushtim dhe dashuri të Kryepiskopit Joan.

Një pritje solemne u zhvillua më pas në Sallën e Pritjeve të Qendrës Sinodike, pranë kompleksit të Katedrales “Ngjallja e Krishtit”, ku u mblodhën Hierarkë, Klerikë, Përfaqësues të jetës publike, miq e bashkëpunëtorë të afërt të Kishës.

Në çdo shikim, në çdo përqafim, bekim dhe urim, ndjehej fryma e një dashurie që nuk zbehet, një mirënjohje që nuk harrohet, dhe një besim i palëkundur në udhëheqjen hyjnore që Fryma e Shenjtë i ka besuar Kryepiskopit tonë Imzot Joanit. Emri i tij, i lidhur ngushtë me emrin e Shën Joanit – Apostullit të dashurisë dhe Ungjillorit të dritës – është një bekim për Kishën tonë, e cila, nën drejtimin shpirtëror të Tij, vijon të ndriçojë në paqe dhe dashuri ungjillore.

Gëzuar ditën e Emrit, Fortlumturi!

Vite të gjata dhe të bekuara në krye të Kishës sonë!

 

Media Ngjallja 26 Shtator 2026


Foto Album

 

 


 

Fjala e Kryepikopit Joan në ditën e emrit të tij 

 


 

Letër Urimi E Tërëshenjtërisë Së Tij, Patriarkut Ekumenik Të Konstandinopojës, Bartholomeut, Me Rastin E Festës Së Emrit Të Kryepiskopit Joan

 

 


 

Letër Urimi E Shenjtërisë Së Tij, Papa Leonit Xiv, Me Rastin E Festës Së Emrit Të Kryepiskopit Joan, Të Transmetuar Nëpërmjet Të Ngarkuarit Me Punë Të Vatikanit Në Shqipëri, Mons. Ionut Paul Strejac.

 

 


 

Letër Urimi E Fortlumturisë Së Tij, Patriarkut Të Jerusalemit, Theofili Iii, Me Rastin E Festës Së Emrit Të Kryepiskopit Joan

 

 


 

Letër Urimi E Fortlumturisë Së Tij, Patriarkut Të Moskës, Kirilit, Me Rastin E Festës Së Emrit Të Kryepiskopit Joan

 

 


 

Letër Urimi E Fortlumturisë Së Tij, Patriarkut Të Rumanisë, Danielit, Me Rastin E Festës Së Emrit Të Kryepiskopit Joan

 

 


 

Mesazhe e letra të shumta urimi vazhdojnë që të vijnë sot për Fortlumturinë e Tij, Kryepiskopin tonë Joan, me rastin e ditës së emrit të tij, nga personalitete të mbarëbotshëm dhe krerë të Kishave Orthodhokse motra. Krahas urimeve të postuara përgjatë ditës, Kryepiskopin e uroi së fundmi edhe Fortlumturia i Tij, Kryepiskopi i Athinës z. Jeronim, në një komunikim mjaft vëllazëror. Të gjitha këto dëshmojnë vazhdimisht për ekumenicitetin dhe unitetin e Kishave tona dhe dashurinë vëllazërore më Krishtin.