Një javë me Krishtin në zemër

Kampi i 2-të i Djemve në Zvërnec (14–21 Korrik 2025)

 

Në një atmosferë të mbushur me paqe, gëzim dhe përjetim shpirtëror, 55 të rinj orthodhoksë nga e gjithë Shqipëria u bashkuan këtë korrik në kampin e 2-të veror të djemve, organizuar nga Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë, në manastirin e mrekullueshëm të Zvërnecit.

Tema e këtij viti “Krishti është paqja jonë!” nuk ishte thjesht një citim biblik, por u bë realitet në jetën e përbashkët të kampit. Çdo ditë nisi me lutje dhe përfundoi me reflektim e këngë. Të rinjtë u ushqyen shpirtërisht përmes studimeve biblike, diskutimeve me përmbajtje fetare dhe pjesëmarrjes në Liturgji.

Programi ishte i pasur: me lojëra, gara, punëdore, olimpijada njohurish dhe kohë në natyrë. Një moment i veçantë ishte ekskursioni në Berat, ku historia dhe shpirtërorja u ndërthurën në një përvojë të paharrueshme.

Kampi u bë vendi ku miqësia, besimi dhe paqja u ndërtuan mbi themele të qëndrueshme. Me mall për takimin e ardhshëm, të rinjtë u larguan nga kampi më të pasur në zemër dhe më të lidhur me Kishën.

 

 

Atë Nikolla Kodheli