Zhvillohet Me Sukses Simpoziumi Me Temë: “Ne Besojmë Në Jisu Krishtin, Që Ka Të Qenët Një Me Atin”
– Simpoziumi Në Kuadër Të 1700 Vjetorit Të Sinodit Të Parë Ekumenik Të Nikeas –
Sot, më 24 maj 2025, në sallën e amfiteatrit të Katedrales “Ngjallja e Krishtit”, Tiranë, u zhvillua simpoziumi me temë: “Ne besojmë në Jisu Krishtin, që ka të qenët një me Atin”, fryt i një pune dhe përkushtimi të gjatë, bashkëpunim i Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë dhe i Kishës Katolike në Shqipëri.
Ky Simpozium u zhvillua në kuadër të 1700-vjetorit të Sinodit të Parë Ekumenik të Nikeas (325–2025), të thirrur nga Perandori Konstandin dhe me pjesëmarrjen e 318 episkopëve – ngjarja e parë historike në të cilën Kisha shpalli në unitet një besim të drejtë, duke mposhtur rrymat heretike që e kërcënonin dhe duke formuluar Simbolin e Besimit, që shpallim edhe sot. Mes një hulumtimi analitik të dimensionit historik, shpirtëror, kishtar të kësaj ngjarjeje, u hulumtua edhe lidhja e ndikimi i tij në sfidat bashkëkohore të lëvizjes ekumenike.
Simpoziumi u zhvillua nën kujdesin e Kryepiskopit të Shqipërisë, Fortlumturisë së Tij, Joanit dhe Arqipeshkvit të Dioqezës së Tiranës dhe Durrësit, Mons. Arjan Dodaj, të cilët çelën këtë event me kumtesat e tyre.
Në vazhdim kumtuan edhe prof. Dr. Ardian Ndreca, PhD.C Vlash Plepi, Dr. Atë Bernard Caruana, Dom Fatmir Koliqi dhe Prof. Dr. Thoma Shkira, nën moderimin e Prof. Andi Rembeci.
Ndërmjet sesioneve të Simpoziumit përshëndetën me interpretime muzikore himnologjish të përzgjedhura kori “Vox Iuvenum” i drejtuar nga z. Harlen Nikolli dhe kori i psaltëve “Shën Joan Kukuzeli” në drejtimin e z. Theodhor Peci. Morën pjesë klerikë, studiues, teologë, profesorë, besimtarë dhe të interesuar të shumtë.
Foto Album
“Sinodi I Nikesë Dhe Rëndësia E Doktrinës Në Jetën E Kishës” nga Kryepiskopi Joan
Referat nga Kryepiskopi i Tiranës, Durrësit dhe i Gjithë Shqipërisë, Fortlumturia e Tij, Joani, mbajtur në Simpoziumin “Ne besojmë në Jisu Krishtin, që ka të qenët një me Atin” të organizuar nga Kisha Orthodhokse dhe Kisha Katolike e Shqipërisë, në kuadër të 1700-vjetorit të Sinodit të Nikeas.
24 Maj 2025
Qendra kulturore e katedrales “Ngjallja e Krishtit”, Tiranë