Ceremonia e diplomimit të dy brezave (2021–2023) dhe (2022–2024) të Shkollës së Muzikës Bizantine, mbajtur në Katedralen “Ngjallja e Krishtit” në Tiranë, 18 Maj 2025
Ceremonia u zhvillua nën bekimin e Fortlumturisë së Tij, Kryepiskopit Joan, dhe drejtimin profesional të drejtorit të shkollës, z. Theodhor Peci. Ky është një moment i veçantë për të nderuar përkushtimin, përpjekjen dhe përgatitjen shpirtërore e muzikore të 6 të rinjve nga zona të ndryshme të Shqipërisë që përfunduan me sukses formimin e tyre dyvjeçar.
Psaltët zënë një vend të rëndësishëm në jetën liturgjike të Kishës Orthodhokse. Përmes zërit të tyre melodik dhe interpretimit të muzikës bizantine, ata nuk ofrojnë vetëm tinguj melodikë, por shërbejnë si udhërrëfyes shpirtëror për të gjithë besimtarët në adhurim. Liturgjia merr jetë dhe thellësi përmes zërit të psaltëve, duke i ftuar të pranishmit të hyjnë më thellë në përjetimin e misterit. Roli i tyre nuk është thjesht estetik, por thelbësisht shpirtëror e formues.
Diplomimi i këtyre dy brezave është një dëshmi e vazhdimësisë së traditës së shenjtë të Kishës, e cila transmetohet me përkushtim dhe dashuri nga mësuesit e Artit Psaltik tek nxënësit.
Urime të sapodiplomuarve – shërbesa e tyre qoftë e bekuar dhe frymëzuese për brezat që vijnë!
Fjala e mbajtur në Diplomimin e studentëve të Shkollës së Muzikës Bizantine. Tiranë, më 18 Maj 2025 nga z. Theodhor Peci
Fortlumturi, Ati ynë I dashur Joan, të nderuar Hierarkë, klerikë, psaltë, të dashur besimtarë më Krishtin!
Kisha Orthodhokse, përgjatë shekujve, ka himnuar madhështitë e veprave të Zotit, përmes psalmeve, himneve dhe këngëve shpirtërore. Edhe Ju, Fortlumturi, e keni nënvizuar këtë realitet hyjnor, kur thoni me thellësi frymëzuese se: “Muzika, e cila ka lindur në tempull, transmeton në një mënyrë direkte ftesën për të hyrë në një dimension që e kapërcen kohën dhe hapësirën dhe që na fut në Infinitin. Ajo është një art që depërton, më shumë dhe më thellë se çdo art tjetër, në zemrat e njerëzve… që freskon shpirtrat e tharë, që shëron të sëmurë dhe e afron dimensionin njerëzor me atë hyjnor.”
E frymëzuar nga kjo ndërgjegje e shenjtë dhe nga përkushtimi i pashuar për gjallërimin shpirtëror të besimtarëve, Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë, nën drejtimin e shndritshëm të Kryepiskopit të paharruar Anastas, tregoi një kujdes të veçantë për Artin Psaltik, duke e vlerësuar atë si pjesë shumë të rëndësishme të jetës liturgjike. Me vizion të kthjellët, Ati i ndjerë e përkufizoi rolin e psaltit si të hirshëm-ieropsalt, duke i parë psaltët, ashtu siç përcaktojnë edhe kanonet e Kishës, si klerikë që shërbejnë jashtë hierores.
Për këtë arsye, në vitin 2012 u themelua, për herë të parë në historinë e Kishës sonë, Shkolla e Muzikës Bizantine, në zemër të Qendrës Shpirtërore “Thavor” në Shkozë të Tiranës. Në këto trembëdhjetë vite të funksionimit, mbi 60 psaltë janë formuar e diplomuar, duke shërbyer sot me përkushtim në tempujt e Tiranës, Korçës, Beratit e Pogradecit. Një prej veprave më të rëndësishme dhe sfiduese të stafit pedagogjik ka qenë rishikimi dhe redaktimi i përkthimeve të vjetra liturgjike, plotësimi dhe përkthimi i shumë shërbesave të reja dhe për më tepër përpunimi melodik i teksteve të tyre e deri tek përshtatja apo kompozimi i tyre në shkrim bizantin. Këto përpjekje janë konkretizuar në një trashëgimi monumentale: korpusi me 11 libra muzikorë voluminozë dhe 5 libra liturgjikë, disa prej të cilëve tashmë kanë parë dritën e botimit, duke shërbyer si themel për mësimdhënien dhe praktikën kishtare. Studentët e kësaj shkolle, të bashkuar në Korin Bizantin “Shën Joan Kukuzeli”, kanë qenë pjesëmarrës të palodhur në shërbesat hyjnore, por edhe ambasadorë të Artit Psaltik në ngjarje të rëndësishme kulturore e shpirtërore në Shqipëri dhe jashtë saj. Prania e tyre aktive në rrjetet sociale është po aq domethënëse, me mbi 430 video të himneve bizantine të publikuara në kanalin tonë në YouTube. Ndërkaq, vlerat e këtij arti të shenjtë janë evidentuar edhe përmes kumtesave dhe punimeve shkencore në institucionet akademike të vendit si dhe përmes emisioneve të shumta në bashkëpunim me radio “Ngjallja”.
Këto vite kanë qenë të mbarsura me kryq dhe me ngjallje — vite përkushtimi e shprese, gjithmonë me sytë e shpirtit të ngulur tek Zoti. Në këtë udhëtim nuk kemi qenë asnjëherë të vetmuar sepse na ka shoqëruar në çdo hap, kujdesi atëror dhe dashuria pa kushte e Kryepiskopit Anastas. Dhe tashmë, e njëjta përkujdesje ndjehet edhe nga Ju, Fortlumturi, që në pak kohë keni treguar ndjeshmëri dhe përkrahje të thellë ndaj psaltëve dhe ndaj punës së tyre të shenjtë. Ju keni qenë një prej zërave të Sinodit ku, që prej fillimit, keni mbështetur rolin e psaltëve profesionistë dhe përfshirjen e tyre të denjë në jetën kishtare — dhe për këtë, ju falënderojmë me gjithë zemër.
Sot është një ditë e veçantë gëzimi: gjashtë psaltë të rinj nga qytete të ndryshme të Shqipërisë i bashkohen zyrtarisht korit të Kishës, duke u diplomuar përpara tërësisë së trupit kishtar. Si drejtor i Shkollës dhe në emër të gjithë stafit pedagogjik, uroj që rrugëtimi i tyre të jetë i bekuar, i ndriçuar nga Hiri i Shpirtit të Shenjtë dhe i udhëhequr gjithnjë nga forca e mesazheve hyjnore që përçojnë himnet kishtare. Njëkohësisht, Ju falënderojmë me mirënjohje të thellë, Fortlumturi, si President i Shkollës sonë, për përkujdesjen dhe për mbështetjen e vazhdueshme për lulëzimin e Artit Psaltik në Shqipëri.
Faleminderit!
Foto Album:
Ceremonia e diplomimit të studentëve të Shkollës së Muzikës Bizantine për vitet e studimit 2021-2023, 2022-2024 në Katedralen “Ngjallja e Krishtit” Tiranë (Video)