– 22 Prill – Apostull Nathanaili. Oshënar Theodhor Sikeoti. Oshënar Theohari dhe Apostoli. Hierodëshmor Gai i Romës. Dëshmorët Epipodi dhe Aleksandri i Lionit. Dëshmor Nearku. Dëshmorët Rafael, Nikolla dhe Irini.

 

– Apostull Nathanaili –

Sipas traditës së Kishës, apostulli i lavdishëm Nathanaili ishte me origjinë nga Kana e Galilesë. I përshpirtshëm dhe njohës i Shkrimeve të Shenjta, ai priste ardhjen e Mesias. Kur apostull Filipi takoi Zotin, ai shkoi për t’i thënë Nathanailit, se e kishte gjetur Atë për të Cilin kishin lajmëruar Ligji dhe profetët: Jisuin e Nazaretit. Nathanaili u çudit dhe tha: “A mund të dalë ndonjë gjë e mirë nga Nazareti?”. Por, megjithatë, shkoi për ta takuar Krishtin.

Zoti, kur e pa, tha: “Ja një izraelit i vërtetë, tek i cili nuk ka gënjeshtër”. Zoti i zbuloi, se e kishte parë të ulur nën një fik para se Filipi ta takonte. Nathanaili kuptoi se ky njeri zotëronte njohjen e çdo gjëje dhe thirri: “Rabi, ti je Biri i Perëndisë, ti je mbreti i Izraelit!” (Jn. 1:45-50).

* * * * *

– Dëshmort Epipodi Dhe Aleksandri I Lionit –

 

Në kohën e persekutimit të Mark-Aurelit (117), kur paganët besuan se ishin zhdukur tashmë gjithë të krishterët nga Lioni me martirizimin e shën Potinit dhe shokëve të tij (2 qershor), Aleksandri dhe Epipodi, që ishin shokë shumë të ngushtë që në fëmijëri, u larguan nga qyteti dhe u strehuan në një qytezë te një vejushë e krishterë. Por u zbuluan dhe i futën në burg e u çuan te gjykatësi. Kur u shpallën të krishterë, turma lëshoi të bërtitura të mëdha, gjykatësi i zemëruar dha urdhër t’i ndanin dhe Epipodin ta torturonin.

Gjatë torturës, Epipodi i tha këto fjalë gjykatësit: “Jeta për të cilën më flet është një vdekje e përjetshme, dhe vdekja me të cilën më kërcënon është një kalim për në jetën që nuk do të ketë kurrë fund. Ekzekutimet tuaja na dhurojnë përjetësinë.” Pasi e goditi në gojë, gjykatësi dha urdhër t’i çanin brinjët me thonj hekuri. Papritur, populli i etur për gjak, kërkoi ta lironin këtë të krishterë, por nga frika se mos shkaktohej ndonjë revoltë, gjykatësi e ekzekutoi pa vonim shën Epipodin.

Të nesërmen Aleksandrin provuan ta trembnin duke i kujtuar vuajtjet e shokut të tij. Por ai u përgjigj: “Ti beson se do të më frikësosh me kujtimin e vuajtjeve që shumë martirë i duruan? Ta dish se po e ndez dëshirën për t’i ndjekur ata. Emrin e krishterë, që pretendon të shuash, do të bëhet me këtë më i shkëlqyer!” Gjykatësi e goditi pa mëshirë bashkë me tre xhelatë të tjerë, pastaj e dënoi me kryqëzim. Të krishterë shpresëtarë erdhën dhe morën trupat e dy martirëve dhe i fshehën në një shpellë përreth Lionit, i cili u bë i njohur për mrekullitë që kryheshin.

* * * * *

– Dëshmorët Rafael, Nikolla Dhe Irini –

Në vitin 1959, gjatë punimeve që po bëheshin në një paraklis të vogël, që ndodhej mbi një kodër, afër fshatit Thermi, në ishullin e Mitilinit, një punëtor gjeti një varr me kocka njerëzish të panjohur. Duke qenë besimpak dhe pa respekt për gjërat e shenjta, i la pa kujdes lipsanet rrëzë një peme, duke u tallur me to. Por në çast iu paralizuan duart, të cilat mundi t’i lëvizte përsëri vetëm pasi bëri shenjën e kryqit, për herë të parë pas njëzet e shtatë vjetësh. Në vazhdim, ai pa pranë kishës vetë shenjtorin dhe u rikthye në besim, duke u bërë një predikues i zjarrtë i hirit të këtij shenjtori, që sapo ishte zbuluar nga Perëndia. Edhe gruaja e tij ishte dëshmitare në këto ngjarje. Që para se të ndërtohej kisha, ajo kishte parë atje një hieromonak shtatlartë, por i shoqi e kishte qortuar të mos u besonte gjërave të tilla. Nga ai çast, shenjtori u shfaq shumë herë, kur ishin në gjumë apo zgjuar, gruas së pronarit të tokës dhe grave të tjera të devotshme të fshatit. Ai iu shfaq veç e veç edhe disa fëmijëve e burrave. Disave u shfaqej pa u folur, si një hieromonak i veshur me rrobat e Liturgjisë ose me rroba murgërore. Disa të tjerëve u zbulonte emrin e tij, duke u thënë: “Mua më quajnë Rafael!” dhe u bënte të ditur se kishte mbërritur koha për ta nderuar, bashkë me shokët e tij të martirizimit, dhe që ikona e tyre të pikturohej e kujtimi t’u kremtohej të Martën e Ndritshme, sepse do të bënin shumë mrekulli. Të tjerëve u shfaqej në shoqërinë e Hyjlindëses Mari dhe të shën Parashqevisë, duke u treguar martirizimin e tij në detaje që përputheshin plotësisht tek të gjithë besimtarët.

Shën Rafaeli jetoi në shek. 15, në kohën e rënies së Konstandinopojës. Ishte me origjinë nga ishulli i Itakës. U quajt Gjergj në Pagëzimin e shenjtë dhe mori një formim të shkëlqyer, si të krishterë ashtu dhe në dijen e botës. U bë murg me emrin Rafael dhe u hirotonis prift, duke u nderuar arkimandrit dhe protosingjel. Për shkak të aftësive, u dërgua me mision nga Patriarkana Ekumenike në Francë, në qytetin Morle. Atje u miqësua me dhjakun Nikolla, i cili u bë bashkëpunëtori dhe biri i tij shpirtëror.

Pas rënies së Konstandinopojës, ata u strehuan në Maqedoni dhe më vonë, kur turqit pushtuan Thrakën, më 1454, shkuan në ishullin e Mitilinit (Lesbos). Aty u vendosën në Thermi, në manastirin e Hyjlindëses, që ndodhej pikërisht në vendin ku u zbuluan lipsanet. Të Enjten e Madhe të vitit 1463, turqit sulmuan manastirin dhe kapën igumenin Rafael, të cilin e torturuan keq. Të Martën e Javës së Ndritshme, më 9 prill, pasi e rrahën me topuzët e tyre, e tërhoqën zvarrë nga mjekra, që nga maja e kodrës e deri poshtë. Pastaj e varën në një pemë, ia çanë ijët me shtiza dhe i shqyen nofullën. Kjo ishte mënyra me të cilën Rafaeli u bashkua përjetësisht me Krishtin e ngjallur. Në fakt, skeleti i gjetur nga punëtori nuk kishte nofull; ajo u gjet pak më larg, pas një shfaqjeje tjetër të shenjtorit.

Shfaqjet e shenjtorëve u shumuan dhe shën Nikolla u zbuloi mjaft njerëzve vendin e saktë të varrit të tij. Pas disa ngurrimeve, për shkak se besimtarët kishin frikë se mos i tallnin të pabesët në rast dështimi, gërmuan dhe gjetën, më 13 qershor 1960, lipsanin e trupit të shën Nikollës. Mësuan nga shën Rafaeli, se shën Nikolla ishte me origjinë nga Raghesi i Medisë, por ishte rritur në Selanik. Kur erdhi ora e tij, turqit e kapën dhe e torturuan; vdiq gjatë torturave, nga një atak në zemër.

Njëkohësisht, një vajze iu shfaq një vashë dymbëdhjetëvjeçare, me pamje engjëllore, martirja e shenjtë Irini. Hyjlindësja Mari i zbuloi një tjetri, se Irini ishte vajza e kryetarit të fshatit, Vasilit, i cili kishte gjetur strehë në manastir bashkë me banorë të tjerë. Turqit u përpoqën që të mësonin nga ai se ku ndodheshin luftëtarët e krishterë, por nuk ia dolën. Prandaj, morën të bijën dhe, në sy të prindërve, ia prenë të dyja duart, e hodhën në një vozë të madhe dhe i vunë zjarrin, duke e djegur të gjallë. Pastaj masakruan prindërit e vajzës dhe Theodhorin, mësuesin e fshatit. Në vazhdën e një zbulese tjetër, u gjetën lipsanet e shën Irinit, në vozë, sipas rrëfimit të bërë, dhe pranë varreve të shën Rafaelit dhe Nikollës, u zbuluan edhe varret e martirëve të tjerë.

Shën Rafaeli u shfaq gjatë zbulesave të tjera të lavdishme i rrethuar nga një numër i madh shenjtoresh, që ishin murgesha që jetonin në atë manastir një shekull para tyre.

Më 11 maj 1235, igumenia Olimbiadha dhe murgesha Efrosini u masakruan aty nga piratët turq. Shën Rafaeli lejoi të zbulohej edhe një ikonë e Krishtit dhe një burim ajazme, nëpërmjet të cilave u kryen mrekulli të shumta. Në fakt, shenjtorët nuk u mjaftuan të tregonin vetëm për ekzistencën dhe rrethanat e martirizimit të tyre.

Afërsinë e tyre me Perëndinë e provuan me anë të mrekullive, që sa vijnë e shtohen. Shën Rafaeli vazhdon edhe sot t’u shfaqet, në ëndërr apo kur janë zgjuar, shumë njerëzve, besimtarë të përshpirtshëm apo indiferentë, nga Greqia e deri në Amerikë e Australi. Ai shëron të sëmurët e pashërueshëm, zgjon ndërgjegjet e rënduara nga mëkati, lehtëson dhimbjet e hidhërimet dhe shfaq se Zoti lavdërohet në shenjtorët e Tij, sot ashtu si dje e në jetë jetëve