KISHA ORTHODHOKSE AUTOQEFALE E SHQIPËRISË
Pashka 2025
Fitorja mbi Vdekjen
𝐈
Pashka është përkujtimi i Ngjalljes së Zotit Jisu Krisht dhe e vërteta themelore e besimit dhe e jetës sonë. Nëse nuk do të kishte pasur Ngjallje, nëse nuk do të ishte mundur vdekja, atëherë predikimi dhe besimi ynë i krishterë do të ishte i kotë (I Kor. 15:14), thekson apostulli i madh, sepse vetëm nëpërmjet Ngjalljes së Zotit, natyra jonë njerëzore mori rëndësinë dhe kuptimin e saj të vërtetë. Fitorja e Tij mbi vdekjen është një fitore universale, për të gjitha kohërat dhe për të gjithë popujt, fitore me të cilën mund të gëzohet çdo njeri. Çdo fitore tjetër në botë ka krijuar ndarje dhe vazhdon t’i ndajë njerëzit nga njëri-tjetri. Kur një fiton, një tjetër humb. Njëri gëzohet dhe tjetri hidhërohet. Ndërsa në fitoren e Ngjalljes së Krishtit, duhet të gëzohen të gjithë, sepse mundet vdekja, armiku i përbashkët i të gjithë njerëzve.
Këtë Pashkë ne nuk e kemi mes nesh Kryepiskopin tonë të dashur Anastas. Por zemrat tona ngushëllohen duke ditur se ai tani ndërmjetëson për ne pranë Zotit, sepse Perëndia nuk është Perëndi i të vdekurve, por i të gjallëve (Mt. 22:32). Besojmë se vdekja nuk është fundi, por fillimi i një jete të re në Perëndinë. Në shpresofshim në Krishtin vetëm në këtë jetë, jemi më të mjerët e gjithë njerëzve (1 Kor.15:19).
Ngjallja e Krishtit na forcon dhe na jep të gjithëve besim, na jep jetë prej Jetës së Tij, një jetë e shenjtë, një jetë që mposht edhe vetë vdekjen, një jetë pa mbarim, ku pushteti tokësor i vdekjes nuk ka më fuqi. Kemi besim, dhe besimi ynë nuk është thjesht një emocion, apo vetëm dëshirë, por është një siguri e themeluar mbi shkëmbin, që është Krishti. Fryma dhe Fjala e Tij mbollën farën e jetës aty ku mbretëronte vdekja, përhapën dritën aty ku ishte errësira dhe dhanë gëzim kudo ku kishte frikë dhe trishtim. Ai kaloi nëpër varrezën njerëzore, duke përhapur lulet e përjetësisë.
𝐈𝐈
Por, ne jemi të vetëdijshëm për vështirësitë e kësaj jete. Në botë ka padrejtësi dhe luftëra, varfëri dhe mundim, sëmundje dhe vdekje, që shpesh mund ta çojnë njeriun në dëshpërim. Egoizmi dhe lakmia i kanë helmuar dhe deformuar marrëdhëniet ndërmjet njerëzve, duke i tjetërsuar dhe duke i vetmuar nga njëri-tjetri. Largimi nga vlerat, nga dashuria, drejtësia, dhembshuria dhe, sidomos, nga prania Zotit në jetën tonë të përditshme, krijon një errësirë shpirtërore, duke e mjegulluar mendjen njerëzore dhe duke e çoroditur kuptimin e jetës. Errësira shpirtërore është pengesa më e madhe për të hyrë në jetën dhe çlirimin e vërtetë.
Por, sa më e madhe të jetë errësira, aq më shumë duhet drita. Në këtë ditë të shenjtë, të gjithë jemi të ftuar të marrim pjesë në këtë gëzim, sepse vetëm duke e përjetuar në jetën tonë dritën çliruese të Ngjalljes, qenia jonë mund të transformohet dhe të arrijë dimensionin e saj të plotë. Ne kemi sigurinë se dashuria e Tij është më e fortë se urrejtja, jeta në Të, më e fortë se vdekja dhe se shpresa jonë në Krishtin është më e fortë se dëshpërimi. Ai është shpresa jonë dhe ata që shpresojnë te Zoti, – thotë Profeti Isaia, – do të ripërtërijnë forcën e tyre. Ata do të fluturojnë mbi krahë si shqiponja; do të vrapojnë dhe nuk do të lodhen, do të ecin dhe nuk do të ligështohen (Is.40:31).
Nëse do të ndizet drita e ngjalljes në jetën tonë, atëherë edhe marrëdhëniet ndërnjerëzore do të ndriçohen. Ne jemi krijuar si qenie komunitare dhe jemi thirrur të jetojmë në bashkësi me njëri-tjetrin dhe ta ndihmojmë njëri-tjetrin, duke ruajtur dinjitetin e çdo personi njerëzor, sidomos të njerëzve në nevojë dhe në vështirësi. Sakrificat, ashtu si mjekimi, nuk janë të lehta, por janë të domosdoshme për shërimin tonë. Sepse, nëse nuk do të përjetojmë dhimbjen e kryqit, nuk do ta përjetojmë as gëzimin, jetën dhe dritën e Ngjalljes.
𝐈𝐈𝐈
Të dashur vëllezër dhe motra! Gjatë Pashkëve ne këndojmë: Vraponi dhe i shpallni botës se si u ngjall Zoti, duke shkatërruar vdekjen; Ai është Biri i Perëndisë, Shpëtimtari i racës njerëzore! Ndoshta sot, më shumë se kurrë, bota jonë ka nevojë për mesazhin e Pashkës, sepse Ngjallja nuk është thjesht një ngjarje e kaluar, por një përvojë e vazhdueshme për çdo kohë, për çdo brez dhe për çdo njeri, e cila jep shpresë, dritë dhe gëzim në jetën tonë dhe nuk na lejon të mbytemi në detin e hidhërimit. Pavarësisht se sa të vështira mund të jenë problemet tona, Ngjallja e Krishtit, na premton një të ardhme krejtësisht të ndryshme.
Ngjallja e Krishtit nuk është një ngjarje dhe një kremtim që ka të bëjë vetëm me Atë, por edhe me ne, sepse Ai na bëri pjesëtarë të Ngjalljes së Tij, nëpërmjet plotësisë së natyrës së Tij njerëzore. Ngjallja e Tij prek dhe transformon të gjithë njerëzit, duke i dhënë ekzistencës së njeriut një jetë të re dhe duke u bërë treguesi i plotësimit përfundimtar të natyrës sonë njerëzore. Ai që sot u ngjall, – shkruan shën Grigor Theologu, – do të më përtërijë në shpirt dhe do të më veshë me njeriun e ri. Për Pashkë jemi thirrur të përqafojmë njëri-tjetrin dhe, për shkak të Ngjalljes jetëdhënëse të Krishtit, të falin njëri-tjetrin në çdo gjë, që të mund të thërrasin me një zemër të pastër: Krishti u Ngjall!
Me dashuri në Zotin e Ngjallur,
†Joani
Kryepiskop i Tiranës, Durrësit dhe gjithë Shqipërisë