Fronëzimi i Kryepiskopit të ri të Shqipërisë, Fortlumturisë së Tij, z. Joan, në Tiranë

Në një atmosferë të mbushur me gëzim të madh shpirtëror, në Katedralen “Ngjallja e Krishtit” në Tiranë, të mbushur plot me besimtarë dhe përfaqësues të shumtë, u zhvillua sot, më 29 mars 2025, ceremonia e Fronëzimit të Fortlumturisë së Tij, Kryepiskopit të Tiranës, Durrësit dhe gjithë Shqipërisë, Imzot Joan (Pelushi), si Primat i ri i Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë. Ky moment historik shënon fillimin e një epoke të re për Kishën Orthodokse Autoqefale të Shqipërisë, pas ndarjes nga jeta të Kryepiskopit të ndjerë Anastas, i cili, për më shumë se tridhjetë vjet, e ringjalli Kishën nga rrënojat e persekutimit të egër ateist.

Ceremonia nisi me hyrjen e Kryepiskopit të ri në kishën katedrale, në prani të përfaqësuesve të të gjitha Kishave Orthodhokse, përfaqësive diplomatike, krerëve fetarë, zyrtarëve të qeverisë dhe një numri të madh besimtarësh. Pas hyrjes, nga Episkopi i Krujës, hirësi Anastasi, u lexua qarkorja e Sinodit të Shenjtë për shpalljen e Kryepiskopit të ri. Më pas, u zhvillua shërbesa e shenjtë sipas rregullit kishtar dhe vijuan fjalët përshëndetëse. I pari që mori fjalën ishte Mitropoliti i Apolonisë dhe Fierit, hirësi Nikolla, i cili, në emër të Sinodit të Shenjtë, i dorëzoi Kryepiskopit të ri shkopin kryebaritor. Më tej, fjalime mbajtën një klerik nga Kryepiskopata e Tiranës, Mitropoliti i Kalqedonës, z. Emanuel, përfaqësues i Tërëshenjtërisë së Tij, Patriarkut Ekumenik, z. Vartholome dhe Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Shkëlqesia e tij, z. Bajram Begaj.

Në fjalën e Fronëzimit, Fortlumturia e Tij, Kryepiskopi Joan, shprehu mirënjohjen e thellë ndaj Perëndisë dhe ndaj të gjithë atyre që kanë kontribuar në ringritjen dhe rrugëtimin e Kishës së Shqipërisë. I prekur, ai u shpreh: “Falënderojmë dhe nderojmë martirët e Ilirisë, të cilët përhapën dritën e besimit në trojet ku jetojmë, me gjakun dhe jetën e tyre; etërit dhe shenjtorët që ruajtën dritën e besimit ndër shekuj; si dhe dëshmorët e rinj, të cilët, në kohët më të vështira për Kishën dhe vendin tonë, dhanë jetën për të mbrojtur besimin, identitetin kombëtar dhe gjuhën e tyre.”

Kryepiskopi i ri përmendi në mënyrë të veçantë paraardhësit e tij, duke theksuar kontributin e veçantë të Theofan Nolit dhe të Kryepiskopit Anastas, për të cilin u shpreh: “Ai nuk u mjaftua vetëm në rindërtimin e mureve dhe të infrastrukturës fizike të Kishës, por përpjekja e tij thelbësore ishte të ndërtonte një Kishë ku Zoti të adhurohej ‘në shpirt dhe në të vërtetë’.”

Fortlumturia e Tij, Kryepiskopi Joan, shpalosi shtatë shtylla themelore të misionit të tij të ri: ruajtjen e Traditës së Shenjtë, forcimin e unitetit brenda Kishës, ruajtjen e ekuilibrit midis “Ungjillit të Mbretërisë” dhe “Ungjillit Social”, mbrojtjen e vlerave të martesës dhe të familjes, ruajtjen dhe forcimin e bashkëjetesës fetare në Shqipëri, inkurajimin e të rinjve për të dashur atdheun e tyre dhe për të mos e braktisur atë, si dhe kultivimin e marrëdhënieve me të gjitha Kishat dhe bashkësitë e tjera fetare. “Personalisht do të përpiqem me gjithë fuqinë time t’i shërbej grigjës që më është besuar nga Perëndia, duke pasur gjithmonë parasysh fjalët e Zotit se ‘Biri i njeriut nuk erdhi për t’u shërbyer, por për të shërbyer’,” përfundoi Fortlumturia e Tij.

Fortlumturia e Tij, Kryepiskopi Joan, me emrin civil Fatmir Pelushi, ka lindur në Tiranë në vitin 1956. Ai u pagëzua fshehurazi në vitin 1979, gjatë periudhës së persekutimeve, nga atë Kozma Qirjo, i cili më vonë u bë Episkopi i Apolonisë. Ka ndjekur studimet në degën e Psikologjisë në Universitetin e Tiranës dhe më pas në Fakultetin Teologjik të Kryqit të Shenjtë në Boston, ku u dallua për rezultatet e tij të shkëlqyera. U dorëzua dhjak dhe prift në vitin 1994, ndërsa në vitin 1998 u zgjodh Mitropolit i Korçës, detyrë të cilën e mbajti për njëzet e shtatë vjet, duke zhvilluar një veprimtari të pasur baritore, shpirtërore dhe shoqërore. Ka përfaqësuar Kishën Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë në shumë konferenca dhe dialogë ndërorthodhoksë dhe ndër të krishterë dhe ka shkruar e përkthyer një sërë veprash teologjike në gjuhën shqipe.

Në ceremoninë e Fronëzimit të Kryepiskopit të ri të Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë morën pjesë: Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Shkëlqesia e Tij, z. Bajram Begaj, Kryetarja e Kuvendit, znj. Elisa Spiropali, Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Infrastrukturës dhe e Energjisë, znj. Belinda Balluku si dhe Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, z. Igli Hasani. Të pranishëm ishin, gjithashtu, Ministri i Mbrojtjes i Greqisë, z. Nikos Dendias dhe Ministrja e Arsimit, znj. Sofia Zacharaki. Selia e Shenjtë u përfaqësua nga Kryepiskopi z. Flavio Pace, i shoqëruar nga përfaqësues të nivelit të lartë të Vatikanit. Nga Kishat Orthodhokse morën pjesë Mitropolitët: Emanuel i Kalqedonës dhe Serapioni i Paramithisë, Filiatëve dhe Gjiromerit (nga Patriarkana Ekumenike), Serafimi i Zimbabvesë dhe Angolës (nga Patriarkana e Aleksandrisë), Ignati Al-Houshi i Francës, Evropës Perëndimore dhe Jugore (nga Patriarkana e Antiokisë), Nektari i Anfidonit (nga Patriarkana e Jerusalemit), Nestori i Korsunit dhe Evropës Perëndimore (nga Patriarkana e Rusisë), Theodhosi i Rashkës-Prizrenit dhe Arsenio i Nishit (nga Patriarkana e Serbisë), Nifoni i Tërgovishtit (nga Patriarkana e Rumanisë), Serafimi i Nevrokopit dhe Grigori i Vracës (nga Patriarkana e Bullgarisë), Gerasimos Sarasenicze i Zugdidit dhe Çaisit (nga Patriarkana e Gjeorgjisë), Peshkopi Kristofor i Karpasias (nga Kisha e Qipros), Justini i Krenës së Re, Athanasi i Sisanit dhe Siatistës, Nektari i Korfuzit, Kaliniku i Kosturit (nga Kisha e Greqisë), Peshkopi Pavllo (Tokajuk) (nga Kisha e Polonisë), Kryepeshkopi Gjergji i Mihalovcës dhe Kosicës (nga Kisha e Çekisë dhe Sllovakisë), Josifi i Tetovës dhe Gostivarit dhe Jakovi i Shtipit (nga Kisha e Maqedonisë së Veriut), Nikodhimi i Bostonit (n ga Kisha Orthodhokse e Amerikës – OCA). Patriarkana e Jerusalemit u përfaqësua, gjithashtu, nga priftmurgu Irine, ndërsa Patriarkanat e Moskës dhe të Serbisë u përfaqësuan përkatësisht nga arkimandritët Irine dhe Andrea.

Pas përfundimit të ceremonisë u shtrua një drekë zyrtare në nder të Kryepiskopit të ri dhe të të ftuarve të pranishëm.

Dëgjoni Live

Foto Album nga fronëzimi