Kisha Orthodhokse Autoqefale E Shqipërisë –
Njoftim Për Shtyp
Përkujtimorja dyzetditore e Kryepiskopit të ndjerë të Tiranës, Durrësit dhe të gjithë Shqipërisë, Anastasit
Tiranë, 1 mars 2025
Në një atmosferë thellësisht prekëse, u krye sot, të shtunën, më 1 mars 2025, në Katedralen e Ngjalljes së Krishtit në Tiranë, mbushur plot me besimtarë, përkujtimorja dyzetditore e Kryepiskopit të ndjerë të Tiranës, Durrësit dhe gjithë Shqipërisë, Anastasit.
Liturgjia Hyjnore dhe shërbesa e përshpirtshme u kryesuan nga Mitropoliti i Korçës dhe Mbikëqyrësi i Fronit Kryepiskopal, hirësi Joani, me të cilin bashkëmeshuan Mitropoliti i Gjermanisë nga Patriarkana e Antiokisë, hirësi Isaku, nga Kisha e Greqisë, Mitropoliti i Korfuzit, hirësi Nektari, dhe Mitropoliti i Kefalonisë, hirësi Dhimitri, anëtarët e Sinodit të Shenjtë të Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë: Mitropoliti i Gjirokastrës, hirësi Dhimitri, Mitropoliti i Apolonisë dhe Fierit, hirësi Nikolla, Mitropoliti i Elbasanit, hirësi Andoni, Mitropoliti i Beratit, hirësi Asti, Mitropoliti i Amantias, hirësi Nathanaili dhe Episkopi i Krujës, hirësi Anastasi.
Në lutjen e përbashkët morën pjesë, gjithashtu, përfaqësuesit e Patriarkanës Ekumenike: Mitropoliti i Prikonezit, hirësi Josifi, dhe Mitropoliti i Filadelfias, hirësi Melitoni.
Për të nderuar kujtimin e Kryepiskopit të ndjerë të Kishës sonë u mblodh një numër i madh klerikësh dhe besimtarësh të Kishës së Shqipërisë, përfaqësues të institucioneve fetare, arsimore dhe filantropike të Kryepiskopatës, si dhe vizitorë nga jashtë vendit.
Gjatë Liturgjisë Hyjnore, Episkopi i Krujës, hirësi Anastasi, lexoi publikisht testamentin e Kryepiskopit të ndjerë, Anastasit. Më pas, mbajtën fjalën e rastit përfaqësuesi i Patrikanës Ekumenike, Mitropoliti i Prikonezit, hirësi Josifi, Mitropoliti i Korçës dhe Mbikëqyrësi i Fronit Kryepiskopal, hirësi Joani, të cilët vlerësuan veprën madhore misionare, shpirtërore dhe shoqërore të Kryepiskopit të ndjerë, përmes së cilës ai kontribuoi në ringjalljen e Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë.
Pas shërbesës përkujtimore në Katedrale, u krye shërbesa e përshpirtshme pranë varrit të Kryepiskopit të ndjerë, në kriptën nën Altarin e Shenjtë të Katedrales, dhe më pas u organizua një pritje për besimtarët.
Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë vijon rrugën e saj e udhëhequr nga vizioni dhe trashëgimia e Kryepiskopit të ndjerë, Anastasit, duke vazhduar veprën e tij shpirtërore, baritore, arsimore, bamirëse dhe paqësore, të cilën ai e themeloi dhe e zhvilloi me dashuri sakrifikuese për 33 vjet.