– Apostulli – Kolosianëve 1:12-18

 

Duke falënderuar Atin, i cili na bëri të denjë të kemi pjesë në trashëgimin e shenjtorëve në dritë; i cili na shpëtoi nga pushteti i errësirës dhe na pruri në mbretërinë e Birit të dashurisë së tij, në të cilin kemi shpërblimin me anë të gjakut të tij, ndjesën e mëkateve; i cili është shembëllesë e Perëndisë së padukshëm, i parëlinduri i gjithë krijesës; sepse me anë të tij u krijuan të gjitha, sa janë në qiejt e sa janë mbi dhe, të dukshmet e të padukshmet, qoftë frone, qoftë zotërime, qoftë autoritete, qoftë pushtete, të gjitha janë krijuar me anë të atij dhe për atë.

Edhe ai është përpara të gjithave, dhe të gjitha me anë të atij qëndrojnë. Dhe ai është kryet e trupit, e kishës; ai është nisja, i parëlinduri prej të vdekurve, që të bëhet ai i parë në të gjitha.