KISHA ORTHODHOKSE AUTOQEFEALE E SHQIPËRISË

THIRRJE PËR NDALIMIN E SULMEVE VRASTARE NË ALEPO

Sulmet e fundit shkatërrimtare në qytetin e Alepos, në Siri, si dhe në zonat përreth, kanë vënë në rrezik të të drejtpërdrejtë jetën e mijëra të krishterëve orthodhoksë, duke kërcënuar ekzistencën historike të Patriarkanës Orthodhokse të Antiokisë dhe të të krishterëve të Lindjes së Mesme në tërësi. Dhuna fetare dhe shkatërrimi i vendeve të hirshme të adhurimit janë plagë të thella për të gjithë Orthodhoksinë dhe fyerje ndaj kulturës mbarënjerëzore.
Duke marrë pjesë në dhimbjen e thellë dhe të papëpërshkrueshme të vëllezërve të përndjekur, bashkohemi në lutjet para Perëndisë së paqes dhe i bëjmë thirrje komunitetit ndërkombëtar që të marrë masa të menjëhershme për ndalimin e sulmeve vrastare në këtë rajon kaq të vuajtur të Lindjes së Mesme.

 

NJOFTIM

Në vijim të apelit së Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë për ndalimin e sulmeve vrastare në Alepo, Kryepiskopi i Tiranës, Durrësit dhe gjithë Shqipërisë, z. Anastas, pati një bisedë telefonike me Fortlumturinë e Tij, Patriarkun e Antiokisë, z. Joan. Gjatë bisedës, Kryepiskopi shprehu solidaritetin e plotë të Kishës së Shqipërisë për vështirësitë që po përjeton Kisha e Antiokisë për shkak të përshkallëzimit të papritur të konflikteve të armatosura në zonën e Alepos, të cilat vënë në rrezik jetën e mijëra të krishterëve orthodhoksë dhe praninë historike të Patriarkanës së Antiokisë në atë zonë.