– Oshënar Grigor Dekapoliti –

 

Shën Grigori jetoi në shekullin e 8-të në një nga qytetet e Dekapolit të Izaurisë, që quhej Irinipolis. Falë përkushtimit dhe përkujdesit të së ëmës, i riu mori edukim elementar të mjaftueshëm dhe, që kur ishte 8 vjeç, u dallua për tërheqjen që kishte për studimin e Shkrimeve të shenjta dhe frekuentimin e Kishës. Kreshmonte sistematikisht dhe ushtrohej në të gjitha virtytet, që t’i ngjante besnikërisht Krishtit.

Kur u rrit, prindërit kërkonin ta martonin, por ai dëshironte të ruante dëlirësinë dhe t’i përkushtohej Krishtit, prandaj u largua fshehtazi nga shtëpia dhe shkoi në një manastir, ku igumen ishte një episkop i internuar për shkak të persekutimit ikonoklast. Kohë më vonë, pas vdekjes së të atit, e ëma arriti ta gjente. Nuk iu kundërvu thirrjes së tij, por i kërkoi vetëm që të ishte bashkë me të vëllanë, i cili ishte murg në një manastir fqinj. Grigori u bind, por nuk mundi të rrinte në atë manastir, sepse igumeni ishte heretik. Atëherë shkoi në një manastir tjetër, ku igumeni, Simeoni, ishte një nga të afërmit e tij. Qëndroi aty 14 vjet dhe shkëlqeu në të gjitha virtytet e jetës së përbashkët, në veçanti në bindje dhe përulësi.

Meqë Grigori ishte i etur për një jetë më të vetmuar, mori nga igumeni bekimin për t’u tërhequr në një nga shpellat përreth, që të jepej në lutjen e pandërprerë, i vetëm para Perëndisë. Vuajti sprova të tmerrshme dhe të shumta nga demonët, që ishin xhelozë për lidhjen e tij me Perëndinë. Për ta frikësuar, ata merrnin formën e gjarpërinjve ose të kafshëve të tjera helmuese dhe e tundonin të linte qelinë. Por shenjti, i armatosur me shenjën e Kryqit dhe shpresën te Perëndia, i përqeshte të gjitha makinacionet e tyre dhe nuk e la mendjen të shpërqendrohej.

Pasi provuan edhe tundime të tjera për ta trembur, demonët e sulmuan me dëshira trupore. Grigori rezistoi me përgjërime të nxehta, të përziera me lot dhe një ditë, pas një vizioni, u çlirua me një mrekulli nga tundimet trupore. Më në fund arriti në paqësimin e trupit dhe përparoi nga dita në ditë në papasionshmërinë më të përsosur, e cila është imitim i përsosmërisë hyjnore.

Një ditë, tek rrinte ulur, i mbyllur në shpellën e tij, ra në ekstazë dhe një dritë e shkëlqyeshme, e shoqëruar nga një erë e mirë, mbushi shpellën dhe qëndroi atje për shumë kohë. Shenjti u transportua në Parajsë, në gjendjen që do të njohin të zgjedhurit gjatë Ngjalljes së përgjithshme, humbi çdo nocion të kohës dhe, kur dishepulli i tij erdhi për t’i shërbyer, pas katër ditësh, i dukej sikur nuk kishte kaluar veçse një orë që prej ardhjes së kësaj drite. Megjithatë, plot kujdes dhe i mësuar nga përvoja e Etërve për dredhitë e djallit, që di të shndërrohet në engjëll drite, Grigori i kërkoi këshillë igumenit të manastirit, për të ditur nëse ky vizion vinte realisht nga Perëndia. Ky e siguroi dhe e nxiti të vazhdonte betejat e tij asketike, për të lavdëruar denjësisht Perëndinë.

I ndriçuar nga drita hyjnore, Grigori u dërgua përsëri në botë nga Zoti, që të shkëlqente në sytë e njerëzve drita e virtyteve të tij dhe qëndrueshmëria e mësimit orthodhoks. Shkoi në Efes, që të gjente një anije për në Konstandinopojë, ku donte të shkonte për t’u ballafaquar me heretikët ikonoklastë. Por arriti vetëm në ishujt e Princave, ku, me gjithë ndalimin formal ndaj kujtdo që të pranonte murgjit që rrëfenin ikonat e shenjta, u prit në shtëpinë e një të varfri. I penguar për të hyrë në kryeqytet, u nis për në qytetin e Enosit (Thrakë) dhe prej andej arriti deri në Selanik, pasi shpëtoi nga një bandë kusarësh sllavë. Mbërriti në Korinth, u nis me anije për në Itali dhe arriti në Rexhio, në Kalabri. Besimtarët donin t’i jepnin para, por, kur pa se e kishin pritur keq, shenjti refuzoi dhe vazhdoi rrugën drejt Romës. Qëndroi atje tre muaj në një qeli të izoluar, i panjohur nga askush.

Por, kur pastroi një të demonizuar, u sulmua nga mizëri njerëzish që e nderonin si shenjtor. U arratis atëherë për në Sirakuzë, ku u mbyll në një kullë të braktisur, që të jetonte në qetësi. Demonët e sulmuan përsëri me tundime të ndryshme, por Grigori i zmbrapste me lutjen. Ktheu një prostitutë që ushtronte profesionin e saj të mjerë afër tij dhe e bindi të bëhej murgeshë, ndërsa shtëpinë publike ta shndërronte në manastir.

Kreu edhe shumë mrekulli, veçanërisht kundër demonëve, duke tërhequr përsëri, kundër dëshirës, turma njerëzish. Për këtë arsye, mori edhe një herë vullnetarisht rrugën e mërgimit, për t’iu shmangur lavdisë së njerëzve. S’mundi të qëndronte në Otranto, sepse episkopi kishte rënë në herezi, prandaj u nis për në Selanik. Ndenji në kishën e braktisur të Shën Minait dhe nuk u mor më me asgjë tokësore. Kur kishte uri, dilte dhe ndonjë fqinj e mikpriste. Pas disa viteve pranoi dishepuj dhe kreu shumë çudira, në saje të dhuntisë së largpamësisë që Perëndia i kishte dhënë.

Në fund të jetës, u sëmur rëndë nga neutropatia. Iu lut Perëndisë t’i jepte sëmundjen e hidropezisë dhe lutja e tij u dëgjua. I shpërfytyruar nga sëmundja, por i lumtur për të vuajtur për Zotin, arriti të kthehej në Konstandinopojë dhe të qëndronte disa kohë në Malin Olimp në Bitini, në këtë vend të lartë të jetës murgërore dhe të mbrojtjes së Orthodhoksisë. Pas kthimit në Bizant, takoi në burgun ku e kishin mbyllur shën Simeonin, atin e tij shpirtëror, i cili kishte kaluar shumë persekutime për mbrojtjen e ikonave të shenjta.

Pas një viti, i lodhur edhe më shumë nga sëmundja, shën Grigori paratha, 12 ditë para, çastin e fjetjes së tij. Fjeti në paqe më 842, pak para vendosjes përfundimtare të Orthodhoksisë. Lipsani i plotë që prej vitit 1490 gjendet në manastirin e Bistricës, në provincën e Oltenias, Rumani (departament i Vilçeas), ku nuk resht së kryeri mrekulli për banorët e zonës dhe pelegrinët e shumtë që e vizitojnë.

* * * * *

– Oshënar Prokli i Konstandinopojës –

Ka shumë gjasa të ishte nga Konstandinopoja. Ishte dishepulli i shën Joan Gojartit. Me vdekjen e patriarkut Atiki, sekretar i të cilit ishte (425), shumë njerëz e propozuan si pasues, por u caktua Sisiniusi (11 tetor). Me karakter të butë dhe të përulur, nuk kundërshtoi, por u vu në shërbim të patriarkut të ri. Shumë shpejt u dorëzua episkop i Kizikës (426); por, kur arriti në këtë qytet, nuk u pranua nga banorët, që kundërshtonin përzierjen e Kishës së Konstandinopojës në çështjet e Kishës së tyre dhe kishin zgjedhur një episkop tjetër, Dalmatin. Kur u kthye në Bizant, shën Prokli qëndroi në dioqezën e tij, por shkëlqeu në kishat e kryeqytetit me elokuencën, si Gojarti i shenjtë.

Pas vdekjes të Sisiniusit, u propozua për fronin patriarkal, por perandori Theodhos preferoi Nestorin e Antiokisë. Ky nuk vonoi të shpërndante konceptet e tij heretike për personin e Krishtit, duke refuzuar ta quante Të Tërëshenjtën, Virgjëreshën Mari, Nënë të Perëndisë. Me gjithë durimin dhe butësinë, Prokli u tregua mbrojtës i përflaktë i Orthodhoksisë. Ishte ai i pari që mori fjalën për të hedhur poshtë Nestorin, gjatë një fjalimi solemn, mbajtur para vetë patriarkut, ditën e Krishtlindjeve (428).

Pasi Nestori u përjashtua nga Sinodi i Efesit (431), emëruan Maksimianin në patriarkanë (21 prill). I paturbulluar, shën Prokli, i cili ishte dëbuar edhe një herë tjetër, i shërbeu me përulësi patriarkut të ri deri në fjetje, më 434. Më në fund, mes ngazëllimit të popullit shenjti u zgjodh nga perandori si patriark.

Prokli nisi të eliminonte herezinë nestoriane, pa persekutuar askënd. Realisht, mendonte se butësia është më e përshtatshmja për t’i sjellë në gji të Kishës, sesa dhuna. Tërhoqi pas vetes tërë orthodhoksët dhe forcoi Kishën në unitet dhe dashuri.

Me iniciativën e tij, sollën me madhështi në Konstandinopojë lipsanet e shën Joan Gojartit, më 27 janar 438. Tregohet se, kur ishte patriark, u fut Trishenjti në shërbesat e Kishës.

Shën Prokli fjeti në paqe më 12 korrik 446, pasi drejtoi grigjën e Krishtit për 12 vjet e 3 muaj.

* * * * *

– Dëshmor Edmondi, mbret në Angli –

Lindur më 841, ishte pinjolli i familjes mbretërore të Anglisë Lindore. Trashëgoi fronin mbretëror në vitin 856, ne moshën 16 vjeçare. Mori edukim të krishterë dhe luftoi përkrah mbretit Alfred të Wessex-it kundër ushtrive Vikinge pagane.

Në vitin 869/70 u mposht nga ushtria e tyre dhe vetë Edmondi u zu rob. E urdhëruan të mohonte besimin e tij e t’u falej idhujve pagane, por refuzoi prerazi.

Kështu, më 20 nëntor e lidhën në një pemë dhe e qëlluan me shigjeta, e më pas i prenë kokën. Thuhet se miqtë e tij shpresëtarë arritën ta gjenin kokën të prerë falë një ujku, i cili i drejtoi tek ajo.