– Apostulli – Romakëve 10:11-11:2.
Sepse Shkrimi thotë: “Gjithkush që beson në atë, nuk do të turpërohet”. Sepse s’ka dallim ndërmjet Judeasit e Grekut; sepse po ai Zot është i të gjithëve, i pasur për të gjithë ata që e thërresin atë. Sepse kushdo që të thërresë emrin e Zotit, do të shpëtojë.
Si pra do të thërrasin atë, të cilin nuk e besuan? Edhe si do ta besojnë atë për të cilin nuk kanë dëgjuar? Edhe si do të dëgjojnë, pa predikues? Edhe si do të predikojnë, në mos u dërgofshin? Siç është shkruar: “Sa të bukura janë këmbët e atyre që japin lajmin e mirë për paqe, të atyre që japin lajmin e mirë për të mirat”. Por jo të gjithë iu bindën ungjillit, sepse Isaia thotë: “Zot, kush i besoi predikimit tonë?” Besimi pra është prej dëgjimi; dhe dëgjimi me anë të fjalës së Perëndisë. Por them: Mos nuk dëgjuan? Po, me të vërtetë “zëri i tyre doli në gjithë dheun, edhe fjalët e tyre deri në anët e botës”. Po them: Mos nuk i njohu Izraeli? I pari Moisiu thotë: “Unë do t’ju shtie juve në zili për atë që nuk është komb, edhe do t’ju bëj të zemëroheni për një komb që s’ka mend”. Po Isaia guxon edhe më tepër e thotë: “U gjenda tek ata që s’më kërkonin, u duka tek ata që as pyetnin për mua”. Por Izraelit i thotë: “Tërë ditën i shtriva duart e mia një populli që nuk bindet dhe flet kundër”.
Them pra: Mos e hodhi tej Perëndia popullin e tij? Qoftë larg. Sepse edhe unë Izraelit jam, prej farës së Abrahamit, prej fisit të Beniaminit. Perëndia nuk e hodhi tej popullin e tij, të cilin e njohu që përpara. Apo nuk dini ç’thotë Shkrimi për Ilian? Si i flet Perëndisë kundër Izraelit, duke thënë: “Zot, profetët e tu i vranë, edhe theroret e tu i shembën; edhe unë mbeta i vetëm, edhe kërkojnë jetën time”.