– Apostull e Ungjillor Mattheu –

Apostulli i shenjtë Mattheu në fillim quhej Levi. Ai ishte biri i Alfeut dhe ushtronte profesionin e doganierit. Një ditë, tek rrinte në doganë, Jisui kaloi dhe një turmë e ndiqte nga pas, e etur për mësimet e tij. Zoti ktheu shikimin nga Mattheu e i tha: “Më ndiq!” Publikani u ngrit dhe e ndoqi pa pasur asnjë mendim dhe asnjë vështrim për atë që la pas. Para se të nisej për udhën në gjurmët e Krishtit, ai shtroi një darkë në shtëpinë e vet, ku morën pjesë Jisui dhe dishepujt e Tij, si dhe një numër i madh doganierësh dhe mëkatarësh publikë. Meqë farisenjtë u skandalizuan, Zoti tha: “Nuk janë të shëndoshët që kanë nevojë për mjek, por të sëmurët. Nuk erdha të thërras të drejtët, por mëkatarët në pendim” (Lluk. 5.27; Matth. 9.13; Mark. 3.17).

Mattheu ndoqi Krishtin në gjithë rrugëtimet e Tij, përtej Palestinës, dhe ishte dëshmitar i mësimdhënieve dhe i mrekullive të Tij, para kryqëzimit të Tij dhe pas Ngjalljes së Tij. Pasi u mbush me hirin e Shpirtit të Shenjtë ditën e Pentikostisë së bashku me dishepujt e tjerë, ai u caktua për të ungjillëzuar bashkëkombësit e tij, hebrenjtë. Thuhet se 8 vjet pas Ngjitjes në qiej, ai hartoi në hebraisht Ungjillin e parë në gjuhën hebraike, d.m.th. tregimin e ngjarjeve dhe të mësimdhënieve të Shpëtimtarit, për popujt që nuk kishin përfituar drejtpërdrejt nga mësimdhënia e tij.

Ky ungjill u përkthye në greqisht disa vjet më vonë nga apostull Jakovi, episkopi i parë i Jerusalemit dhe u kopjua nga apostulli i shenjtë Vartholomeu (11 qershor). Ai nuk vonoi të zëvendësonte origjinalin në hebraisht (aramaisht), prej të cilit s’ka më kopje.

Më pas, apostull Mattheu u nis për të përhapur Lajmin e Mirë në vendin e Partëve dhe duroi peripeci të ndryshme nga idhujtarët. Arriti më në fund në Ierapolis, në brigjet e Eufratit ku, me fuqinë e predikimit, arriti të kthente një numër të madh idhujtarësh tek e vërteta. Fjeti në paqe më Zotin në moshë të madhe.

Sipas një tradite tjetër, thuhet se, pasi vuajti shumë keqtrajtime nga partët dhe midët kokëfortë për të vërtetën, apostulli mund të ketë shkuar në shkretëtirat e egra të një mali të lartë për të asketizuar dhe për të medituar. Atje iu shfaq Zoti si një fëmijë, i dha një shkop dhe e urdhëroi ta mbillte pranë kishës së qytetit të Mirminit. Platoni, episkopi i qytetit, e priti me madhështi Mattheun bashkë me klerin e tij. Sapo e mbolli shkopin, ky mbiu dhe dha një frut të ëmbël si mjaltë, si parashijim i kënaqësisë së Parajsës. Një burim uji të freskët buroi ndërkohë rrëzë pemës dhe të gjithë që laheshin atje, çliroheshin nga pasionet dhe errësirat e idhujtarisë. Megjithëse u sillte shumë të mira partëve, madje dhe familjes mbretërore, apostulli kaloi shumë tortura të frikshme dhe mbaroi në zjarr. Por arriti ta kthente tiranin në besim, nëpërmjet mrekullive të shumta që kryenin lipsanet e tij.

Në çastin kur u pagëzua, mbreti kërkoi të merrte emrin e Mattheut. Ai përmbysi idhujt në tërë mbretërinë dhe solli mbarë popullin e tij në Kishën e shenjtë. Me vdekjen e Platonit, ai hoqi dorë nga qeverisja, la të birin në fron dhe u bë episkop, sipas udhëzimeve që la apostulli i shenjtë Mattheu.

* * * * *

– Oshënar Sergji nga Malopinenga –

Shën Sergji emri i tij i pagëzimit ishte Semen ishte bir i një fisniku, i cili, pasi shërbeu si dhjak i kryepiskopit të Novgorodit, u bë prift në enorinë e fshatit Malopineski, që ndodhet në brigjet e rrjedhës së sipërme të lumit Pinenga.

Në vitin 1523 u hirotonis prift dhe zëvendësoi atin e tij që kishte ndërruar jetë. Për 62 vjet u dallua për përulësinë dhe dhembshurinë e tij ndaj të tjerëve. U qeth murg me emrin Sergj, para se të dorëzonte shpirtin e tij te Perëndia, më 16 nëntor 1585.

Shumë u shëruan në mënyrë mrekullibërëse gjatë kohës së varrimit të tij dhe më vonë varri i tij, sipër të cilit u ndërtua një paraklis, u bë vend pelegrinazhi.

Nderimi i tij u njoh zyrtarisht nga Kisha në vitin 1655.