– Apostujt Olimpai, Rodioni (Herodioni), Sosipatri, Terti, Erasti Dhe Kuarti Nga Të 70-Ët –
Këta apostuj të shenjtë bënin pjesë në të Shtatëdhjetë Apostujt e Shpëtimtarit.
Shën Olimpai dhe Rodioni (Herodioni), përmendur nga shën Pavli në Letrën drejtuar Romakëve (Rom. 16), ndoqën shën Petron në Romë, ku dhe ua prenë kokat gjatë persekutimit të Neronit (54).
Shën Sosipatri, i cili përmendet nga shën Pavli (Rom. 16.21), u bë episkop i Ikoniumit dhe fjeti në paqe.
Terti pasoi në fronin e tij dhe fjeti edhe ai në paqe.
Erasti (Rom. 16.21) u bë ikonom i Kishës së Jerusalemit e më pas episkop i Paneades (Qesari e Filipisë) dhe fjeti në paqe.
Kuarti (i përmendur në të njëjtën letër) u bë episkop i Beritës(Bejrut). Vuajti në shumë prova për besimin dhe ktheu në Krishterim pjesën më të madhe të paganëve të qytetit, para se të flinte në paqe.
* * * * *
– Dëshmor Oresti –
Shën Oresti ishte mjek i krishterë në qytetin e Tianës në Kapadhokí, nën mbretërimin e Dioklecianit dhe Maksimianit (284-308). E ndaluan me urdhër të qeveritarit Maksim, por refuzoi të mohonte Krishtin ndaj e rrahën brutalisht me shkopinj në kurriz dhe në bark. Ia dogjën kurrizin me pishtarë dhe plagët ia fërkuan me kripë dhe uthull. E çuan pastaj në tempullin pagan, por me lutjen e tij i përmbysi idhujt.
E futën në burg, ia prenë ushqimin për një javë. Pastaj ia shpuan këmbët dhe brinjët me gozhdë dhe e lidhën pas një kali të egër, që e hoqi zvarrë në terren me gurë për më shumë se 24 milje.
Me gjymtyrët e shqyera dhe kockat e thyera, martiri i shenjtë dha shpirtin te Perëndia. Paganët e hodhën trupin e tij në lumë, që të krishterët të mos mund t’ia nderonin lipsanin.
* * * * *
– Oshënar Arseni i Kapadhokisë –
Është oshënar i ri i shquar, i njohur zyrtarisht si shenjt më 1986. E bëri të njohur nxënësi i tij jeronti i shenjtëruar Paisi nga Mali i Shenjtë. Lindi rreth vitit 1840 në Farasa të Kapadhokisë së bekuar, në mes të Turqisë, nga prindër të virtytshëm, Elefteri, mësues, dhe Varvara. Theodhori, siç quhej më parë, dhe vëllai i tij mbetën jetimë para kohe. Për ta kujdesej një grua nga fisi i tyre. Kur ishte i vogël, ndërsa po mbytej në një përrua, i shpëtoi jetën një kalorës që ngjante me një murg. Kështu, ai vendosi t’i përkushtohej Perëndisë.
Në këtë mënyrë, në moshën 26-vjeçare, muskuloz, me gjuhë të huaja dhe tepër i shkolluar edhe në Izmir, shkoi në manastirin e afërm, në manastirin e lashtë të Flavianëve. U qeth murg me emrin Arsen, por për shkak të nevojave e dërguan si mësues në fshatin e tij pasi e hirotonisën dhjak.
Në moshën 30 vjeçare u bë arkimandrit dhe atë shpirtëror. Me mençurinë dhe mrekullitë e tij ruante grigjën nga tinëzitë e turqve, kryesisht nga kusarët dhe nga misionarët heretikë. Nuk ishte koprrac. Ishte asketik, i urtë dhe dijetar “me dallueshmëri” dhe shquhej për aftësi didaktike. Dinte të urtësonte, i ndjeshëm në dashuri, që të mos lodhte kafshët, asnjëherë nuk hipi në to, edhe pse ecte më këmbë me ditë të tëra, për shembull, kur shkonte larg në bregdet (rrugë që e bënte pesë herë) që të lundronte në Tokën e Shenjtë. “Jam murg”, thoshte, pra jetonte me mundime dhe nuk lejonte gratë që t’i shërbenin.
Shijoi zbulesa, u dëftua si krua i çudirave të mrekullueshme për të krishterët dhe myslimanët, si i barabartë me shenjtorët e mëdhenj! Në shenjë respekti e thërrisnin “haxhiefendi” dhe meqenëse e adhuronin, bënte “marrëzi”, pra e konsideronin si shenjtor, por edhe “të marrë” njëkohësisht! Lutjet e tij i kërkonte edhe patriarku. Refuzonte herë pas here të bëhej episkop, u bë vetëm eksark i Varrit të Tërëshenjtë dhe zëvendës mitropolitan. Në rrëfime përpiqej të ngrinte sedrën dhe jo të ishte i rreptë.
Gjatë shkëmbimit të popullsive midis Greqisë dhe Turqisë, në vitin 1924 përfundoi në Korfuz, ku shpejt u sëmur dhe ndërroi jetë (10.11.1924). Zhvarrosja e lipsaneve (eshtrave) të tij mrekullibërëse u bë në vitin 1958 dhe që nga viti 1970 ruhen në Manastirin e Hyjlindëses në Suroti, afër Selanikut.
a