– Oshënar Nektari i Pentapojës –

Mrekullitë e tij të papërshkrueshme në të gjithë botën i lënë pa gojë ateistët!

Anastas Kefalasi lindi më 1.10.1846, në Turqinë evropiane nga prindër të varfër e shpresëtarë me shumë fëmijë, Dhimo dhe Vasilika (Balu). Pasi mësoi shkrim e këndim punoi në Konstandinopojë.

Kur ishte njëzet vjeç u caktua mësues në një fshat të ishullit Hios, dhe meqë i pëlqente jeta monakale që fëmijë u qeth murg me emrin Llazar në vitin 1876, në një manastir atje në Hios ku dhe qëndroi për tre vjet. Në vitin 1877 u hirotonis dhjak dhe mori emrin Nektar.

Kur mbaroi “gjimnazin” e atëhershëm në Athinë studioi për teologji në universitet (1882-1885) i përkrahur nga patriarku i Aleksandrisë, Sofroni. Ai e bëri në Aleksandri prift, predikues dhe sekretar të tij (1886), në Kairo e bëri mitropolit me titullin Pendapolit (1889).

Ndërkohë, meqë intrigantët e kthyen patrikun kundër tij, shkoi në Athinë dhe mori përsipër të jetë predikues në krahina të ndryshme (Evia 1891, Fthiotidha dhe Fokidha 1893) dhe drejtor i Seminarit Kishtar të Rizarit të Athinës, të cilit i ngriti nivelin e tij të ulët (1894-1908 kur u largua vetë për shkak të shëndetit).

Përherë ka ndriçuar flaka e tij për virtytin dhe mësimin e Ungjillit nëpërmjet të cilave kultivonte shumë shpirtra; predikonte dhe në Pire.

Më 1898 vizitoi Malin e Shenjtë për dy muaj. Më 1908 u tërhoq në manastirin femëror të Shën Triadhës, në ishullin Egjina përballë Athinës sot Manastiri i Shën Nektarit të cilin e kishte nisur që më 1904.

Ushtrohej me përulësi, meshonte në shërbesa, bënte punë dore, ushqente shpirtin e atyre që vinin tek ai, jepte lëmoshë, shkruante dhjetëra vepra të rëndësishme teologjike, vepra mbi moralin dhe fjalime, si dhe artikuj të ndryshëm.

Në manastirin e tij të rreptë, me igumene të verbrën e shenjtëruar Kseni, u hidhërua dhe nga pushtetarët kishtarë dhe nga shpifjet kundrejt tij për marrëdhënie jo të moralshme.

Pas një sëmundjeje me shumë dhimbje, prej një viti e gjysmë fjeti në Athinë (8.11.1920) dhe u varros në manastirin e tij. Gjatë zhvarrosjes së lipsanit të tij (1953) ai lëshoi miro. Kisha e tij shumë madhështore u inaugurua në manastirin e tij në vitin 1994.

 

* * * * *

– Oshënare Matrona –

Shën Matrona lindi në Pergë të Pamfilisë (Azi e Vogël), gjatë sundimit të perandorit Markian (450-457). Prindërit e saj e martuan shpejt me një burrë të shkëlqyer, Dometianin (ose Dometi), me të cilin pati një vajzë, që e quajtën Theodhota. Kur Dometiani duhej të shkonte në Konstandinopojë për nevojat e karrierës së tij, mori me vete Matronën. Atje ajo njohu një grua fisnike me emrin Evgjeni, me të cilën nderoi vendet e shenjta të kryeqytetit.

Duke pasur që të dyja të njëjtin zell për Perëndinë, e bënë zakon të shkonin në vigjiljet e natës që kremtoheshin për festat e shenjtorëve dhe në kishat e shumta të qytetit. Dometiani dyshoi për të shoqen kur konstatoi se braktiste gati çdo natë shtëpinë dhe mendoi se bënte imoralitet, prandaj e ndaloi të dilte. Matrona u pikëllua shumë dhe, e detyruar të qëndronte në shtëpi, i lutej Zotit me lot që i shoqi ta linte të lirë në jetën e shenjtë që dëshironte.

Një ditë, kur vizitoi bashkë me Evgjeninë kishën e Apostujve të shenjtë për një vigjilje, njohu një murgeshë me emrin Suzana, së cilës i shfaqi dëshirën për t’iu përkushtuar jetës engjëllore. Murgesha pranoi të merrte me vete të bijën, Theodhotën, nën mbikëqyrjen e saj. Tashmë pa detyrën e edukimit të së bijës, Matrona u kthye në shtëpi dhe i kërkoi Perëndisë t’i zbulonte nëse ishte vullneti i Tij të ikte edhe ajo.

Natën pa në ëndërr të shoqin që e dëbonte dhe murgj që e merrnin në mbrojtje. E bindur nga kjo shenjë hyjnore, u vesh me rroba burri, mori pamjen e eunukut dhe shkoi edhe një herë në kishën e Apostujve. Hyri, hapi Ungjillin dhe ndeshi në pasazhin ku Krishti thotë: “Nëse dikush do të më vijë pas, le të mohojë veten, të marrë kryqin e të më ndjekë…” (Matth. 16.24).

Plot gëzim, shkoi në manastirin e Shën Vasianit, duke u hequr si eunuk me emrin Vavila. U prit nga murgjit dhe u bë menjëherë model virtyti e zelli në punët asketike. Por Perëndia i zbuloi Vasianit se eunuku ishte një grua.

E thirri dhe e qortoi që ishte dhënë në beteja mbi natyrën, duke rrezikuar skandalin te murgjit e tjerë. Megjithatë, ai e admironte zellin e saj dhe nuk e hodhi poshtë, ndaj e dërgoi në një manastir grash në Emesë të Sirisë. Edhe atje u dallua për virtytet e saj. Sa më shumë e admironin, aq më tepër shenjtorja përpiqej të fshihte hiret që Perëndia i dhuronte dhe jepej më shumë në përulësi. Në këtë periudhë u zbulua mrekullisht edhe koka e shën Joan Pagëzorit.

Matrona shkoi në Vendet e Shenjta për t’u falur dhe, siç kishte marrë pak nga miroja e shenjtë që rridhte, shëroi një të sëmurë vetëm sa ia leu sytë. Kjo mrekulli e saj u përhap kudo, sa e mësoi edhe ish-bashkëshorti, që e kërkonte prej kohësh në tërë anët. Shkoi në manastirin ku gjendej Matrona, por ajo u largua dhe shkoi në Jerusalem. Dometiani e ndoqi, por shenjtorja gjeti strehë në një tempull idhujsh pranë Beritës. Ndenji aty për shumë ditë, e sulmuar nga demonët. Por shenjtoren s’e trembte frika: këmbëngulte në kreshmë dhe lutje pa u dhënë rëndësi ngacmimeve të tyre. Për ta mashtruar, demonët bëheshin si të devotshëm dhe psalnin me të shërbesën hyjnore. Por, me ndihmën e Perëndisë, u çlirua nga kjo manovër.

Herë të tjera, djalli i shfaqej si një grua e bukur dhe e fisshme, e cila kishte frikë për shëndetin e saj kur e shikonte të jetonte në ato kushte dhe e këshilloi të zgjidhte një vend jo aq të ashpër. Por Matrona i zbulonte këto dredhi me lutjen dhe fjalët e zjarrta nga Shkrimi i Shenjtë. Betejat e saj tërhoqën shumë vajza të reja idhujtare, të cilat deshën ta pasonin dhe i kërkuan të pagëzoheshin dhe të jetonin nën drejtimin e saj.

Shën Matrona jetoi për njëfarë kohe me 9 nxënëse të saj në këtë tempull të braktisur, por dëshironte shumë të kthehej në Konstandinopojë, për t’u këshilluar me shën Vasianin. Ndonëse druhej se mos e gjente i shoqi, u kthye në Bizant. Vasiani e priti me gëzim dhe i dha një qeli pranë manastirit, që të gjente paqen e duhur për lutjen. Kohë më pas, shenjtorja solli edhe nxënëset nga Berita. Fama e saj ishte përhapur në tërë qarqet e grave të përkushtuara të kryeqytetit dhe perandoresha Berina, gruaja e Leonit të Madh (457-474), shkonte të mësonte prej shenjtores.

Shumë gra fisnike braktisën gjërat e botës dhe vendosën të jetonin në varfëri dhe në bindje nën drejtimin e Matronës. Me anë të dhurimeve të shumta që i jepnin shenjtores, u ndërtua manastiri, i cili u shndërrua në një qendër të ndritshme të Konstandinopojës. Çdo ditë, grigja e saj shpirtërore rritej dhe përfitonte nga thesaret e virtyteve të shenjtores. Deri në fund të jetës, në moshën 100-vjeçare, Matrona nuk e la asketizmin.

Paratha ditën e fjetjes së saj, dhe në çastin kur do të largohej nga kjo botë, ngushëlloi nxënëset duke iu përshkruar vizionin e Parajsës që Perëndia i kishte shfaqur si shpërblim të veprave të saj.