– Ungjilli – Llukai 12:42-48
Edhe Zoti tha: Vallë, cili është ai kujdestar besnik e i mençur, të cilin do ta vërë i zoti mbi shërbëtorët e tij, që t’u japë në kohë masën e ushqimit? Lum ai shërbëtor, të cilin, kur të vijë i zoti, do ta gjejë duke bërë kështu. Vërtet po ju them juve, se ka për ta vënë mbi gjithë pasurinë e tij.
Po në thëntë ai shërbëtor në zemrën e tij: Im zot vonon të vijë; dhe të zërë të rrahë shërbëtorët e shërbëtoret, e të hajë e të pijë e të dehet, i zoti i atij shërbëtori do të vijë atë ditë që s’e pret dhe atë orë që s’e di; edhe do ta ndajë më dysh dhe do ta vërë pjesën e atij bashkë me të pabesët. Edhe ai shërbëtor që e dinte dëshirën e të zotit dhe nuk qe gati as nuk bëri sipas dëshirës së tij, do të rrihet shumë.
Po ai që nuk e diti dhe bëri punë për t’u rrahur, do të rrihet pak. Edhe gjithkujt që iu dha shumë, shumë do të kërkohet prej tij; edhe atij që iu besuan shumë, më shumë do të kërkojnë prej tij.