– Apostulli – 2 Korinthianëve 11:31-12:9.

Perëndia dhe Ati i Zotit tonë Jisu Krisht, i cili është i bekuar në jetë të jetëve, e di se nuk gënjej. Në Damask governatori i mbretit Areta ruante rrotull qytetin e Damaskinëve, sepse donte të më kapte, edhe nga një dritare zbrita nga muri me një shportë dhe shpëtova nga duart e tij.

Të mburrem, nuk më intereson, sepse do të vij në vegime e në zbulesa të Zotit. Di një njeri në Krishtin përpara katërmbëdhjetë vjetësh, a me trup, s’e di; a jashtë trupit, s’e di; Perëndia e di; se ky njeri i tillë u rrëmbye deri në qiellin e tretë. Edhe e di njeriun e tillë, a me trup, s’e di; a jashtë trupit, s’e di; Perëndia e di; se u rrëmbye në parajsë dhe dëgjoi fjalë të patregueshme, të cilat nuk i lejohet njeriut t’i flasë.

Për të tillin njeri do të mburrem; po për veten time nuk do të mburrem, veç për dobësitë e mia. Sepse sikur të dua të mburrem, nuk do të jem i marrë, sepse të vërtetën do të them, po druhem se mos mendon ndonjë për mua më tepër nga ajo që më sheh ose nga ajo që dëgjon prej meje.

Edhe që të mos krenohem për zbulesat e shumta, m’u dha një gjemb në trup, një engjëll i satanait, që të më bjerë me shuplaka, që të mos krenohem. Për këtë tri herë iu luta Zotit, që të largohet satanai prej meje. Edhe më tha: Të mjafton hiri im; sepse fuqia ime në dobësi tregohet e përsosur. Me gëzim të madh pra do të mburrem më tepër për dobësitë e mia, që të rrijë tek unë fuqia e Krishtit.