– Dëshmorët Akepsimai, Josifi, Aithalai në Persi –
Gjatë vitit të 37-të të persekutimit të egër kundër të krishterëve, ndërmarrë nga mbreti pers, Sapori II (378-379), kryemagjistarët morën pushtet të torturonin dhe të vrisnin ata të krishterë që këmbëngulnin në pohimin e besimit të tyre. “Të krishterët po përmbysin besimin tonë”, thoshin ata. Sipas tyre (të krishterëve), “ka vetëm një Perëndi krijues të qiellit dhe të tokës. Mësojnë të mos adhurojmë diellin, as të nderojmë zjarrin. E njollosin ujin me pastrime të tmerrshme (për pagëzimin) dhe duan fundin e racës sonë, duke shpallur superioritetin e virgjërisë nga shtimi i fëmijëve. Dhe, për më tepër, revoltohen kundër pushtetit universal të mbretit tonë dhe refuzojnë t’i shërbejnë”.
Pikërisht në këtë kohë kapën Akepsimanë, episkopin e qytetit të Pakas dhe të krahinës së Heneitas. Ishte një plak i nderuar 80-vjeçar, i mirë me të varfrit dhe të huajt. U tregonte paganëve rrugën e jetës përmes fjalës dhe shembullit të tij.
Kreshmonte e lutej pa pushim. Kur po e lidhnin për ta nxjerrë nga shtëpia, u tha miqve të tij, që po mendonin të kujdeseshin për të mirat e tij: “Kjo shtëpi nuk është më imja, kjo pronë s’është më imja. Nuk kam gjë tjetër veç Krishtit, Ai është pasuria ime, pjesa tjetër nuk ekziston më për mua”.
Kur arriti në Arbil dhe u pyet nga kreu i magjistarëve, episkopi i shenjtë nuk kërkoi të shfajësohej prej asnjë nga akuzat që i bënë. “Predikoj realisht Perëndinë e vetëm, Mikun e njerëzve, që ata të pendohen, të lënë udhët e humbjes dhe të adhurojnë Krijuesin dhe jo krijesat si perëndi”. Magjistari e kamxhikoi pa pasur mëshirë për moshën e tij dhe e mbylli në një qeli të errët.
Në të njëjtën periudhë, ndaluan edhe priftin Josif të Bet-Katobas. Ky ishte një i moshuar rreth 70 vjeç, kishte zell për besimin, si në kohët e para të kthimit, dhe ishte model i priftit. U kap edhe dhjaku Aithalai i krahinës së Bet-Nuhadresë. Ai ishte 60 vjeç, por fjalën e kishte të mprehtë, replikën të gjallë, shpirtin të zjarrtë, fytyrën të ndritshme; digjej nga dashuria për Perëndinë dhe e donte Krishtin deri në vuajtje, që të jetonte me Të. I lidhën me zinxhirë dhe i çuan në Arbil, para kryemagjistarit. Ky i kërcënoi me vdekje, me pretekstin se po abuzonin me popullin nëpërmjet magjive të tyre (Misteret e shenjta).
Josifi iu përgjigj: “Ne nuk jemi magjistarë, por u mësojmë njerëzve të vërtetën, që të lënë imazhet e pikturuara të pa jetë e të njohin Perëndinë e gjallë”. Magjistari i tha se e vërteta gjendej vetëm afër mbretit, të mëdhenjve dhe të pasurve të kësaj bote, jo te të varfrit dhe te të krishterët.
Josifi i tha përsëri: “Perëndia e përbuz krenarinë, madhështinë dhe pasurinë e kësaj bote. Jemi të varfër e mjeranë, por me vullnetin tonë.
U japim të varfërve atë që fitojmë me djersën e ballit, ndërsa ju i vidhni. Pasuria është kalimtare dhe shkon në këtë jetë, prandaj dhe nuk e lidhim zemrën me të që të bëhet e denjë për lavdinë e jetës që do të vijë.”
Siguria e Josifit e irritoi kryetarin e magjistarëve dhe 10 burra shkuan dhe e ndanë më katërsh, duke e goditur me degë shege plot gjemba. Ndërsa trupi i mbytej nga gjaku, martiri i shenjtë ngriti sytë nga qielli dhe tha: “Të falënderoj, o Krisht, Biri i Perëndisë, se më gjykove të denjë për këtë pagëzim të shenjtë, që më pastron nga tërë mëkatet e mia”.
Radha i erdhi Aithalait. Magjistari i tha: “Adhuro diellin, pi gjak, merr grua, bindu mbretit dhe do t’u shpëtosh torturave e vdekjes që të pret.” Aithalai iu përgjigj: “Më mirë të vdes që të jetoj, sesa të jetoj e të vdes përjetë. Mësuesi ynë na mësoi të duam jetën dhe ju, nga padija, e quani vdekje, dhe të urrejmë vdekjen, që ju e quani jetë. Ti e adhuron diellin, se je i verbër dhe nuk e shikon dritën e vërtetë që u lartësua në botë dhe arriti deri në skajet e tokës”. Guximtarin e dorëzuan në tortura, duke ia thyer gjymtyrët dhe duke e kamxhikuar derisa iu shkëputën artikulacionet. Pastaj e hodhën në birucë ku ndodheshin edhe dy pohuesit e tjerë të besimit.
Pas 5 ditësh, të tre i nxorën për t’i marrë sërish në pyetje dhe për t’i munduar më çnjerëzisht, për t’i dekurajuar; para se t’i burgosnin, i kishin rrahur kaq rëndë, sa kushdo që i shikonte do të shpërthente në vaj për gjendjen si i kishin katandisur.
Kur mbreti kaloi në atë krahinë, ia nxorën të burgosurit që t’i pyesnin edhe një herë tjetër. Mbreti ia la në dorë kryemagjistarit që komandonte tërë Lindjen: ai u shtir sikur kishte mëshirë për moshën e tyre të vjetër dhe i nxiti t’i bindeshin mbretit që të mos vdisnin.
I lumuri Akepsima i tha: “Ruhu se mos ndryshon ti në vendin tonë. Mos u gënje, kurrë s’i bindemi mbretit. Jep urdhër, qoftë për vdekje, qoftë për tortura. Mund ta provosh pleqërinë tonë me çfarëdolloj vuajtjeje që dëshiron. Durimi ynë nuk thyhet në Atë që na forcon. Me këtë sprovë e Vërteta do të shpallet më qartë. Trupat tanë të përkasin ty, por shpirtrat Perëndisë. Bëj ç’ke për të bërë.”
E goditën me aq tërbim, sa e ndanë në copa. Por shenjti, si i huaj për trupin, i ngrinte sytë drejt qiellit. Vdiq nga goditjet pa u vënë re nga xhelatët, të cilët vazhduan gjatë ta godisnin, edhe pse kishte vdekur.
Pas tij, i erdhi radha Josifit të lumur. E torturuan mizorisht dhe më pas e hodhën përjashta, duke e konsideruar të vdekur. Kur e çuan për gjykim, Aithalai s’ishte mpakur nga vdekja e dy shokëve, por thirri: “Këmbëngul në të vërtetën dhe nuk do ta dëgjoj mbretin, armikun e gjithçkaje të madhe e të bukur. Mundimet e tua nuk janë dhe aq të frikshme, o njeri cinik e i pafuqishëm! Nëse ke xhelatë të tjerë, silli që të ma forcojnë shpirtin dhe trupin.” Duke parë se vuajtjet dhe vdekja ishin çlirim për shenjtin, kryemagu mendoi që nëpërmjet tyre të përdhoste Trupin e Krishtit: vendosi që të dy konfesorët, Josifi dhe Aithalai, të vriteshin me gurë nga bashkëbesimtarët e tyre. Urdhëruan të mblidhnin burra e gra në shesh. Të tmerruar, shumë u fshehën nëpër male, që të mos derdhnin gjak të pafajshëm.
Para se të kryenin ekzekutimin, u thanë shenjtorëve të shtireshin sikur kishin mohuar duke pirë lëng rrushi në vend të gjakut dhe se kishin ngrënë mish çfarëdo, i cili nuk u qe sakrifikuar idhujve. Por shenjtorët thirrën: “Perëndia na ruan nga njollosja e thinjave tona dhe nga fshehja e besimit apo e së vërtetës për t’u pëlqyer ca njerëzve të marrë. Fuqia juaj na i theu trupat, por s’na e shkul nga shpirtrat shpresën e pamposhtur, as ngjalljen që na u premtua, ndërsa ju përgatiteni për lot dhe kërcëllim dhëmbësh në përjetësi.” I pafytyri u tha: “Me ç’dënim po më shpërbleni?” Ata i thanë: “Në jetën tjetër askush s’ka për ta kthyer të mirën për të keqe. Por në këtë, lutemi për ty, sikurse na mësoi Zoti kur tha: Bekoni ata që ju mallkojnë, bëjuni mirë atyre që ju kanë mëri (Matth. 5.44). Lutemi që të kthehesh te Perëndia, që të të mëshirojë dhe të njohësh që s’ka jetë jashtë Tij”.
Para zemërgjerësisë së martirëve, tërbimi i kreut të magjistarëve i kaloi kufijtë. I torturuan sërish dhe urdhëruan që t’i vrisnin me gurë grupin e të krishterëve që i kishin kapur. I pari ishte Josifi. Gurët bini si rrebesh, gjaku dhe trutë e martirit u përzien e ranë përtokë. U mbulua nga gurët, por meqë s’vdiq, një ushtar ia shtypi kokën me një gur të madh.
Disa ditë më vonë, çuan Aithalain në një fshat të zonës së Bet-Nuhadresë dhe përsëri i detyruan të krishterët e vendit që ta vrisnin me gurë. Vdiq i mbuluar nga një stivë gurësh. Ditët në vazhdim, një lule mërsine mbiu në vendin e ekzekutimit dhe për 5 vjet banorët e krahinës gjetën shërim nga tërë llojet e të këqijave.
Me martirizimin e shën Akepsimës, Josifit dhe Aithalait mori fund persekutimi që kishte nisur 40 vjet më parë, me ekzekutimin e shën Simeonit dhe të shokëve të tij.
* * * * *
– Hierodëshmor i ri Gjergji në Neapol –
I lindur në një fshat afër, ishte prift në Neapoli (Nevsehir) të Kapadokisë, në mes të Azisë së Vogël. Por u martirizua në fshatin Malakopeja, 29 km në jug. Malakopeja e historisë së Bizantit dhe epopeve të akritëve (ruajtësve të kufijve) tani quhet Derinkuju (turqisht do të thotë: pusi i thellë). Atje banonin shumë të krishterë përpara shkatërrimit të vitit 1922. Fshati dispononte një katakomb fantastik me një qytet të nëndheshëm kolosal dhe një labirint me shtrirje 4 km2 dhe 18 kate.
Pra, shenjtin, i cili ishte plak dhe shëndetlig, e ftuan më 1797 për të meshuar në Malakopejë, e cila kishte mbetur pa klerik, për arsye të persekutimit të egër të atëhershëm kundër të krishterëve. Ai nuk e mori parasysh rrezikun dhe u nis. Por para Malakopejës turq fanatikë e sulmuan, e vodhën, e zhveshën dhe i prenë kokën.
Pas katër ditësh të krishterë të fshehur nëpër shkretëtira e gjetën trupin e tij, i bënë shërbesën dhe e varrosën shpejt e shpejt atje në vend.
Më vonë, neapolitët e morën lipsanin e paprishur që binte erë miro, sipas nxitjes së hieromartirit, i cili iu shfaq në ëndërr një të veje shpresëtare dy herë derisa ajo u bind. Lipsani u vendos në shtëpinë e atë Vasilit, bashkëmeshtar i martirit të ri, më pas u vu në kishën ku bashkëmeshonin dhe, mbas ikjes së të krishterëve (1924), në kishën e shën Efstathit në Athinë. Bile gjatë lundrimit për në Greqi lipsani qetësoi furtunën.
Disa nga mrekullitë e shpeshta të bëra pas vdekjes së tij deri tani: I ndëshkoi me sëmundje të gjithë kryepleqtë, sepse kishin shpifur për papa Neofitin, të birin e papa Vasilit, sikur ai gjoja shfrytëzonte lipsanin e shenjtë, por ai i shëroi kur ata u penduan, sapo ai iu shfaq dhe i qortoi.
Një prift i Malakopejës, i cili mori fshehurazi një copë nga lipsani, u sëmur familjarisht dhe e ktheu atë i frikësuar, pasi u urdhërua nga shenjti në ëndërr.
Në periudhën e urisë (1903), vaji i kandilit të tij nuk mbarohej. Bëri të binte shi në një periudhë thatësire. Shëroi sterilitetin, lëngatën (dobësimin e përgjithshëm të organizmit), sëmundjet nervore dhe shumë lloje të tjera sëmundjesh.