Dëshmorët Sokrati e Theodhota

 

U martirizuan në kohën e perandorit Sevir II (222-225). Theodhota (greqisht do të thotë: e dhënë nga Perëndia), e cila ishte bijë e një familjeje të shquar aristokrate të Pontit (në veri të Azisë së Vogël), u tërhoq në një vend të veçuar për t’u ushtruar (asketuar), sepse dëshironte një jetë të lartë shpirtërore.

Por, u mor vesh se ajo ishte e krishterë dhe u kap nga sundimtari i Kapadhokisë. Nuk u tërhoq për asnjë çast nga besimi i saj, ndaj pësoi tortura. Atë e varën, ia çanë mishrat dhe e futën në furrë të ndezur, por mbeti e pacënuar nga flakët me ndihmën e Perëndisë.

Atëherë tirani e çoi në Bizant (qyteze, ku me pas u ngrit Konstandinopoja) e më pas në Angira (sot Ankara). Atje prifti Sokrat (greqisht do të thotë: me fuqi ose pushtet të plotë), i cili ishte i respektuar nga të krishterët për besimin dhe punën e tij të zjarrtë, u fut i vendosur në një panair të madh pagan dhe rrëzoi altarin me flijimet! E pagoi guximin e tij të befasishëm me prerjen e kokës.

Fund të njëllojtë pati edhe shenjtorja, meqë nuk u bind, që t’u bënte fli idhujve dhe të respektonte perënditë pagane. Ndoshta është e njëjtë me martiren Theodhota, që kremtohet më 17 shtator.

 

 

* * * *

Oshënar i Madh Ilarioni.

 

U lind në Palestinë në vitin 293, në fshatin Tabatha, afër Gazës. Prindërit e tij ishin paganë dhe e dërguan në Aleksandri të mësonte shkencat profane. Ky ishte një rast i mirë për të, që të zbulonte doktrinën madhështore të Ungjillit. Kishte dëgjuar të flitej për shën Andonin, fama e të cilit rrezatonte në tërë Egjiptin, prandaj Ilarioni vendosi të shkonte vetë ta takonte. Kur pa jetën engjëllore të Andonit, vendosi të qëndronte pranë tij, me dishepujt e tjerë të atit të murgjve.

Turmat e njerëzve që vraponin drejt shkretëtirës për të marrë bekimin e shenjtit e pengonin Andonin të shkrihej në lutje, ndaj vendosi të nisej drejt vetmisë absolute më në brendësi të shkretëtirës. I dha Ilarionit tunikën prej lëkure kali, i cili atëherë ishte vetëm 15 vjeç, dhe u nis që të ushtrohej me disa nxënës të tjerë në shkretëtirën e Majumasë, në krahinën e Gazës.

I vetëm në këtë vend të frikshëm e të shkretë, ku nuk banonte njeri, por përshkohej vetëm nga banditë e kusarë, Ilarioni ndërmori një luftë të ashpër me demonët. U përpoq të shkrinte vrullet e rinisë përmes kreshmës së ashpër: hante vetëm 15 fiq në ditë, pas perëndimit të diellit.

Gjatë ditës lutej dhe këndonte pa pushim psalme duke punuar tokën shterpë, që puna t’i bashkohej kreshmës, pa prodhuar diçka që mund të shitej dhe pastaj të lindte tundimi i koprracisë.

Djalli e sulmoi në kasollen e tij ashtu siç veproi edhe me shën Andonin. Iu shfaq në formë bishash të egra, u përpoq ta shqetësonte me zhurma tmerruese dhe të pashpjegueshme. Por e gjithë kjo ishte e kotë, sepse i riu i largonte me shenjën e kryqit dhe tallej me pafuqinë e të ligut.

Që nga mosha 16 vjeç e deri sa u bë 20, jetoi në kasolle me kallama kënete. Pastaj ngriti një kasolle të ulët, që i ngjante më tepër një varri, sesa një banese. Flinte përtokë, nuk lahej dhe flokët i priste një herë në vit, ditën e Pashkës. Nuk e lau kurrë thesin prej lëkure që Andoni ia kishte dhënë dhe nuk e ndërronte tunikën derisa të ronitej vetë. E dinte Shkrimin e Shenjtë përmendsh dhe e thoshte me zë të lartë. E recitonte me frikë sikur të qëndronte para Perëndisë.

Kur ishte 21 vjeç dhe deri sa u bë 27, tre vitet e para hante çdo ditë thjerrëza që kishin ndenjur në ujë të ftohtë për tri ditë, ndërsa në tre të tjerat, mjaftohej me bukë e kripë. Pastaj, deri në 30 vjeç u ushqye me bimë të egra, me 150 gr. bukë dhe pak bimë të ziera pa vaj. U sëmur dhe shikimi iu dobësua. Atëherë shtoi pak vaj dhe vazhdoi kështu deri në moshën 63 – vjeçare.

Pa se trupi i ishte dobësuar dhe mendoi se vdekja ishte e afërt, prandaj e dyfishoi zellin, si një i ri në moshë. Këtë ritëm ushqimi mbajti, duke mos e ndërprerë kurrë kreshmën, as ditët e festave, as në sëmundjet më të mëdha.

Betejat mbinjerëzore që ndërmori Ilarioni për hir të dashurisë për Perëndinë hapën zemrën për të marrë soditjen e mistereve qiellore dhe hiri ia përshkoi trupin e i dha pushtet të kryente mrekulli. Shëroi të sëmurë dhe nxori shumë frymë të papastra. Kur ishte ende 22 vjeç, në Palestinë, madje në Egjipt e Siri, ishte dëgjuar të flitej për të. Turma njerëzish vraponin që të jetonin pranë tij jetën engjëllore, pasi deri në atë kohë jeta murgërore nuk ishte shfaqur ende në Palestinë e Siri. Në këtë mënyrë, Ilarioni u bë për këto vende ashtu si shën Andoni për Egjiptin. Kishte letërkëmbim me Andonin.

Kur këtij të fundit i sillnin të sëmurë për t’i shëruar, ai u thoshte: “Përse lodheni që të vini deri këtu, kur më poshtë keni birin tim Ilarion?” Dy mijë ishte numri i atyre që i shkuan pas Ilarionit. Një herë në vit, në kohën e të vjelave të rrushit, Ilarioni vizitonte manastire. U sillte dishepujve ushqime për tërë vitin dhe gjente rastin t’i mblidhte bashkë.

Në moshën 63 – vjeçare vizitorët që i vinin nuk e lanë asnjë minutë të qetë. Me lot i kujtonte vitet që kishte kaluar në ushtrim, i panjohur nga të gjithë. Më shumë se dhjetë mijë njerëz donin ta ndiqnin që të mos e humbnin hirin që kishte shenjtori. Arriti t’i bindte që të ktheheshin, pranoi vetëm 40 dishepuj, të aftë për të përballuar udhëtimet e gjata me kreshmë të ashpra. Mësoi për vdekjen e shën Andonit dhe shkoi menjëherë në Egjipt, në vendet që kishte shenjtëruar Andoni.

Gjatë tre vjetëve (360-363) të tiranisë së Julian Apostatit, manastiri i të lumurit Ilarion afër Gazës u shkatërrua dhe murgjit u shpërndanë, ndërsa Ilarioni u strehua në Libi. Që andej lundroi për në Sicili me mendimin se do të gjente vetmi në këto zona ku ishte i panjohur.

I detyruar nga dashuria për njerëzit, dëboi demonët, shëroi të sëmurë dhe shumë u tërhoqën pas tij. U largua edhe një herë tjetër në një qytezë të Dalmacisë, zonë e banuar nga jo të krishterë. Dhe atje i ktheu në të krishterë banorët e asaj zone, si dhe ngordhi një përbindësh që i tmerronte ata. Iu largua nderimeve dhe u nis me një anije tregtare për në Qipro.

Me të mbërritur në ishull, të demonizuarit thërrisnin nga larg se kishte ardhur t’i dëbonte Ilarioni, shërbëtori i Jisu Krishtit. U detyrua të tërhiqej në një shpellë që nuk mund të shkoje, në majë të malit. Qëndroi atje 5 vjet. Herë pas here e vizitonte nxënësi i tij besnik, Isihi, dhe i sillte lajme nga Palestina.

Në moshën 80-vjeçare, tepër i dobësuar, Ilarioni u përgatit për largimin nga kjo botë. I mblodhi dishepujt dhe pothuajse gjysmë i vdekur u shtri e u tha: “Dil shpirt, nga se ke frikë? Dil, nga se ke frikë? I shërbeve Zotit për 70 vjet dhe tani e ke frikë vdekjen?” Si tha këto fjalë, dha shpirt. Dishepujt e varrosën me të gjitha nderet. Kohë më vonë, Isihi erdhi dhe e mori trupin e tij për ta transportuar në Palestinë.