– Ungjilli – Llukai 9:49-56.

 

Edhe Joani u përgjigj e tha: Mjeshtër, pamë një njeri që nxirrte demonë në emrin tënd; dhe e ndaluam, sepse nuk vjen pas bashkë me ne. Edhe Jisui i tha: Mos e ndaloni, sepse ai që s’është kundër nesh, është me ne.

Edhe ndodhi që kur po mbusheshin ditët e ngjitjes së tij në qiejt atëherë ai vuri syrin për të shkuar në Jerusalem. Edhe dërgoi lajmëtarë përpara tij, të cilët si shkuan, hynë në një fshat të samaritanëve, për të bërë gati vend për të. Edhe nuk e pritën atë, sepse ai ishte duke shkuar në Jerusalem.

Edhe nxënësit e tij Jakovi e Joani kur panë, thanë: Zot, a do që të themi të zbresë zjarr nga qielli dhe t’i shfarosë, siç bëri edhe Ilia? Po ai u kthye e i qortoi dhe tha: Ju nuk e dini të çfarë fryme jeni. Biri i njeriut nuk erdhi të humbë shpirtra njerëzish, por të shpëtojë. Edhe shkuan në tjetër fshat.