– Apostulli – 1 Korinthianëve 4:9-16.

 

Sepse më duket se Perëndia në apostujt na tregoi për më të fundit e njerëzve, si të dënuar me vdekje; sepse u bëmë lojë në botë, në engjëjt e në njerëzit. Ne jemi të marrë për Krishtin, e ju të mençur në Krishtin; ne të dobët, e ju të fortë; ju të lavdëruar, e ne të përçmuar.

Deri në këtë orë edhe uri kemi, edhe etje kemi, edhe të zhveshur jemi, edhe me shuplaka rrihemi, edhe endemi andej e këtej, edhe mundohemi duke punuar me duart tona; kur përqeshemi, bekojmë; kur ndiqemi, durojmë; kur shahemi, lutemi; u bëmë si të fshirat e botës, si mbeturinat e të gjithëve deri tani.

Nuk i shkruaj këto për t’ju turpëruar ju, por ju këshilloj si bij të mi të dashur. Sepse edhe sikur të keni dhjetë mijë mësues në Krishtin, po nuk keni shumë etër; sepse unë ju linda në Krishtin Jisu me anë të Ungjillit. Ju lutem juve pra të bëni siç bëj unë.