– Ungjilli – Llukai 7:17-30.
Edhe doli kjo fjalë për të nëpër gjithë Judenë, dhe nëpër gjithë vendet përreth. Edhe nxënësit e tij lajmëruan Joanin për gjithë këto. Edhe Joani thirri pranë dy veta nga nxënësit e tij e i dërgoi te Jisui, duke thënë: Ti je ai që ka për të ardhur, apo presim tjetër? Edhe njerëzit, si erdhën tek ai, thanë: Joan Pagëzori na ka dërguar tek ti, duke thënë: Ti je ai që ka për të ardhur, apo presim tjetër? Edhe në atë orë ai shëroi shumë veta nga sëmundjet e nga mundimet e nga frymët e liga, dhe shumë të verbërve u fali të parët. Edhe Jisui u përgjigj e u tha atyre: Shkoni e i jepni zë Joanit për gjithë sa patë e dëgjuat, se të verbër shohin, të çalë ecin, lebrozë pastrohen, të shurdhër dëgjojnë, të vdekur ngjallen, të varfër dëgjojnë lajmin e mirë. Edhe lum ai që nuk do të skandalizohet për mua.
Edhe pasi ikën ata që ishin dërguar nga Joani, zuri t’i thoshte turmës për Joanin: Ç’keni dalë të shihni në shkretëtirë? Kallam që tundet nga era? Po ç’keni dalë të shihni? Njeri të veshur me rroba të buta? Ja ata që janë veshur me rroba të ndritura e që rrojnë në kënaqësira tek janë nëpër dyert e mbretërve. Po ç’keni dalë të shihni? Profet? Po, ju them juve, edhe më tepër se profet. Ky është ai, për të cilin është shkruar: “Ja unë tek po dërgoj engjëllin tim përpara fytyrës tënde, ai do të ndreqë udhën tënde përpara teje”. Sepse po ju them juve, në mes atyre që kanë lindur prej grash asnjë nuk është më i madh se ai (Joan pagëzori); por më i vogli në mbretërinë e Perëndisë është më i madh se ai.
Edhe gjithë populli që dëgjuan atë dhe tagrambledhësit, njohën drejtësinë e Perëndisë, duke pagëzuar veten e tyre me pagëzimin e Joanit. Po Farisenjtë dhe mësuesit e ligjit e hodhën tej prej vetes së tyre vullnetin e Perëndisë, sepse nuk u pagëzuan prej tij.