Hierodëhmor Dionis Areopagjiti e Shën Damara
Shën Dionisi jetonte në Athinë në kohën e apostujve. Vinte nga një familje e pasur e fisnike dhe kishte fituar urtësi e virtyt përmes shkencës pagane, aq sa ishte zgjedhur si një prej nëntë këshilltarëve të Areopagut, gjykata e lartë dhe parlamenti i qytetit. Kur apostull Pavli, i udhëhequr nga Fryma e Shenjtë, erdhi në Athinë të shpallte lajmin e mirë të shpëtimit, ishte Dionisi ai që e ftoi të fliste në Areopag.
Lart nga ky shkëmb që ngrihet në mes të qytetit, endësi i tendave hodhi poshtë sofizmat e filozofëve dhe zbuloi qartë tek athinasit “…Perëndinë e Panjohur. Atë, pra, që nuk e njihni dhe e adhuroni, këtë po ju tregoj unë juve. Perëndia që bëri botën dhe gjithë sa janë në të, ky, duke qenë Zot i qiellit e i dheut, nuk rri në tempuj të bërë me dorë, as nuk shërbehet nga duar njerëzish, si të ketë nevojë për ndonjë gjë, sepse ai u jep të gjithëve jetë dhe shpirt dhe gjithçka” (Vep. 17:23-25). Ai shpalli se njeriu është bërë sipas ikonës së Perëndisë dhe është thirrur të marrë pjesë në vetë jetën hyjnore që është te Jisu Krishti, Biri i Tij, i Cili u mishërua, u ngjall së vdekurish dhe do të kthehet të gjykojë botën.
Shumica e atyre që dëgjuan të flitej për ngjalljen e të vdekurve, të errësuar në mendje nga paragjykimet e dijes njerëzore, u tallën me shën Pavlin. Megjithatë, disa burra u prekën nga fjalët e tij për jetën e përjetshme, ndër ta edhe Dionisi. Duke dëgjuar të flitej për pësimin e Krishtit dhe të torturave që shoqëruan vdekjen e tij, i urti Dionis u kujtua se shumë vite më parë, atëherë kur ndodhej në Heliopolis në Egjipt me disa të urtë të tjerë, kishte qenë i pranishëm në një eklips të diellit, i cili i sfidoi të gjitha ligjet e astronomisë; atëherë thirri: “Ose Perëndia vuan, ose është fundi i botës!”. Tashmë të përgatitur për të njohur Atë që kur do, i përmbys ligjet e natyrës, Dionisi dhe mësuesi i tij, Ierotheu, dëgjuan të etur mësimin e apostull Pavlit dhe i kërkuan t’i pagëzonte.
Pas disa kohësh, Pavli u nis për sprova të reja, duke lënë Ierotheun si episkop të Athinës. Si një shqiponjë që mund ta shikojë ballë për ballë shkëlqimin e diellit, Ierotheu depërtoi në misteret hyjnore, por la pak gjëra të shkruara. Preferonte më shumë t’i tregonte gojarisht dhe pa u ndjerë nxënësit të tij, Dionisit, soditjet, të pamundura për t’u shprehur me fjalë, që Perëndia i zbulonte.
Kur Ierotheu ndërroi jetë, në vend të tij erdhi Dionisi, i cili mori nga Perëndia pushtetin të zbulonte me shkrim mësimet madhështore të mësuesve të tij mbi pafundësinë e pashpjegueshme të natyrës hyjnore së cilës i përshtaten vetëm shprehjet mohuese të teologjisë apofatike (teologjia e të kundërtës afirmative) dhe mbi pasurinë e pashtershme të zbulimit përmes Emrave dhe Energjive të tij (teologjia afirmative ose katafatike). Ai përshkroi se bota e ndjeshme (që kuptohet me anë të shqisave) dhe bota e kuptueshme (që kuptohet me anë të intelektit të ndriçuar) janë bashkuar te Perëndia në një hierarki shumë të rregullt.
Ai shpjegoi se si hierarkia e Kishës nga episkopi deri te murgu riprodhon mbi tokë nëntë urdhrat engjëllorë dhe shpërndan te secili dritën hyjnore sipas shkallës së pastrimit të gjithsecilit. Disa e akuzuan se kishte marrë gjuhën e filozofëve neoplatonianë, por Kisha Orthodhokse, e shkëlqyer nga rrezet e ndritshme të mësimit të tij, sa për të, beson se vetë ata e kanë huazuar gjuhën e tij; por pa arritur të tregojnë, si bëri Dionisi i urtë, se Perëndia që është përtej çdo emri dhe qenieje dhe që banon në “errësirën që është më e ndritshme se sa drita vetë”, u shfaq në mish që ne të marrim pjesë në dritën e Tij.
Dionisi arriti në një shkallë kaq të lartë të soditjes, saqë u bë i denjë të numërohej në rrethin e apostujve dhe u transportua mistikisht në Jerusalem për të marrë pjesë në varrimin e Nënës së Zotit. Kur u kthye pas disa kohësh në Athinë, u përpoq të kthente paganët dhe ta drejtonte me urtësi grigjën e tij shpirtërore. Rreth fundit të mbretërimit të Neronit (+68), ai shkoi në Romë për të përshkruar misionet e tij te shën Pavli. Mori pjesë në martirizimin e tij dhe u nis sërish për në Greqi. U kthye në Romë në kohën kur ishte papë shën Klementi, dhe me urdhër të këtij të fundit, u nis me dishepujt e tij, prifti Rustik dhe dhjaku Elefter, për të ungjillëzuar galët. Pasi e shpallën Fjalën e së vërtetës në shumë vende, Dionisi qëndroi në Paris, vend ende i vogël në atë kohë, i zhytur në errësirën e padijes dhe të paganizmit. Atje ndërtoi një kishë të vogël, ku celebronte Misteret e shenjta dhe shpallte madhështitë e Perëndisë, si dhe kreu mrekulli të panumërta.
Për një kohë të shkurtër, pranë tij u mblodhën dishepuj të tjerë dhe nga aty u nisën të predikonin nga Britania e Madhe deri në Spanjë. Fama e shën Dionisit nxiti xhelozinë e djallit, i cili i vuri në vesh perandorit Dometian (rreth 96), që ky episkop grek predikonte një Perëndi të ri, dhe donte të shkaktonte rrëmujë e revoltë kundër autoritetit të tij. Më kot u përpoqën të bindnin Dionisin dhe shokët e tij që të mohonin Perëndinë, sepse për ta ishte gëzim të vuanin e të vdisnin për Krishtin, madje ndjenë një hare të madhe kur mësuan se do t’ua prisnin kokat. Perëndia nuk i dha episkopit të shenjtë vetëm hirin për të njohur dhe mësuar të vërtetën, por donte t’i tregonte përmes martirizimit të tij, se nëpërmjet besimit të krishterët e kanë mundur vdekjen.
Kur i prenë kokën shën Dionisit, për çudinë e të gjithëve, ai u ngrit, e mori kokën në duar dhe shkoi dy milje larg, derisa takoi një grua të virtytshme me emrin Katula dhe ia dorëzoi asaj. Koka e tij e çmuar tashmë nderohet në manastirin e Dhohiariut në Malin Athos, që kur u dhurua nga perandori Aleks Komnini (shek. 11).