– Apostulli – Veprat e Apostujve 9:10-18.
Edhe ishte në Damask një nxënës që quhej Anania, edhe Zoti i tha në ëndërr: Anania. Edhe ai tha: Ja ku jam, Zot. Edhe Zoti i tha: Ngrihu e shko në rrugën që quhet e Drejtë, edhe kërko në shtëpinë e Judës një Tarsiot që quhet Saul; sepse ja tek po lutet, edhe ka parë në ëndërr një njeri që quhet Anania, se hyri dhe vuri dorën mbi të, që t’i vijnë sytë përsëri.
Atëherë Anania u përgjigj: Kam dëgjuar prej shumë vetash për këtë njeri, sa të këqija u bëri shenjtëve të tu në Jerusalem. Edhe këtu ka pushtet nga kryepriftërinjtë të lidhë të gjithë ata që thërresin në emrin tënd.
Po Zoti i tha: Shko, se ky më është një enë e zgjedhur për të mbajtur emrin tim përpara kombeve e mbretërve, edhe bijve të Izraelit. Sepse unë do t’i tregoj atij sa duhet të pësojë për emrin tim.
Edhe Anania shkoi e hyri në shtëpi; edhe si vuri duart mbi të, tha: Saul vëlla, Zoti më ka dërguar, Jisui që t’u shfaq udhës, kur ishe duke ardhur, që të të hapen sytë përsëri, edhe të mbushesh me Frymë të Shenjtë. Edhe përnjëherë ranë nga sytë e tij diçka si luspa, edhe i erdhën sytë menjëherë; edhe u ngrit e u pagëzua.