Mbrojtja e Hyjlindëses Mari

 

Festa e Mbrojtjes së shenjtë të së Tërëshenjtës, Nënës së Perëndisë u caktua nga një vizion që pati shën Andrea i marrë më Krishtin (28 maj), kur kremtonte një vigjilje në kishën e Vllahernës, në Konstandinopojë. Në orën e katërt të natës, tek po lutej nxehtësisht, shenjti ngriti sytë në qiell dhe pa Hyjlindësen të lartësuar mbi kishë, e cila me mandilin e saj mbulonte të gjithë besimtarët. Ajo hyri në Shenjtërore, hapi kutinë që mbante shaminë e çmuar të Mbretëreshës së botës dhe më këmbë, para Dyerve të Bukura e shtriu mbi turmën e njerëzve. Mandili ishte kaq i madh, sa mbulonte tërë besimtarët dhe qëndronte në ajër nga një fuqi e mistershme. Atëherë Hyjlindësja u ngrit lart në qiej e shoqëruar nga një shkëlqim i fortë e i shndritshëm dhe u zhduk duke i lënë popullit të krishterë mandilin e saj të shenjtë si garanci të mbrojtjes së saj mirëdashëse.

Këtë mbrojtje Hyjlindësja e dëfteu edhe shumë herë të tjera për qytetin perandorak, si edhe për gjithë Kishën e Krishtit, Jerusalemin qiellor. Në të vërtetë, kudo dhe mbi të gjithë, e Tërëshenjta shtrin mandilin e saj mistikisht mbi të krishterët, duke lutur Birin e saj dhe Zotin për shpëtimin e botës.

* * * * *

– Oshënar Joan Kukuzeli nga Durrësi –

Shenjtor, himnograf, mjeshtër dhe teoricien i muzikës kishtare bizantine Shumë janë ata që kanë shkruar për të – historianë, filologë, muzikologë – nga Lindja e nga Perëndimi, të huaj e vendas. Për të janë shkruar shumë më tepër nga çdo kompozitor kishtar.

Veprat e tij, në dorëshkrime, janë thesare të shek. XIV. Por ne do të përpiqemi, që me këtë përshkrim të shkurtër biografik të tij, duke përmendur pak edhe prej veprës së madhe muzikore, ta kujtojmë këtë personalitet të shquar nga Durrësi në përvjetorin e vdekjes së tij në 1 tetor.

Joani, lindi në Durrës, një qytet-port kozmopolitan, në atë kohë nën zotërimin bizantin, në shek. XII (sipas disa studiuesve) ose në fund shek. XIII (rreth 1270, sipas disa studiuesve të tjerë). I ati i vdiq kur ishte shumë i vogël, kështu që nëna e tij u mor me edukimin e tij, duke ia besuar mësuesve më të mirë të asaj kohe. Ai u dallua për një zgjuarsi të rrallë, për zërin engjëllor dhe për aftësitë e mëdha muzikore.

Duket që, për shkak të atij zëri, e dërguan në Konstandinopojë, në kryeqytetin e perandorisë, për të studiuar dhe kënduar në oborrin perandorak. Duke parë talentin e tij të madh dhe përparimin e habitshëm në muzikë, e emëruan drejtues të veprimtarive muzikore të kryeqytetit, duke i dhënë titullin Mjeshtër, titull që në atë kohë ishte shumë i rëndësishëm.

Muzika luante një rol të veçantë në Konstandinopojë, kështu që Joani u bë një anëtar i oborrit perandorak dhe favorit i vetë perandorit. Për zërin e tij të mahnitshëm e quajtën “zë engjëllor”. Kur ai këndonte atje, në kishën e Shën Sofisë, mblidheshin të gjithë për ta dëgjuar dhe të prekur nga ai zë, fillonin të qanin me ngashërim.

Por, ndërsa ishte favorit i perandorit dhe i nderuar nga të gjithë, zemra e tij nuk ishte e gëzuar. Shpirti i tij dëshironte një jetë asketike kushtuar tërësisht Zotit, ndërsa jeta në oborr me tërë tundimet dhe lavditë, e pengonte të bënte një jetë shpirtërore. Madje mbreti ngaqë e donte shumë donte që ta martonte me vajzën e një fisniku.

Djaloshi i ri vendosi të largohej fshehurazi. Kështu, i veshur si një bari i varfër, u largua dhe shkoi në Manastirin e Lavrës së Madhe në Malin Athos (Ágjion Óros ose Malin e Shenjtë). Atje kërkoi të pranohej në jetën murgjërore. Askush nuk e njihte Joanin dhe nuk e identifikonte këtë bari me artistin e madh të kryeqytetit, ndonëse fama e tij kishte arritur edhe në Malin e Shenjtë.

Një ditë, kur kulloste dhitë në një vend të shkretë, duke menduar se ishte vetëm, filloi të këndonte një himn kushtuar Hyjlindëses Mari, me zë më të lartë se zakonisht. Por një asket (murg që banon në vetmi) që banonte aty pranë e dëgjoi dhe i mahnitur nga bukuria e këndimit dhe e melodisë, madje duke parë edhe kafshët që nuk kullotnin, por shijonin të magjepsura, shkoi tek igumeni i Lavrës së Madhe, i cili edhe e thirri bariun dhe e detyroi të thoshte të vërtetën. Joani iu lut që të rrinte në manastir e të mos ta dorëzonte tek perandori, sepse donte më shumë jetën murgjërore, sesa jetën e oborrit.

Igumeni e urdhëroi që ta linte punën e bariut dhe të merrte drejtimin e korit të kishës qendrore të manastirit. Joani u bind. Por në të njëjtën kohë, igumeni i cili nuk donte të ishte në kundërshtim me urdhrat e perandorit, u nis për në Konstandinopojë për ta takuar, që t’i kërkonte falje për Joanin.

Monarku donte që të gjithë të përuleshin para vullnetit hyjnor dhe e urdhëroi igumenin që Joani të lihej i lirë dhe të vendoste vetë se çfarë do të bënte. Igumeni plot gëzim u kthye në manastir dhe i dha lajmin e gëzuar Joanit dhe vëllezërve të manastirit.

Ai vazhdoi jetën e tij asketike (të ushtrimit shpirtëror) më shumë se më parë. U vendos në një shtëpi dedikuar Kryeengjëjve të Shenjtë, pranë manastirit, duke praktikuar agjërimin, pendimin dhe lutjen e pandërprerë. Pjesën tjetër të jetës e kaloi duke i kënduar këngë e lavde Zotit dhe Hyjlindëses Mari, si edhe duke kompozuar shumë pjesë muzikore kishtare, që kanë lënë gjurmë të thella në traditën e krishterë orthodhokse.

Tepër e njohur është mrekullia kur iu shfaq Shën Maria Hyjlindëse duke e shpërblyer me një monedhë floriri për himnet e tij të mrekullueshme, ku edhe sot në kishëzën për nder të tij, ndodhet edhe ikona “Shën Maria e Kukuzelit” (Kukuzélisa).

E mësoi ditën e vdekjes, shumë kohë më parë, prandaj kur iu afrua, Joani mblodhi të gjithë vëllezërit, iu kërkoi ndjesë dhe i porositi që ta varrosnin në shtëpinë e Kryeengjëjve të Shenjtë, aty ku rrinte. Ndërroi jetë më 1 tetor.

Joani sistemoi dhe riformoi meloditë më të vjetra, kompozoi tërësi veprash origjinale të famshme, kryesisht “mësime të ngadalta për zëra të bukur” (kalifonik), në mënyrën tradicionale.

Pothuajse të gjitha u përkthyen nga shkrimi i vjetër muzikor në shkrimin muzikor të kohës së tij. Shkrim muzikor, i cili do të qëndrojë në përdorim për disa shekuj deri në shkrimin e ri muzikor të Krisanthit (mitropolit i Durrësit) dhe Hurmuzit, në fillim të shek. XIX.

Aftësia dhe ofrimi i tij psaltik (i mënyrës të të kënduarit kishtar) është krejtësisht një art kishtar bizantin në një fazë të zhvillimit të Artit Psaltik, të cilin e nisi mësuesi i tij Protopsalt (Kënduesi i Parë) Joan Glikis. Joan Kukuzeli konsiderohet “burimi i dytë” i Muzikës Kishtare Bizantine, pas Joan Damaskinit.

Jemi në kohën kur kompozitori himnograf është zëvendësuar nga kompozitori që është njëkohësisht psalt (këndues). Është epoka e mjeshtërve të mëdhenj, përfaqësuesi më i shquar i të cilëve është vetë Kukuzeli. Në këtë periudhë, kjo muzikë arrin kulmin e artit të madh. Në të njëjtën kohë krijohen kompozimet e lira, me iso.

Kukuzeli kompozoi melodi për shumë shërbesa kishtare:

A) Shërbesa të Përditshme:

– Mbrëmësore: “Me të hapur dorën…” (tek Psalmi 103 [104]); “Lum njeriu…” (Ps. 1, 2, 3); Vargje kalifonike; Tinguj që psalen në Hyrjen e Mbrëmësores; Paravargje tingullit Tërthor II, Tërthor IV.

– Mëngjesore: Polielei “Shërbëtorë të Zotit…”, “Lavdëroni Zotin…”; Vargje kalifonike; Andifone; “Çdo frymë le të lavdërojë Zotin…” tingulli I dhe Tërthor IV; Madhështime tingulli IV; Psalmi 118 [119].

– Liturgji Hyjnore: Himnin Trishenjtor “Shenjt Perëndi…” tingull II; “Aliluia” tingulli Tërthor I, “Aliluia” të kremteve të mëdha; Himne Qeruvike: “Ne që simbolizojmë…” tingulli Tërthor II, “Tani fuqitë…” tingulli Tërthor II; “Ti meriton me të vërtetë…” tingulli Tërthor II; Madhështime në të kremte të mëdha; Kungatore: “Lavdëroni Zotin…” tingulli Tërthor I, “Shijoni dhe shihni…” tingulli Tërthor I.

B.) Shtëpitë e Himnit Akathist (Gjatë Pashkës):
“Përlufteshës gjenerale…”, “Fuqia e të Lartit…”, “Engjëlli u dërgua…” etj.

C) Mësime Muzikore:
“Që lartazi profetët…” tingulli i Rëndë dhe Tërthor II; Mësime vargjesh; Fjalët e para të tropareve Përshëmbëllta dhe të Njëzëshme; Mbi 40 mësime në vargje 15-rrokësh etj.

Ç) Mbajtja Iso (Shoqërimi Me Iso):
Mbajtje iso në 8 tinguj, ku disa kanë edhe emërtime karakteristike.

D) Metoda Të Të Psalurit:
Metoda e vendosjes së shenjave muzikore bizantine: Mega Ison, Ison, Oligon, Oksia; Metoda e Mbajtjes iso; Këndimi i shenjave muzikore, pa tekst, që quhet “Këndimi i urtë i shenjave” njihet si “Sistemi rrethor i Kukuzelit (Trohója)”.

Veprat e tij muzikore, dorëshkrime, gjenden të shkruara në greqisht pothuajse deri në shek. XVI, por ka edhe disa kodikë të mëvonshëm jo të plotë që janë të shkruar edhe në bullgarisht.

Kisha Orthodhokse në mbarë botën e nderon këtë figurë si shenjtor të saj dhe kujtimin e tij e feston çdo 1 tetor.

Joan Kukuzeli është pikturuar si kompozitor dhe si shenjtor në mjaft miniatura dorëshkrimesh, në afreske dhe piktura murale kishash si edhe në ikona druri. Ikona më e hershme gjendet në kodikun 457 të Manastirit Kutlumusi (Mali i Shenjtë) (shek. XIV). Ikona të tij janë pikturuar në manastirin e tij në Malin e Shenjtë, në Shqipëri (p.sh. në Manastirin e Ardenicës, Lushnje etj.), në Greqi, Bullgari, Serbi, Rusi, Gjermani etj.

Gjithashtu janë ngritur mjaft kore kishtare që mbajnë emrin e tij në botë.

Edhe në vendin tonë, në Tiranë, nga Kisha jonë, u krijua kori bizantin “Shën Joan Kukuzeli” në vitin 1998 e vazhdon deri më sot, me përkushtim e profesionalizëm. Së fundmi në 2012, po në Tiranë, u ngrit edhe një shkollë për formimin profesional të psaltëve.

Edhe qytetarët durrsakë janë krenarë për këtë figurë të lartë të muzikës kishtare, e kujtojnë kontributin e madh e të çmuar që ky bir i Durrësit ka dhënë si artist dhe shpresëtar, si një shembull historik për shoqërinë e sotme durrsake e më gjerë.

Çdo vit, më 1 Tetor, Kisha Orthodhokse e nderon dhe kremton kujtimin dhe veprën e tij me Meshë Hyjnore.

Kontributi i tij muzikor është nderuar edhe nga kultura qytetare e vendlindjes, Durrësi, duke i dhënë emrin e tij, Shkolla e Mesme Artistike ‘Jan Kukuzeli’.

 

* * * * *

– Oshënar Roman Melodisti –

Vinte nga Emesa e Sirisë dhe u bë dhjak i Kishës së Bejrutit (Beritës). Gjatë mbretërimit të perandorit Anastasi I (496) qëndroi në Konstandinopojë. Megjithëse shkëlqente nga virtytet dhe ishte besnik i çdo shërbese në kishën e Nënës së Zotit në Kir, me të cilën ishte i lidhur, Romanoi kishte nga Perëndia një zë jo fort të mirë për t’i psalur lavdërime Krijuesit ashtu si dëshironte.

Një herë, kur shkoi në kishën e Vllahernës për të marrë pjesë në vigjiljen e Krishtlindjeve, iu shfaq Hyjlindësja duke mbajtur në dorë një pergamenë të mbështjellë dhe ia dha shenjtit ta hante. Sa filloi ta hajë, një ëmbëlsi e pashpjegueshme mbushi gojën e tij dhe, teksa ngjitej në amvonë, filloi dalëngadalë të psalte me zë engjëllor Shkurtoren që edhe sot e këndojmë: “Virgjëresha lindi sot, të përmbiqenëshmen Fjalë”.

E ruajti këtë dhuratë gjatë gjithë jetës. I frymëzuar nga Shpirti i Shenjtë, kompozoi himne madhështore për një pjesë të madhe të festave të vitit liturgjik. Më shumë se një mijë shkurtore i përkasin krijimtarisë së shën Romanoit, ndër të cilat, më e famshmja, Akathisti i Hyjlindëses.

Fjeti në paqe për t’u bashkuar me korin e engjëjve (pas 555).

—————————-

Ikonë e shën Joan Kukuzelit, shek. XVIII, në manastirin e Ardenicës (Lushnjë).