Hierodëshmor Grigori, Ndriçues i Armenisë
Shën Grigori lindi rreth vitit 240. Ishte biri i Anak Parthit, i afërm me mbretin e Armenisë Khosrov, i cili u vra nga Anaku, me urdhër të mbretit pers Ardashir. Si ndëshkim i këtij krimi e gjithë familja e Anakut u ekzekutua, përveç Grigorit dhe njërit prej vëllezërve të tij, ende fëmijë, dhe që mërguan në Qesari të Kapadokisë. Falë këtij dëbimi në territorin romak, Grigori u njoh me dogmat e shenjta të të krishterëve dhe u pagëzua.
Tiridati, një nga bijtë e mbretit të vrarë nga Anaku, ishte dëbuar gjithashtu nga mbreti i persëve për në Qesari. Kur Grigori e mësoi këtë, u vu në shërbim të tij pa i zbuluar se nga ishte. Kohë më vonë, Tiridati hipi përsëri në fronin e Armenisë falë romakëve, si falënderim i një shërbimi të madh që i kishte bërë perandorisë. Në vend që të njihte dorën mirëbërëse të të vetmit Perëndi krijues dhe bamirës të universit, Tiridati u bë zelltar fanatik i kultit të idhujve. Duke e përçmuar atë që i kishte shërbyer në ditët e vështira gjatë mërgimit, mbreti u tërbua kundër Grigorit, i cili nuk donte të mohonte Krishtin. E dha në një sërë torturash të përgjakshme, sa vetëm imagjinata e demonit mund t’i sugjeronte. E varën në trekëmbësh dhe e fshikulluan për ditë të tëra, ia thyen kockat e këmbëve duke ia shtrënguar në morsa. E detyruan të vraponte me gozhdë të ngulura nën këmbë. Ia lyen kokën me ngjitës dhe ia lidhën në një thes me hi përvëlues, si dhe të tjera tortura që s’mund të numërohen. Por i pajisur me armatimin e besës, Grigori qëndronte i pamposhtur dhe falënderonte Perëndinë që e kishte bërë të denjë të vuante për emrin e Tij. Kur Tiridati mësoi se Grigori ishte biri i vrasësit të të atit, e dyfishoi tërbimin. E hodhi shenjtin në një gropë plot me gjarpërinj dhe me tërë llojet e kafshëve helmuese pranë malit Ararat. Grigori qëndroi atje për 15 vjet, i ushqyer fshehtazi nga një vejushë.
Tiridati u çmend pas martirizimit të shën Ripsimës(Ripsimit) dhe shokëve të saj, dhe shkoi të rrinte me derrat duke ecur me të katër gjymtyrët e duke ngrënë mishin e vet. E motra, Khosroviduç, mësoi përmes një ëndrre se mbreti mund të shërohej me ndërmjetimin e shën Grigorit. E nxorën nga gropa atletin e Krishtit, që, për habinë e të gjithëve, u shfaq i fuqishëm dhe shëndetplotë. E shëroi mbretin dhe e bindi të bëhej i krishterë për të shpëtuar shpirtin nga dënimet e përjetshme, më të trembshme se ato që hoqi në çmendurinë e tij. Tiridati dhe e motra e ndihmuan me duart e tyre shenjtin në ndërtimin e kishës për nder të shën Ripsimës dhe të shoqeve të saj, që mbreti i kishte ekzekutuar.
Grigori pagëzoi mbretin dhe njerëzit e tij të shquar në lumin Eufrat (rreth 290). Priftërinjtë idhujtarë shkatërruan me duart e veta tempujt dhe pas marrjes së pagëzimit dhe vënies së dorës së Grigorit, u bënë priftërinj të Perëndisë së Tërëlartë, dhe për një kohë të shkurtër Armenia u mbulua nga kisha; kudo kumbonte jehona e himneve hyjnore.
Si përhapi paqen në Armeni dhe rrethinat fqinje, shën Grigori u tërhoq bashkë me disa nga dishepujt e tij në vetminë e një shpelle, duke ngrënë një herë në dyzet ditë e duke qenë në komunikim të vazhdueshëm me Perëndinë. Si ngushëllim, një nga dy bijtë që kishte që i ri, Aristakun, e caktoi kryepiskop të Armenisë së Madhe. Ky mori pjesë në Sinodin e Nikeas (325) dhe e pasoi denjësisht veprën e atit të tij. Grigori fjeti në paqe më 325, për të shijuar përjetësisht dritën e Trinisë së Shenjtë, prej së cilës kishte shpërndarë rrezet te populli i tij.
* * * * *
Dëshmoret Ripsima, Gajana etj
Shën Ripsima jetoi nën mbretërimin e Dioklecianit (rreth 290). Një ditë kur perandori e pa, i magjepsur nga bukuria e saj ra në dashuri dhe donte të martohej me të. Por shenjtorja dëshironte mbi gjithçka t’i përkushtohej Krishtit, prandaj u fsheh dhe shkoi pranë Gajanës, e cila ishte larguar nga persekutimet e asaj kohe dhe ishte strehuar në një nga shpellat pranë qytetit Ararat në Armeni.
Diokleciani mësoi se ku ishte fshehur dhe i shkroi mbretit të Armenisë, Tiridati, që t’ia dërgonte Ripsimën, por mbreti vetë, u dashurua me të dhe bëri të pamundurën që ajo ta pranonte. E mori në pallatin e tij. Gajana e nxiste të qëndronte e fortë deri në fund. I tërbuar nga qëndrimi i Ripsimës, mbreti ia theu dhëmbët me gurë dhe e dërgoi në një vend të largët, por nuk i shpëtoi tërbimit të tij, ia prenë gjuhën e ia dogjën trupin me pishtarë të ndezur.
Ia shpuan barkun me shkopinj e ia nxorën sytë. Më në fund e dorëzoi frymën e saj kur ia prenë trupin copa-copa. Kështu shkoi tek Dhëndri qiellor, për të Cilin kishte ruajtur deri në fund virgjërinë e saj. Së bashku me të ekzekutuan edhe 70 të krishterë të tjerë.
Më vonë, kur 32 shoqërueset e saj erdhën për të marrë trupin, edhe atyre ua prenë kokat. Gajanës dhe dy prej nxënëseve të saj, pasi vuajtën shumë mundime, ua prenë kokat. Për nder të këtyre martireve të shenjta, shën Grigori Ndriçuesi i Armenisë ndërtoi tri kisha me ndihmën e mbretit, i cili më pas u pendua.