– Ungjilli – Llukai 6:31-36.

 

Edhe siç doni t’ju bëjnë juve njerëzit, edhe ju bëjuni atyre po ashtu. Edhe nëse doni ata që ju duan, çfarë hiri keni ju? Sepse edhe mëkatarët duan ata që i duan. Edhe nëse u bëni mirë atyre që ju bëjnë mirë juve, çfarë hiri keni ju? Sepse edhe mëkatarët po atë bëjnë.

Edhe nëse u jepni hua atyre, prej të cilëve shpresoni t’i merrni prapë, çfarë hiri keni ju? Sepse edhe mëkatarët u japin hua mëkatarëve, që t’i marrin prapë po aq.

Por duajini armiqtë tuaj, edhe bëni mirë, edhe jepni hua, pa pasur më ndonjë shpresë; edhe paga juaj do të jetë e shumtë, edhe do të jeni bijtë e të Lartit; sepse ai është i mirë me mosmirënjohësit dhe me të ligjtë. Bëhuni pra të dhembshur, sikurse dhe ati juaj është i dhembshur.