E Diela II e Llukait, Pse duhet të falim dhe të duam armiqtë tanë, nga Mitropoliti iApollonisë & Fierit, H. Nikolla; 29.09.2024 (Tekst)

 

Ishte mbrëmje kur një person troket në derën manastirit ku jetonte shën Dionisi i Zakinthit. Ai i kërkon shenjtorit ta ndihmonte të fshihej pasi po kërkohej nga policia. Kur u pyet nga shenjtorise çfarë kishte bërë, ai i tregon se kishte vrarë filan person pa e ditur se ai që kishte vrarë ishte vëllai i të shenjtit. Sigurisht, shenjtori jo vetëm nuk e tradhëtoi dhe  nuk e dorëzoi në polici, por e fshehu dhe më pas do ta ndihmonte të largohej nga ishulli, si edhe do t’i jepte akoma disa të holla për të nisur një jetë të re. Mësojmë se ky person i prekur nga dashuria e tij më pas vendos që  ti përkushtojë jetën e tij duke u bërë murg.

Të falësh armikun tëndë siç bëri shenjtori në këtë rast nuk është gjë e lehtë, përkundrazi  është shumë e vështirë. Ne e dimë se sa të vështirë e kemi të kërkojmë falje edhe kur e kemi gabim,  mendoni sa e vështirë është të falim dikë që me të vërtet na ka bërë keq, që na ka lënduar. Është një proçes i gjatë dhe shumë i vështirë.

Akoma dhe vet Zoti ynë Jisu Krisht e shpalli te populli i Tij, siç e dëgjuam në pjesën e  Ungjillit të sotëm që  na thotë “të duam armiqtë tanë”, pas një proçesi të gjatë edukimi që Perëndia  kishte bërë te populli i Tij i zgjedhur. Ja le të kujtojmë disa gjëra. Që në kohën kur Perëndia iu shfaq Moisiut i dha Atij  porositë që do çonte popullin e Izraelit në Tokën e Premtuar  I dha disa porosi dhe ligje.  Një nga porosit dhe ligjet që i dha Moisiut ishin: “Kur të shkoni të pushtonin Tokën e Premtuar duhet ti vrisnin të gjithë burra, gra, fëmijë madje akoma edhe kafshët duhet ti vrisnin.” Pse? Sepse Perëndia e dinte siç i tha dhe Moisit se nëse do të lejonte dhe një shpirt  të vetëm të jetonte nga ai popull,  ai do  të bëhesh një  tundim që  të kthente Izraelitët te perënditë e kombeve, te perënditë pagane. Po në vazhdimësi e kultivon popullin duke i thënë,  ti kur do të luftosh ndaj një populli tjetër ose dëshiron të pushtosh një qytet tjetër që nuk është në territorin tënd  ti së pari do t’i afrosh atij paqe.  Do ti kërkosh që të dorëzohet  dhe nëse ai pranon  të dorëzohet ti nuk do të vrasësh asnjë nga banorët e qytetit por vetëm do t’i kërkosh të paguajnë taksën e nënshtrimit. Nëse ata nuk pranojnë të  dorëzohen atëherë  do të shkosh ta pushtosh atë qytet, por nuk do të vrasësh as gratë e as fëmijët por vetëm burrat.

Kalojmë një shkallë tjetër që edukon popullin e Tij Perëndia. Ndërsa  thotë për të gjithë padrejtësitë që do të keni brenda popullit tend, brenda vllezërve do t’i zgjidhni këto padrejtësi në bazë të ligjit të drejtësisë. Dhe është e famshme ajo thënia “sy për sy e dhëmb për dhëmb”.  Domethënë vëllain tuaj izraelit do ta gjykoni me drejtësi, do ta gjykoni dhe dënoni  me masën e fajit që ka bërë jo më tepër se faji që ka bërë. Nëse ka vjedhur një qingj do ta dënoni për fajin e një qingji jo të një kopeje të tërë. Dhe kemi plot raste në vazhdimësi ku profetë të shumtë e  këshillojnë popullin e Perëndisë si të ruajnë këto porosira. Si ata të përgatiten të tregohen të mëshirshëm ndaj kundërshtarëve të tyre, ndaj armiqëve të tyre.

Dhe vjen pastaj Zoti që i mëson ata që janë parapërgatitur për këtë gjë dhe i tregon një shkallë shumë të lartë shpirtërore atë që të falin e të duan edhe armiqtë tanë.

Por dikush do të thotë pse duhet unë të fal dhe të dua armikun tim? Një nga arsyet kryesore për të cilat ne duhet të falim dhe të duam armiqtë është sepse na urdhëron Perëndia, sepse është një porosi e Perëndisë.  Ne dimë sa  të vyera dhe të çmuara janë testamentet dhe porositë që na lënë prindërit tanë dhe përpiqemi që ato porosi t’i ruajmë  dhe t’i zbatojmë. Sa më e shtrenjtë dhe më e çmuar është kur Perëndia ynë, Ati ynë i dashur, Perëndia që ne besojmë dhe që duam.

E dyta pse ne duhet të falim dhe të duam armiqtë tanë, është sepse ne vazhdimisht i kërkojmë Perëndisë  falje për  mëkatet tona. Ne me mëkatet tona jemi bërë armiq të Perëndisë dhe Perëndia vazhdimisht na falë dhe ne vazhdimisht i kërkojmë falje Perëndisë. Dhe jo vetëm  kërkojmë falje, por dhe i themi falna fajet tona sikurse dhe ne ua falim fajtorëve tanë. E pohojmë e themi, në fakt shumë herë e thëna me atë që bëjmë, besojmë dhe veprojmë me të vërtetë është larg këtyre fjalëve. Zemra është shumë larg të falë armikun e saj.

Dhe e fundit pse ne duhet të falim armiqtë tanë është se ne e dimë që Perëndia është Perëndi i dashurisë. Sepse ne e dimë që Ai është shembulli i jetës tonë. Ne  përpiqemi të imitojmë Krishtin në jetën tonë. Prandaj quhemi të krishterë se përpiqemi në jetën tonë të imitojmë dhe ti ngjajmë Krishtit. Edhe Krishti na dha këtë shembull të faljes së armiqëve. Kujtojmë që në momentin më të vështirë atje mbi kryq  Ai tha “o Atë fali ata, fali se nuk dinë çfarë bëjnë.” Kështu veproi Krishti, dhe  këtë shembull ndoqën edhe shenjtorët. Kujtojmë shën Stefanin kujtojmë, shën Dionisin që thamë pak më parë dhe shumë shenjtorë të tjerë!

Kështu duhet të veprojmë edhe ne, nëse me të vërtetë të dashur besimtarë duam që ta quajmë dhe konsiderojmë veten bijë të Perëndisë, atëherë duhet të përpiqemi me gjithë zemër të falim armiqtë tanë. Le ti kërkojmë Zotit hirin e Tij që në këtë proçes të vështirë të faljes të armiqëve të na forcojë që ta përmbushim edhe ne këtë porosi të Perëndisë. Amin!