– Profeti Varuk. Omologjet Haritoni. Alkisoni i Nikopojës. Viaçeslavi në Çeki.-
Profeti i shenjtë Varuk ishte dishepulli dhe sekretari i profetit Jeremia. Dashuria e thellë i kishte lidhur kaq shumë të dy, sa fjala e tij ishte vetë fryma e gojës së Jeremias. Të dy ishin si një shpirt i vetëm në dy trupa, sepse i njëjti dhe i vetmi Shpirt i Shenjtë i frymëzonte. Gjatë marrjes së Jerusalemit nga Nabukodonosori (578 para Krishtit), Varuku u arratis në Egjipt bashkë me Jeremian, dhe që atje u nis për në Babiloni me të mërguarit e qytetit të shenjtë. Kur populli u kthye në Palestinë, ai nuk u shfaq më, por u mbyll në një shpellë për të vajtuar mëkatet e Izraelit. Fjeti në paqe pak kohë pas vdekjes së Jeremias.
Në librin e tij për robërinë e Babilonisë, Varuku ka profetizuar shumë qartë ardhjen në mish të Perëndisë tonë dhe Zotit Jisu Krisht. Ndër të tjera shkruan: “Ai është Perëndia ynë, dhe askush nuk është i krahasueshëm me të. Ai gjeti tërë udhët e urtësisë dhe ia dha Jakovit, shërbëtorit të tij dhe Izraelit të tij shumë të dashur. Pas kësaj, ai u shfaq në tokë dhe foli me njerëzit” (Varuk 3.36-38).
* * * *
– Omologjet Haritoni –
Shën Haritoni u lind dhe u rrit në Ikonium, në Azinë e Vogël, në kohën e sundimit të perandorit Aurelian (270-276). Në fillim të perandorisë së tij, pasuesi i këtij të fundit, Diokleciani, nuk ishte armiqësor me të krishterët, por i shtyrë nga djalli, ai bëri të shpërthente një persekutim i dhunshëm kundër atyre që thërrisnin emrin e Krishtit (304). Meqenëse Haritoni ishte i njohur në Ikonium për devotshmërinë dhe virtytin e tij, e kapën ushtarët dhe e nxorën para konsullit.
E rrëfeu pa frikë Krishtin dhe dënoi idhujt, por e kapën, e shtrinë përdhe, e rrahën saqë mishi i tij u bë fërtele. E futën në burg dhe disa ditë më vonë e nxorën para gjyqit. U çlirua nga burgu dhe u strehua në Egjipt derisa Konstandini i Madh të dekretonte fundin e persekutimeve dhe ta njihte zyrtarisht besimin e krishterë. Duke mbajtur në trup plagët e Pësimeve të Krishtit, që atëherë, i çliruar nga kërcënimi i martirizimit, ndoqi me zell udhën e imitimit të Krishtit nëpërmjet asketizmit dhe ashpërsisë së jetës. Vuajtjeve të vullnetshme që i shkaktonte trupit për ta nënshtruar dhe që t’i bindej ligjit të Frymës, i shtoheshin edhe sprovat e pavullnetshme.
Një ditë, kur shkonte për në Jerusalem u ndesh me një bandë hajdutësh, të cilët e kamxhikuan dhe e shpunë në shpellën e tyre. Por ata u ndëshkuan nga gjykimi hyjnor. Vdiqën pasi pinë verë, ku një nepërkë kishte pështyrë helmin. Haritoni, i vetëm tashmë, shpëtoi mrekullisht dhe u bë trashëgimtar i gjërave të vjedhura që kishin grumbulluar kusarët. Këtë pasuri ia shpërndau të varfërve dhe e dha për ndërtimin e kishave për lavdi të Perëndisë. Vetë qëndroi në atë shpellë pranë vendit të quajtur Faran, që të ushtrohej.
Atje ai tërhoqi në besim shumë jobesimtarë, të cilët kërkuan të ndiqnin jetën engjëllore. Por, duke parë se kjo prurje e largonte nga vetmia e tij e shtrenjtë, u nis për në një shpellë më të largët, duke lënë në krye të bashkësisë së Faranit dishepullin e tij më të mirë. Ai i porositi bijtë e tij shpirtërorë të ruanin me korrektesë vetëpërmbajtjen në ushqim dhe gjumë, të luteshin natën ashtu si ditën në orët që i kishte mësuar dhe të mikprisnin të varfrin dhe të huajin si vetë Krishtin. U tërhoq në malin Dukas, në rrethinat e Jerikosë, por dhe atje nuk mundi të jetonte i vetëm me Perëndinë; të shumtë ishin dishepujt që i erdhën pranë, ndaj dhe shenjti u detyrua të ndërtonte një Lavër të dytë dhe të ikte sërish në një vend tjetër më të humbur që quhej Thekue. U vendos me disa nxënës të tij në një Lavër të tretë, që me emrin sirian u quajt Suka (“manastir”) ose “Lavra e Vjetër”. Asgjë s’e ndali ardhjen e dishepujve të rinj dhe të paganëve që vraponin për t’u mëkuar me mjaltin e fjalëve të tij dhe për të parë këtë ikonë të gjallë të Krishtit.
Kështu pra, Haritoni, i cili dëshironte nga kjo botë ëmbëlsinë dhe bashkimin me Perëndinë në vetmi, u tërhoq mbi Lavër, në një shpellë ku hyje me vështirësi, atje mund të ngjiteshe vetëm me shkallë. Në shpellë ndenji për vite me radhë, duke pirë nga burimi që Perëndia, me lutjen e shenjtit, e kishte nxjerrë atje. Duke qenë se Perëndia i kishte zbuluar datën e fjetjes së tij që më përpara, Haritoni u rikthye në Lavrën e tij të parë në Faran. Atje la një testament shpirtëror, në të cilin tregonte udhën e sigurt për të arritur në bashkimin me Perëndinë: asketizmi (ushtrimi) bashkë me përulësinë dhe dashuria për të gjithë. Pasi e përmbushi mësimin e tij të fundit, u shtri mbi shtrat dhe fjeti qetësisht për t’u bashkuar me korin e engjëjve dhe të shenjtorëve.
* * * *
Martiri I Shenjtë Viaçeslav (Vinkeslav), Mbret i Çekëve
Viaçeslavi ishte nipi i shën Ludmillës. Me gjithë dinjitetin e tij të lartë, jetoi në besim sipas shembullit të asketëve të mëdhenj. I afirmoi popullit të tij besimin orthodhoks, dhe vigjiloi që asnjë i pafajshëm të mos dënohej nga oborret mbretërore. Nga zelli për besimin te Krishti dhe nga dashuria për të afërmin Vinkeslasi bleu fëmijë paganë të shitur si skllevër, i pagëzoi e u dha edukim të krishterë. Përktheu në gjuhën çeke Ungjillin sipas Joanit. Ai transferoi gjithashtu edhe lipsanet e shën Vitit dhe shën Ludmillës në Pragë. Vëllai i tij, Boleslavi, e ftoi në pallat dhe e vrau. Menjëherë kur pushtetin e mori Boleslavi, ai solli klerikë nga Gjermania në Bohemi dhe futi latinishten në shërbesa. Shën Viaçeslavin e vranë më 935 dhe lipsani i tij gjendet në Pragë.
Post Views: 572