– Apostujt Aristarku, Zinoni, Marku nga të 70-t. –

 

Marku, i quajtur edhe Joan, përmendet nga shën Llukai te Veprat e Apostujve (Vep. 12.12). Ai u dorëzua episkop i Vivlos dhe u tregua punëtor i zellshëm i Ungjillit. Ishte kaq i afërt me Perëndinë, sa mjaftonte hija e tij që të shëronte të sëmurët.

Aristarku bënte pjesë te të Shtatëdhjetët. Përmendet dyherë nga shën Pavli në Letrat e tij (Kol. 4.10; Filem. 23). Ai u shfaq si një Joan Pagëzor i dytë, sepse, njëlloj si ai, ushqehej me bimë, mjaltë dhe filiza pemësh, gjithashtu vishej me një tunikë të thjeshtë prej lëkure. U bë episkopi i Apamisë në Siri dhe ktheu në besim dhe te njohja e së vërtetës tërë paganët e qytetit.

Zinoni (Zinai) ishte juristi për të cilin flet shën Pavli në letrën e tij drejtuar Titit (Tit. 3.13). Shën Petroja e bëri episkop të Laodikesë (Diospolis). Duke qenë enë e Shpirtit të Shenjtë për nga virtytet, çliroi shumë veta nga skllavëria e idhujtarisë.

Pasi e udhëhoqën në paqe grigjën shpirtërore dhe bënë që të jepte fryt dhuntia që u kishte besuar Perëndia, këta tre apostuj u bashkuan me Zotin për t’u gëzuar përjetësisht me gëzimin dhe lumturinë e Tij.

 

* * * *

– Dëshmor Kalistrati –

 

Shën Kalistrati jetoi gjatë mbretërimit të Dioklecianit (288). Vinte nga Kartagjena, nga një familje e krishterë.

Që kur një prej të parëve të tij kishte parë vetë mrekullitë që kryente Krishti, kishte ardhur në atdhe për t’i kthyer të vetët. Kalistrati shërbente si ushtar në legjionin e “Kalendëve”, i cili u nis për Romë. Duke qenë i vetmi i krishterë, ai u denoncua nga shokët te gjenerali Persentinus. Pasi e morën në pyetje, e shtrinë përdhe dhe e goditën kafshërisht. E detyruan të pinte një legen me ujë, duke i futur një hinkë në gojë. E lidhën në një thes dhe e hodhën në det. Por, nga përkujdesja e Perëndisë, thesi u gris dhe dy delfinë e nxorën në breg. Kur e panë këtë mrekulli dyzet e nëntë ushtarët e tjerë, u penduan që e kishin dorëzuar Kalistratin dhe i besuan Krishtit. Edhe ata i torturuan dhe i burgosën. Në burg Kalistrati u mësonte dogmat e shenjta të mishërimit të Krishtit, mbi Gjykimin e Fundit dhe shpërblimin e premtuar ushtarëve besnikë nga Jisu Krishti.

Të nesërmen, ata u torturuan përsëri dhe u dënuan të hidheshin lidhur këmbë e duar në një pishinë të thellë. Kalistrati iu lut Perëndisë që kjo banjë të bëhej për ata një pagëzim i shenjtë. Sa i zhytën, litarët u zgjidhën dhe ata dolën nga pishina me rroba të shndritshme, ndërsa një kurorë dukej mbi kokën e Kalistratit dhe një zë u dëgjua nga qielli, duke u dhënë zemër shenjtit dhe shokëve të tij se do të vinin në banesat e përjetshme që u ishin përgatitur. Me zërin e tij, një idhull që gjendej jo larg prej andej, ra dhe u bë hi, duke sjellë kthimin e 135 ushtarëve të tjerë. Nga frika se mos ktheheshin më të tjerë në besim nëpërmjet mrekullive që bënin, gjenerali ua preu kokën shenjtorëve natën në burg. Lipsanet e 135 të sapokthyerve i varrosën perëndishëm dhe në atë vend, për nder të tyre, ndërtuan një kishë.

* * * *

– Dëshmore e re Akilina –

Shën Akilina vinte nga një fshat afër Selanikut. Ishte ende foshnjë kur babai i saj u grind një ditë me një fqinjë turk. U rrahën dhe duke mos dashur e vrau turkun. Nuk mund të shpëtonte nga duart e tyre, vetëm nëse mohonte besimin e tij dhe kthehej në Islam, por edhe të kthente të bijën kur të rritej.

Nëna e Akilinës ishte shumë e perëndishme dhe e edukoi të bijën me dashuri për Perëndinë. Kur vajza mbushi 18 vjet, i ati i propozoi të bëhej myslimane, por e lumtura ishte gati të vuante gjithçka për dashurinë e Krishtit. I frikësuar edhe për veten e tij, i ati e dorëzoi të bijën në duart e turqve dhe u tha të bënin me të çfarë të donin. Asgjë nuk mundi ta mposhte vajzën, asnjë lajkë apo premtim.

E veshur me një tunikë të rreckosur u godit pa mëshirë me shkopinj nga barbarët. Vdiq nga torturat. Kur trupin e saj e çuan për ta varrosur, i gjithë vendi u mbush nga një erë e mirë. Dhe po atë natë, një dritë e shkëlqyer doli nga varri i saj.