Sofia e vajzat dëshmore: Besa, Shpresa, Dashuria
Këto martire të shenjta banonin në Itali, në mbretërimin e Adrianit (117-138). Ato e kishin prejardhjen nga një familje e pasur dhe e devotshme. Nëna e tyre, Sofia, i rriti në besim, shpresë dhe dashuri, sipas emrave që u kishte dhënë. Për jetën e tyre të admirueshme dëgjoi edhe perandori, i cili, kur mësoi se ato ndodheshin në Romë, dërgoi ushtarët që t’ia sillnin. Pa moshën e tyre të njomë dhe u habit kur vuri re qëndrueshmërinë e madhe të besimit dhe duke menduar se ato rezistonin kundër tij sepse i jepnin forcë njëra-tjetrës, ai mori në pyetje secilën më vete.
Besa, (Pisti), që ishte 12 vjeçe, doli e para përpara tij. Ajo i hodhi poshtë me trimëri fjalët mikluese të tiranit dhe foli me përbuzje kundër veprimeve të tij shumë të dhunshme e komploteve të kota kundër të krishterëve. Perandori i tërbuar dha urdhër t’ia grisnin rrobat e ta rrihnin pa mëshirë dhe t’i shkulnin gjinjtë, prej të cilëve nuk doli gjak, po qumësht. Torturat e tjera që ajo duroi nuk sollën ndonjë ndryshim, sepse e mbronte fuqia e Perëndisë. Kur torturuesit u bënë gati t’i prisnin kokën, Sofia, nëna e saj, i dha zemër që ta pranonte vdekjen me guxim, sepse me anë të saj do të bashkohej me Krishtin.
Shpresa (Elpisi), që ishte 10 vjeçe, u soll e dyta përpara perandorit. Pasi e pohoi Krishtin me guxim të madh dhe me forcë njësoj si e motra, e rrahën dhe e hodhën në një furrë të ndezur, por zjarri nuk e cenoi, sepse përbrenda saj digjej zjarri i dashurisë për Perëndinë, që është më i fortë se çdo lloj zjarri tjetër i lëndët. Duroi dhe shumë tortura të tjera. Dha shpirt pasi i prenë kryet me shpatë, duke lavdëruar Perëndinë.
Dashuria, (Agapi), motra e tretë, u soll përpara perandorit i cili ishte tërbuar fare nga zemërimi. Ajo ishte vetëm 9 vjeçe, por kishte të njëjtën qëndresë dhe kurajë si motrat e saj. E varën në trekëmbësh dhe e lidhën aq fort me zinxhirë, sa iu çanë ijët nga vargonjtë. Pas kësaj e hodhën në një furrë të ndezur, ku e shpëtoi një engjëll, dhe në fund fare iu pre koka edhe asaj.
Sofia u ngazëllua në frymë kur pa vajzat e saj të shkonin në mënyrë kaq të lavdishme drejt banesave të qiellit, por e mbingarkuar nga hidhërimi njerëzor, disa ditë më vonë, ajo dha shpirtin te Perëndia, mbi varrin e tyre.
* * * * *
Dëshmore Agathoklia
Kjo shenjtore ishte shërbëtorja e një farë Nikolle dhe e gruas së tij, një çift pagan i pabesë, që për tetë vjet me radhë, tentuan me të gjitha llojet e torturave ta detyronin Agathoklinë të hiqte dorë nga Krishti. Herë e godisnin në zverk me gurë të mëdhenj, herë e detyronin të ecte këmbëzbathur në rrugë të pashtruara e të vështira. Herë të tjera, ia shponin ijët me një gjilpërë hekuri ose i digjnin gjuhën.
Por asgjë nuk arriti dot të trondiste shenjtoren. Përfundimisht ia dogjën fytin, duke i dhënë kështu mundësinë të bashkohej me Dhëndrin e saj shumë të dashur, të Cilin e kishte pritur dhe dëshiruar me aq shumë durim.