Dëshmor Nikita Goti
Shën Nikita lindi në mbretërimin e Konstandinit të Madh (viti 330), në krahinën pranë derdhjes së Danubit. Ai ishte got nga origjina, por falë përkujdesjes së prindërve të tij të përshpirtshëm dhe mësimeve të marra nga episkopi i atij vendi, Theofili (që shkëlqeu në Sinodin e Nikesë për mbrojtjen e Orthodhoksisë), u rrit në besim, në dashurinë e Perëndisë dhe me zellin për të kthyer në besim bashkëkombësit e tij. Pasi studioi letrat greke, ai ishte i pari që shkroi gjuhën e Gotëve dhe që përktheu Shkrimin e Shenjtë.
Populli i Gotëve atëherë ishte i ndarë në dy grupime, armiq midis tyre. I pari kishte në krye Fritigjenin dhe tjetri Athanarikun, që ishte me të vërtetë çnjerëzor dhe i pabesë.
Fritigjeni, duke mos arritur dot ta mposhtte, siguroi aleancën e perandorit romak, Valensit, i cili i dërgoi një legjion që i zmbrapsi ushtritë e Athanarikut me simbolin e Kryqit në flamurët e tij. Por pak kohë më vonë, Athanariku mori përsëri pushtetin dhe me mllef ndaj të krishterëve nisi një persekutim shumë të ashpër kundër tyre.
Nikita ishte ndër të parët që u arrestua, sepse fama e tij si predikues i palodhur i Ungjillit ishte e njohur ndër të gjithë. E teksa ai refuzonte të mohonte Krishtin, e torturuan keq, por pa rezultat. Ai e pohonte më me forcë besimin dhe dashurinë e tij për Shpëtimtarin. Më në fund atë e hodhën në zjarr dhe kështu e dha shpirtin e tij te Perëndia, duke marrë kurorën e fitores. Lipsanet e tij të shenjta u zbuluan në mënyrë të mrekullueshme pas shumë vitesh, nga shfaqja e një ylli. Ato u transferuan në Mopsueste dhe pastaj në Venecia.
* * * * *
Oshënar Visarioni i Larisës
Visarioni II lindi në fshatin e “Dyerve të Mëdha” që ndodhet në Greqi midis krahinave të Maqedonisë dhe Thesalisë. Ai u rrit në besim dhe që në moshën 16 – vjeçare u pushtua nga një dashuri e madhe për jetën murgërore. Ai jetoi për shumë kohë pranë Markut, episkopit të Larisës, duke treguar në të gjitha gjërat bindje dhe nënshtrim shembullor ndaj atit të tij shpirtëror.
Me anë të bindjes, ai fitoi përulësinë, nënën e të gjitha virtyteve dhe mundi të kalonte pa rrezik për shpirtin e tij të gjitha shkallët e hierarkisë kishtare. U bë episkop i Elasonës dhe i Domenikës, megjithatë ai nuk u pranua si i tillë dhe u dëbua sakaq nga populli, nga njëra anë si rrjedhojë e zilisë djallëzore, dhe nga ana tjetër, sepse grigja e kësaj dioqeze nuk donte të ishte e varur nga kryepiskopi i Larisës, i cili e kishte dorëzuar klerik dhe e kishte dërguar shenjtorin. Pa u zemëruar aspak me grigjën e tij shpirtërore, Visarioni e pa këtë mospranim si një rast për të gjetur sa më shumë paqe, ndaj qëndroi kështu për disa kohë pranë atit të tij shpirtëror, Makarit, për të mjekuar sëmundjet e shpirtit dhe të trupit të banorëve të Larisës.
Katër vjet më vonë, i lumuri u caktua në fronin e Stagesit, por përsëri ndodhi i njëjti fenomen si më parë. Ai vuajti jashtë mase për shkak të kësaj dhe u detyrua të largohet për hir të një njeriu të quajtur Domet. Me fjetjen e Markut, ai u bë kryepiskop i Larisës. Nuk u mor vetëm me nevojat shpirtërore të besimtarëve, por u dha ndihmë të madhe të gjithë nevojtarëve. Në këtë mënyrë organizoi dhe drejtoi punimet për ndërtimin e një ure, që askush më parë nuk kishte guxuar ta bënte dhe që dëshmon deri në ditët tona veprën e shenjtorit. Është ky shën Visarion, që ndërtoi në krahinën e tij manastirin e Dusikonit, i cili u zmadhua më tepër nga pasardhësit e tij.
Pasi e qeverisi më së miri grigjën e tij shpirtërore dhe u tregua i duruar në sprova e i përulur në të gjitha sipërmarrjet e tij, i lumuri Visarion fjeti në Zotin në moshën 50-vjeçare. Lipsani i tij i nderuar shëron të gjithë ata që i afrohen me besim e shpresë edhe sot e kësaj dite.