– Profeti Moisi –

 

Moisiu lindi në Egjipt, nga fisi i Levit, në kohën kur hebrenjtë ishin ende në skllavëri dhe kur Faraoni dha urdhër për të vrarë tërë fëmijët meshkuj, sepse kishte frikë rritjen dhe prosperitetin e judenjve, të cilët paraardhësit e tij i kishin mirëpritur në Egjipt për shkak të mirënjohjes që ndienin për Josifin. Nëna e Moisiut, e kishte të pamundur të vriste vetë foshnjën e saj, prandaj e vuri në një kosh dhe e hodhi në lumin Nil, duke besuar se Perëndia do të përkujdesej për të. Bija e Faraonit e gjeti dhe e quajti Moisi, që do të thotë “i shpëtuar nga ujërat”. Ajo e rriti si djalin e saj, kështu që ai arriti të fitojë tërë njohurinë dhe urtësinë e Egjiptianëve.

Kur ishte dyzet vjeç, Moisiu vrau një egjiptian që e gjeti duke rrahur një hebre dhe iu desh të shkonte në Midian. Atje u martua me Sepforën, vajzën e Jothorit, priftit të Midianit. Ajo i lindi një djalë, që ai e quajti Gershom, që do të thotë “unë jam i huaj në një vend të huaj”. I tillë ishte Moisiu, larg njerëzve të tij, duke kullotur bagëtinë e të vjehrrit në mes të shkretëtirës ose maleve, duke u përgatitur në këtë mënyrë që të bëhej edhe bariu i grigjës shpirtërore të Zotit, me anë të pastrimit të zemrës dhe shpirtit të tij me anë të lutjes dhe meditimit të vazhdueshëm mbi veprat e mrekullueshme të Perëndisë.

Një ditë Perëndia iu shfaq Moisiut, aq larg sa është e mundur për një njeri që ta shikojë Atë. Ai e kishte çuar tufën e tij në malin e Sinait (Horeb). Atje pa një shkurre që po digjej me një dritë më të shkëlqyeshme sesa ajo e diellit, e megjithatë shkurrja nuk po konsumohej nga zjarri. Këtu Moisiu pa të paratreguar misterin e madh të Zënies virgjërore të Shpëtimtarit tonë dhe të shfaqjes së Tij në mish.

Pasi kaloi dyzet vjet në Midian, Perëndia e dërgoi Moisiun përsëri në Egjipt që të çlironte bijtë e Izraelit nga shtypja e Faraonit dhe Aaronin, vëllain e tij, ndihmës, meqë Moisiu ishte i ngadaltë në të folur dhe kishte frikë se populli nuk do të dëgjonte. Por Faraoni e ngurtësoi zemrën e tij kundër judenjve, që përdoreshin si skllevër në veprat e tij ndërtuese dhe refuzoi t’i linte ata të largoheshin. Atëherë Perëndia e goditi Egjiptin me anë të dorës së Moisiut me dhjetë plagë të frikshme. Ai i ktheu të tëra ujërat e Egjiptit në gjak, dërgoi bretkosat që e mbuluan mbarë vendin, madje hynë deri në dhomën e gjumit të Faraonit dhe e ktheu tërë pluhurin në morra.

Atëherë, meqë Faraoni nuk donte ende ta linte popullin të ikte, Ai dërgoi një re mizash, një sëmundje që vrau tërë bagëtinë dhe shkaktoi flluska në lëkurën e njerëzve, të cilat qelbëzoheshin më pas e që i mundonin. Ai bëri që të bjerë mbi tokën e përzierë me zjarr një breshër i madh, që nuk ishte parë ndonjëherë, dërgoi një ushtri të madhe karkalecash që hëngri çdo gjë të gjelbër dhe e mbuloi Egjiptin me errësirë për tri ditë.

Më në fund, një mesnatë, Zoti i vrau të gjithë të parëlindurit e vendit, nga i parëlinduri i Faraonit deri tek ai i shërbyesve të tij dhe të parëlindurit e bagëtive (shih Eks. 12:29). Në këtë mënyrë fuqia e Perëndisë e mposhti ligësinë e Faraonit: ai i la hebrenjtë të largohen dhe ata morën me vete një pasuri të madhe nga Egjiptianët. Me anë të fjalës së Moisiut Perëndia e ndau Detin e Kuq më dysh, që populli të kalonte në dhé të fortë dhe kur kjo ndodhi, ujërat u kthyen duke mbuluar ushtrinë e Faraonit që u ishte vënë prapa në ndjekje.

Për dyzet vjet, Moisiu e udhëhoqi popullin në shkretëtirë, ku ata u mësuan dhe u vunë në provë, që të përgatiteshin për trashëgimin e Vendit të Premtuar. Perëndia nuk e hoqi kurrë dashamirësinë e Tij prej tyre, por i duroi shkeljet dhe pabesitë e tyre të panumërta falë lutjeve të zjarrta të shërbëtorit të Tij Moisi, që duke parafiguruar Mesinë, Ndërmjetuesin e vetëm, i thërriste Perëndisë: “Harro mëkatin e tyre dhe nëse jo, hiqmë mua që të lus Ty, nga libri Yt që Ti e ke shkruar” (Eks. 32.32). Zoti e tregoi mirësinë e tij duke bërë shumë mrekulli në shkretëtirë. Kur populli u ankua se ishte i uritur, Ai bëri të bjerë manna nga qielli aq sa ata dëshironin (Eksodi. 16). Ai i ëmbëlsoi ujërat e Merasë (Eks. 15). Ai ecte përpara tyre në formën e një reje dhe natën si një zjarr që ndriçonte (Eks. 15.21) u dha fitoren mbi Amalekun dhe mbi fiset e tjera të shkretëtirës.

Kur ata mbërritën në Sina, Perëndia e urdhëroi Moisiun të shkonte në majë të malit dhe i zbuloi veten në mes të një reje të frikshme dhe një trumbetar në zërin e lartë. I gjithë Mali lëshonte tym e gjëmonte frikshëm. Atëherë Moisiut i foli Perëndia si njeriu i flet mikut të tij (Eks. 33.11) dhe Perëndia iu përgjigj në gjëmim. Gjatë këtij zbulimi të tmerrshëm të lavdisë së Perëndisë, Perëndia i mësoi shërbëtorit të Tij të gjitha mësimet dhe urdhëresat e ligjit të Tij të shenjtë. Moisiu qëndroi në mal me Perëndinë për dyzet ditë e dyzet net, duke marrë mësime për çdo gjë të nevojshme për drejtësinë dhe njohurinë hyjnore, duke marrë urdhra të detajuar për ndërtimin e shenjtërores tokësore, dhe për adhurimin që duhet t’i ofrohet Bërësit të të gjithave, deri në kohën kur do të vinte në mish (1 Tim. 3.16).

Kur i mori këto zbulesa hyjnore brenda një errësire më të ndritshme sesa drita e kësaj bote, Moisiu zbriti poshtë malit bashkë me Ligjin që ishte gdhendur nga Perëndia në dy pllaka guri. Drita hyjnore ishte derdhur brenda zemrës së tij, duke e përmbushur plot atë dhe duke e ndriçuar fytyrën e tij me një shkëlqim, që populli, i painiciuar në misteret e Perëndisë, nuk arrinte dot ta shikonte. Kështu që Moisiu u detyrua të mbajë një vel në fytyrë kur fliste me popullin. Por, me gjithë këto shenja dhe mrekulli, judenjtë lanë Perëndinë dhe ranë në idhujtari, ndërsa Moisiu nuk reshti kurrë së ndërmjetuari për ta. Mëshira e tij për ata ishte aq e madhe saqë në Meriva, ku populli nuk kishte ujë për të pirë, ai pati disa ngurrime në ndihmën e Perëndisë dhe foli pa u menduar (Ps. 105.33).

Meqë populli kishte dyshuar shumë në premtimet hyjnore, Perëndia e informoi Moisiun që as ai dhe as gjenerata që kishte dalë nga Egjipti, nuk do të hynte në tokën e premtuar të mbushur plot me qumësht dhe mjaltë. Kështu, kur Moisiu ishte 120 vjeç dhe hebrenjtë po bëheshin gati të futeshin në dheun e Kanaanit, Zoti i tha të shkojë në malin Avarim dhe të shikonte së largu atë tokë ku Ai kishte sjellë bijtë e Izraelit pas aq shumë mundimesh. Moisiu ndërroi jetë dhe u varros aty, por nuk dihet saktësisht vendi i varrit të tij.

 

* * * * *

– Oshënare Hermiona, Bija e Apostull Filipit –

 

Shën Hermiona ishte një nga katër vajzat e apostull Filipit, dhjakonit (11 tetor). Sipas asaj që thuhet në veprat e apostujve (Veprat 21:8), ato ishin të gjitha virgjëresha dhe profetizonin. Hermiona dhe motra e saj, Eftihia, u nisën të takojnë shën Joan Theologun në Efes, por ai ishte marrë në qiejt kur ato mbërritën aty, kështu që ndoqën dishepullin e tij, shën Petronin. Hermiona e njihte shkencën e mjekësisë, por ajo dinte edhe të shëronte shpirtrat e shumë vetave që vinin tek ajo. Fama e saj si profeteshë dhe mrekullibërëse arriti deri te perandori Trajan (Pas Kr. 114). Hermionën e çuan para gjykatës së tij dhe ajo nuk pranoi të mohojë Krishtin. Për këtë arsye nisën ta godasin në fytyrë dhe kur e panë se ajo duronte me vetëmohim goditjet e tyre dhe ishte e gëzuar, sepse pa Krishtin të ulur në mes të gjykatës, në pamjen e atit të saj shpirtëror Petroni, u dorëzuan. Ajo profetizoi se perandori do të fitonte mbi persët dhe se nipi i tij Adriani do të merrte pushtetin pas vdekjes së tij, siç ndodhi edhe në të vërtetë, pak vite me vonë (Pas. Kr 117).

Adriani, kur u bë perandor, dëgjoi për famën e saj dhe e thirri përpara gjykatës. Kur e pyeti se çfarë moshe kishte dhe cili ishte atdheu i saj, ajo u përgjigj me fjalët: “Krishti im e di moshën dhe atdheun tim”. Ky guxim në të folur nuk i pëlqeu aspak perandorit. Ajo u rrah egërsisht me kamxhik, por falënderonte përsëri Perëndinë që e denjësoi të vuante për hir të Tij dhe thoshte vargje psalmesh. Kaq e fortë ishte shpresa e saj në premtimin që u është bërë atyre që kanë luftuar luftën e besimit deri në vdekje, saqë ajo nuk ndiente kurrfarë dhimbje, duke e zemëruar tej mase perandorin.

Në çastin kur ekzekutorët e saj ngritën shpatën për t’i prerë kokën, një paralizë u bllokoi duart. Por ashtu si Perëndia tregon mëshirë për të mirët dhe për të këqijtë, në të njëjtën mënyrë Shën Hermiona i shëroi ata me anë të lutjes, dhe ata besuan në Krishtin. Kështu, pasi iu shmang tërë kurtheve të të Ligut, Shën Hermiona ia dorëzoi në paqe shpirtin e saj Perëndisë dhe u varros në Efes.