– Hierodëshmor Anthimi i Nikomedisë –

Ishte episkop i Nikomedisë (Bitini, Azi e Vogël), kur me urdhër të perandorit Maksimian (288), iu vu flaka kishës që të vdisnin atje brenda 20 mijë të krishterë. Ai ishte në krye të këtyre besimtarëve. Perëndia e shpëtoi nga vdekja dhe ai u strehua në malet përreth. U kap rob pak kohë më vonë dhe e nxorën para Maksimianit. Anthimi rrëfeu besimin te Krishti. Atëherë iu nënshtrua torturave mizore: e goditën me shkopinj, i veshën sandale bronzi të nxehta dhe e detyruan të ecte.

Në fund e lidhën me një rrotë që ia priste gjymtyrët, ndërsa xhelatët ia dogjën trupin me pishtarë. Por qëndroi i pathyeshëm i fuqizuar nga hiri hyjnor. I profetizoi perandorit Maksimian fundin e afërt të perandorisë pagane dhe triumfin e krishterimit. I tërbuar nga durimi që tregoi shenjti, shqeu mantelin e tij të purpurt dhe dha urdhër t’ia prisnin kokën. Megjithëse Anthimi u largua nga kjo jetë, në kokën e tij të prerë mbinë flokë, një mrekulli e vërtetë.

* * * * *

– Oshënar Theoktisti –

Qysh në moshë të re, ati ynë, Theoktisti, la prindërit dhe vendlindjen për të shkuar në Vendet e Shenjta pranë Jerusalemit, që t’ia kushtonte veten plotësisht Perëndisë. Pasi u fal në Kishën e Ngjalljes dhe nderoi Kryqin e Nderuar, ai u tërhoq në Lavrën e Faranit, gjashtë milje nga Jerusalemi, ku u fut në një qeli të ngushtë, për të luftuar kundër pasioneve dhe demonëve.

Në të njëjtën kohë, Efthimi la atdheun e tij, Armeninë dhe erdhi të banonte në lavër. Ai e nxiti Theoktistin në përpjekjen e tij asketike dhe ata u bënë, shumë shpejt, miq në Zotin. Dashuria e tyre për Zotin dhe zelli që kishin për të ngritur kurorën e lavdisë së virtyteve, i bashkoi zemrat e tyre aq fort në këtë dashuri shpirtërore, saqë ata kishin një mendim dhe një mënyrë jetese, sikur të ishin një shpirt në dy trupa.

Të bashkuar në këtë mënyrë, çdo vit kur mbyllej e kremtja e Theofanisë, ata shkonin në shkretëtirën e Kutilës, larg shoqërimit me njerëz të tjerë, duke dëshiruar vetëm komunikimin me Perëndinë nëpërmjet lutjes së pastër në vetmi. Atje qëndronin deri në të Dielën e Dafinave, duke ushqyer shpirtrat e tyre me soditjen e Perëndisë dhe duke e munduar trupin e tyre me kreshmë, agripni, vapë dhe etje.

Në vitin e pestë, në Faran, kur Theoktisti dhe Efthimi ishin tërhequr në shkretëtirë sipas zakonit të tyre, në kohën e Kreshmës së Madhe, ata u çuan nga Perëndia në një shpellë të madhe, sipër një gremine. Dy asketët u gëzuan tej mase që gjetën atë vend të ndërtuar prej Perëndisë dhe u vendosën aty. Ushqeheshin me bimët që rriteshin përreth. Shpella kishte qenë një strofull bishash, por lutjet dhe himnet e këtyre dy burrave të shenjtë e transformuan në një kishë të Perëndisë. Shenjtëria e tyre nuk mund të qëndronte e fshehur dhe shpejt erdhën shumë vëllezër aty pranë, të cilët donin të bënin një jetë asketike nën drejtimin e tyre.

Shën Efthimi donte qetësinë më shumë se çdo gjë tjetër e për këtë arsye, të gjithë ata që vinin aty për të hequr dorë nga bota, ai i drejtonte te Theoktisti i nderuar, i cili, duke qenë i përsosur në bindjen e tij, ndiqte në të gjitha këshillën e mikut dhe atit të tij në Krishtin. Pak e nga pak, ky vend i veçuar, u kthye në një manastir me jetë të përbashkët, që kishte shpellën si kishë. Theoktisti u bë igumen, ndërsa Efthimi nga ana e tij, u tërhoq më thellë në shkretëtirë.

Kështu kaluan vitet. Ata të dy kishin një dashuri të madhe për njëri-tjetrin. Efthimi përparonte në jetën eremite dhe Theoktisi shkëlqente në jetën e përbashkët vëllazërore. Theoktisi fjeti në paqe më Zotin, pas një sëmundjeje të shkurtër, më 3 shtator 467. Ai u varros nga shën Efthimi, atëherë nëntëdhjetëvjeçar dhe nga Anastasi, patriarku i Jerusalemit.