– Apostulli – 2 Korinthianëve 2:3-15
Edhe jua shkrova këtë, që kur të vij, të mos kem hidhërim nga ata që duhej të kisha gëzim; duke besuar për të gjithë ju, se gëzimi im është i ju të gjithëve. Sepse me shumë shtrëngim e dhimbje zemre ju shkrova me shumë lot, jo që të hidhëroheni, por që të njihni dashurinë që e kam me të tepërt për ju.
Edhe nëse u bë ndonjë shkak hidhërimi, s’më ka hidhëruar mua vetëm, por, deri diku, se nuk dua t’ju rëndoj, juve të gjithëve. Mjaft është për të këtillin ky qortim që u bë prej më të shumtëve; aq sa përkundrazi duhet më tepër ta ndjeni dhe ta ngushëlloni, që njeriu i tillë të mos mbytet nga hidhërimi i tepërt. Prandaj ju lutem të tregoni për të dashuri. Sepse prandaj edhe ju shkrova, që të njoh provën tuaj, nëse jeni të bindur në të gjitha. Edhe atij që i falni diçka, ia fal edhe unë; sepse nëse kam falur unë diçka, kujtdo që t’ia kem falur, për ju e kam bërë këtë, përpara Krishtit, që të mos teprojë fuqia e Satanait mbi ne; sepse i dimë mendimet e tij.
Edhe kur erdha në Troadë për të predikuar ungjillin e Krishtit, dhe m’u hap derë për Zotin, nuk pata prehje në shpirtin tim, sepse nuk gjeta Titon, vëllanë tim, por si u lashë shëndet atyre, dola në Maqedoni.
Po falënderoj Perëndinë që na bën gjithmonë ngadhënjimtarë në Krishtin, edhe që me anën tonë përhap në çdo vend erën e njohjes së tij. Sepse erë e mirë e Krishtit jemi ne përpara Perëndisë ndër të shpëtuarit dhe ndër të humburit.