Fillimi i Vitit Kishtar.

 

 

    Ndonëse 1 shtatori është konsideruar si fillimi i Vitit Kishtar, prapëseprapë, sipas kalendarit të Kishës Orthodhokse, qendra reale liturgjike e ciklit vjetor të adhurimit, është festa e Ngjalljes së Krishtit. Të gjithë elementët e devotshmërisë orthodhokse drejtohen e burojnë prej Pashkës, kremtimit të Pashkës së Re të Krishterë. Madje edhe “festat e palëvizshme” të Kishës, si Krishtlinda e Uji i Bekuar, të cilat kremtohen sipas një date fikse në kalendar, e marrin formën e tyre liturgjike dhe frymëzimin prej festës së Pashkës. Cilki i adhurimit Paskal fillon me periudhën e Kreshmës së Madhe, paraprirë nga të Dielat para kreshmës. Rregulli i adhurimit të Kreshmës së Madhe e përmbush vetveten në Javën e Madhe dhe në Ditën e Madhe të Ngjalljes së Krishtit. Mbas Pashkës janë pesëdhjetë ditët e kremtimit paskal, deri në festën e Rushajeve (Pentekostisë). Çdo javë e vitit është konsideruar në Kishë si një e “Dielë pas Rushajeve”. Javët numërohen në këtë mënyrë (E Diela e Parë, e Dytë etj.), përderisa të fillojë periudha para kreshmës, gjatë së cilës javët marrin emrin e përmbajtjes kryesore të adhurimit, duke pasur parasysh kthimin vjetor të Pashkës.

    Për ciklin e adhurimit Paskal ka dy libra të veçantë liturgjikë, Triodi dhe Pesëdhjetorja. Quhet Triod, sepse ka “tre ode”, të cilat këndohen shpesh gjatë shërbesave të kësaj periudhe. Të dielat dhe javët që pasojnë Rushajet, kanë gjithashtu një libër të veçantë, që quhet Oktoeku, që literalisht do të thotë “tetë tingujt (tonet)”. Oktoeku përmban shërbesat për çdo ditë të javës. E Diela, gjithmonë i është kushtuar Ngjalljes së Krishtit. Të Mërkurat dhe të Premtet përkujtojnë vuajtjet dhe Kryqëzimin e Krishtit. Tema e së Hënës është për engjëjt, “fuqitë pa trup”. E Marta i është kushtuar Joan Pagëzorit, e Enjtja apostujve dhe Shën Nikollës dhe e Shtuna Hyjlindëses dhe përkujtimit të të vdekurve. Çdo ditë e javës, fillon me vigjiljen (Mbrëmësoren e Madhe të së Shtunës) e Ditës së Zotit dhe shërbesat këndohen në të njëjtin “tingull (ton)” ose melodi muzikore. Janë tetë seri shërbesash, në tetë “tinguj” të ndryshme (nga ku vjen edhe emri Oktoeku) dhe këndohen me radhë gjatë tërë vitit. Kështu, në të Dielën e 2-të pas Rushajeve duhet të jetë Tingulli i 1-rë; të Dielën e 3-të mbas Rushajeve, Tingulli i 2-të; të Dielën e 4-të mbas Rushajeve, Tingulli i 3-të e kështu me radhë, deri në të Dielën e 10-të, ku fillon përsëri Tingulli i 1-rë. Ky cikël “tingujsh” është për të gjitha javët e vitit, ndonëse, kur afrohet periudha e Kreshmës së Madhe, theksi bie përsëri në përgatitjen e kremtimit të Pashkës.

    Përveç ciklit të adhurimit Paskal me javët “pas Rushajeve”, në çdo ditë të vitit përkujtohen disa shenjtorë ose ngjarje të shenjta. Çdo muaj ka një libër të veçantë, që quhet Mujori (Mineon), i cili përmban shërbesën e veçantë të çdo dite të atij muaji. Solemniteti i ditës është në proporcion me rëndësinë dhe popullaritetin e shenjtorëve ose ngjarjeve që përkujtohen atë ditë. Kisha ka dymbëdhjetë festa të mëdha, të cilat kremtohen universalisht: Lindja, Epifania (Uji i Bekuar), Paraqitja e Zotit në Tempull (Ipapandia), dhe Shpërfytyrimi i Krishtit; Lindja, Ungjillizimi, Paraqitja në Tempull dhe Fjetja e Shën Marisë; Lartësimi i Kryqit; dhe, nga cikli Paskal, festa e Hyrjes së Zotit në Jerusalem, festa e Ngjitjes së Zotit (Shestja) dhe festa e Rushajeve. Pashka nuk numërohet ndër dymbëdhjetë festat e mëdha të Kishës, meqenëse ajo është konsideruar si “festa e festave”.

    Në Kisha të ndryshme orthodhokse festohen ditë të ndryshme të vitit, sipas rëndësisë së tyre të veçantë që ato kanë në ato Kisha. Kështu, dita e Shën Sergjit kremtohet madhërishëm në Rusi, Shën Spiridhoni në Greqi, Shën Hermani në Amerikë, etj. Disa ditë të tjera, si ajo e Shën Pietrit e Pavlit, Shën Nikollës, Shën Gjergjit dhe Shën Mëhillit kanë një popullaritet universal në tërë Kishat. Festa e Krishtlindjes ka gjithashtu ciklin e saj të lutjes, modeluar sipas atij të Pashkës. Ka përpara një Kreshmë dyzetëditëshe dhe një festë kremtimi pas. Festa e Fjetjes së Shën Marisë dhe ajo e Shën Pietrit dhe Pavlit, gjithashtu paraprihen nga një kreshmë, por më e shkurtër. Shumica e festave të mëdha kanë një përgatitje liturgjike para-feste, si edhe një lavdërim pas-feste. Kjo do të thotë që festa parakujtohet dhe lavdërohet në shërbesat liturgjike të Kishës përpara asaj dhe gjithashtu kremtohet me këngë e lutje për disa ditë pas asaj.

Festat e Mëdha të Kishës:

  •  08 Shtator   –   Lindja e Hyjlindëses Mari
  • 14 Shtator   –   Lartësimi i Kryqit
  • 21 Nëntor    –   Paraqitja në Tempull e Hyjlindëses Mari
  • 25 Dhjetor   –   Lindja e Krishtit
  • 06 Janar      –   Pagëzimi i Krishtit (Epifania, Uji i Bekuar)
  • 02 Shkurt    –   Paraqitja e Krishtit në Tempull
  • 25 Shkurt    –   Ungjillizimi i Hyjlindëses Mari
  • 06 Gusht    –   Shpërfytyrimi i Krishtit
  • 15 Gusht     –   Fjetja e Hyjlindëses Mari

Llogaritur sipas ekuinoksit pranveror dhe Pashkës judaike:

  • E Diela e Dafinës   –   Hyrja në Jerusalem
  • PASHKA   –   NGJALLJA E KRISHTIT
  • Ngjitja në qiej e Krishtit (Shestja)
  • Rushajet   –   Zbritja e Shpirtit të Shenjtë