* * * * *
– Prerja e Kokës së Joan Pagëzorit-
Joani është më i madhi ndër profetët, për këtë ikonizohet gjithnjë në të majtë të Zotit Jisu Krisht. Pas së Tërëshenjtës, personi i parë më i respektuar nga të gjithë shenjtorët është Joan Pararendësi. Ai dëshmoi për të vërtetën dhe për ligjin e shenjtë të Perëndisë. Me qëllim që ky ligj të ruhej i pastër e i pacenuar, Joani sakrifikoi duke mos ngurruar të kritikonte edhe mbretin Herod, i cili bënte jetë të shthurur.
Joani e kritikoi hapur mbretin Herod, sepse kishte marrë për grua Herodiatën, të venë e vëllait të tij, Filipit. Me guximin që e karakterizonte, Joani i thotë: “Nuk është e lejueshme që të kesh gruan e vëllait tënd”. Për këtë arsye Herodiata e urrente Joanin dhe donte të hakmerrej, sapo të gjente rastin.
Herodi shtroi një gosti me rastin e ditëlindjes së tij, ku ftoi gjithë parinë e Galilesë. Gjatë gostisë, bija e Herodiatës kërceu një valle me të cilën i mahniti të gjithë të pranishmit e në mënyrë të veçantë Herodin. Atëherë mbreti, i entuziazmuar, i premtoi vajzës: “Kërko çfarë të duash dhe unë do të jap deri në gjysmën e mbretërisë sime”.
Vajza vajti tek e ëma dhe e pyeti se çfarë të kërkonte. E ëma, plot djallëzi, i tha: “Kërko kokën e Joan Pagëzorit”. Mbreti nuk mund që ta refuzonte premtimin që pati dhënë. Atëherë dërgoi një ushtar duke e urdhëruar që t’ia sillte kokën e Joanit në pjatë.