– Ungjilli – Mateu 21:23-27
Edhe kur erdhi në tempull dhe mësonte, erdhën pranë tij kryepriftërinjtë dhe pleqtë e popullit, e thoshin: Me çfarë pushteti i bën këto? Edhe kush ta ka dhënë këtë pushtet? Edhe Jisui u përgjigj e u tha atyre: Do t’ju pyes edhe unë ju një fjalë, të cilën në ma thënçi, edhe unë do t’ju them juve me çfarë pushteti i bëj këto. Pagëzimi i Joanit nga ishte? Nga qielli apo nga njerëzit? Edhe ata mendoheshin me veten e tyre, duke thënë: Në thënçim: Nga qielli, do të na thotë: Pse nuk i besuat pra? Edhe në thënçim: Nga njerëzit, kemi frikë prej turmës, sepse të gjithë e kanë Joanin për profet. Edhe duke iu përgjigjur Jisuit, thanë: Nuk e dimë. Edhe ai u tha atyre: As unë s’ju them juve me çfarë pushteti i bëj këto.