* * * * *

Oshënar Pimeni

 

Shën Pimeni ishte me origjinë nga Egjipti. Kur ishte 15 vjeç shkoi pranë vëllezërve të tij që asketizonin në shkretëtirën e Skitës. Kur Pimeni ishte ende djalë i ri, shkoi të pyesë një jerond për tre mendime, por gjatë bisedës harroi njërin prej tyre. U kthye në qeli dhe kur u kujtua, e bëri përsëri rrugën e gjatë për të shkuar përsëri. Jerondi admiroi shqetësimin e tij për t’ia prezantuar zemrën e pastër Perëndisë dhe i tha këtë profeci: “Pimen, emri yt do të përmendet në mbarë Egjiptin dhe ti do të bëhesh me të vërtetë bari i një grigje të madhe”.

Gjatë shkatërrimit të qendrës monastike të Skitës nga barbarët mazikë (407), murgjit arritën t’i shpëtojnë masakrës dhe morën rrugën që bënin tregtarët e nitratit dhe u vendosën në Terenuthis, në brigjet e Nilit. Pimeni fitoi emër të madh, por nuk e merrte kurrë fjalën në prani të vëllait të madh dhe nuk pranonte të fliste pas një jerondi tjetër, edhe pse ai i kalonte të gjithë në jetën shpirtërore.

Në fillesat e tij, shën Pimeni kreshmonte shumë, duke kaluar 2 deri në 3 ditë pa ngrënë fare dhe e mundonte shumë trupin. Por me kalimin e kohës, fitoi një përvojë të madhe në shkencën shpirtërore dhe u bë mjek, timonier dhe llambë dallimi për banorët e shkretëtirës. Ai mësonte të hanin çdo ditë në mënyrë të moderuar, që të mos rrëzoheshin në krenari dhe në pangopësi dhe të ndiqnin rrugën e mesme, që është e lehtë dhe pa mundime. “Ne nuk kemi mësuar të vrasim trupin tonë, por të vrasim pasionet tona”, thoshte shpesh: “Çdo gjë që kapërcen masën vjen nga demonët”.

Ishte i matur në asketizëm, por shumë i ashpër në ato që kishin lidhje me marrëdhëniet njerëzore. Një ditë, guvernatori i krahinës dëshiroi ta takonte dhe arrestoi të birin e së motrës, që jerondi të vinte e të ndërmjetonte në favor të tij. Por Pimeni nuk iu përgjigj fare lutjes të së motrës dhe i dërgoi fjalë guvernatorit ta gjykonte sipas ligjeve të nipin, nëse ai kishte kryer ndonjë faj.

U jepte bashkëbiseduesve të tij përgjigje sipas aftësisë së tyre të të kuptuarit dhe sipas mundësive të tyre, për t’i inkurajuar në përparimin shpirtëror. Para së gjithash, ai i porosiste të mos u linin vend mendimeve me pasion, duke i pranuar ato ose duke iu përgjigjur dhe i siguronte se ato do të zhdukeshin vetë. “Ne nuk mund t’i pengojmë të vijnë për të na shqetësuar, por është në fuqinë tonë t’u rezistojmë”. Ai mësonte se përkushtimi tek Perëndia, moskrahasimi i vetes me të tjerët dhe braktisja e vullnetit tonë janë mjete të pastrimit të shpirtit. Por, mbi të gjitha, na ndihmon në këtë qëllim qortimi i vetes dhe vigjilenca e brendshme shpirtërore.

Kur një ditë e pyetën nëse ishte e pëlqyeshme të qortonte një vëlla që ndodhej në gjendje rënieje, Pimeni u përgjigj: “Në çastin kur ne e fshehim gabimin e vëllait tonë, Perëndia e fsheh tonin dhe në çastin kur ne shfaqim fajin e vëllait tonë, Perëndia na shfaq edhe tonin”. Dhe kur shikonte një vëlla të flinte në kishë, pa e qortuar, jerondi i shenjtë preferonte ta vendoste kokën e tij në gjunjët e tij dhe ta linte të çlodhej.

Sa i takon vigjilencës për veten e tij, e ruante në çdo kohë, duke e ditur se i pari i të gjitha veseve është shpërqendrimi dhe kur i duhej të dilte nga qelia, kalonte një orë i ulur duke shqyrtuar mendimet.

Ai thoshte: “njeriu ka nevojë për përulësinë njësoj si fryma që i del nga vrimat e hundës” dhe se duke qortuar veten, duhet ta shikojmë vëllain tonë si të parin tonë, për të arritur në përulësinë që na fal prehje në çdo çast.

Një ditë erdhën disa vizitorë të famshëm nga Siria për ta pyetur mbi pastërtinë e zemrës, por jerondi nuk dinte greqisht dhe nuk po gjenin përkthyes. Kur pa shqetësimin e vizitorëve, Pimeni nisi t’u flasë papritur në greqisht e u tha: “Natyra e ujit është e butë, ajo e gurit e fortë; por një kacek i varur sipër gurit kur lëshon ujin pika pika mbi gurin, e çan atë. Kështu është edhe fjala e Perëndisë: ajo është e butë dhe zemra jonë është e ashpër, por njeriu që e dëgjon shpesh, e hap zemrën ndaj frikës së Perëndisë”.

Pasi shkëlqeu për shumë vjet si një yll në shkretëtirë, duke mësuar me anë të eksperiencës së tij dhe duke u bërë një model i gjallë i të gjitha virtyteve, ava Pimeni fjeti në paqe, pak kohë pas shën Arsenit (pas vitit 449), por pa e parë më shkretëtirën e Skitës.

 

* * * * *

Dëshmor Fanuri

 

Gjatë punimeve të ndërmarra për të ngritur muret e kështjellës së Rodosit, punëtorët zbuluan një kishë të bukur e të rrënuar, nën gurët e së cilës gjetën ikona të ndryshme. Midis tyre u gjet edhe një ikonë e paprekur, e cila paraqiste një djalosh të ri e të veshur me rroba ushtarake, që mbante në dorën e djathtë një kryq dhe mbi të qëndronte një qiri i ndezur. Përreth ikonës kishte 12 skena të martirizimit të tij.

Episkopi i vendit, Nili (1355-1369), mundi të lexonte çfarë ishte shkruar: “Shën Fanuri”, emër që mungonte në Sinaksarë. Kur qeveritari i ishullit ndaloi episkopin shpresëtar të restauronte kishën, ky i fundit shkoi deri në Konstandinopojë dhe atje arriti të merrte leje. Që atëherë shën Fanuri kreu shumë mrekulli, veçanërisht për gjetjen e objekteve të humbura apo për kafshë të zhdukura.

Sipas një tradite popullore të përhapur në Kretë, nëna e shenjtit ishte një mëkatare e madhe dhe me gjithë përpjekjet e tij, Fanuri nuk mundi ta kthente. Nuk pushoi aspak së luturi me zjarr për shpëtimin e saj dhe, kur paganët e vranë, ai thirri: “Për të gjitha këto vuajtje, o Zot, ndihmo gjithë ata që luten për shpëtimin e nënës së Fanurit!”. Prandaj, kur besimtarët humbin ndonjë objekt, kanë zakon të bëjnë ëmbëlsira e t’i ndajnë me dashuri për faljen e nënës së shën Fanurit.

Fanuri, greqisht do të thotë: i shfaquri.