Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë
Kisha e Shqipërisë në lidhje me përndjekjen
e Kishës Orthodhokse kanonike të Ukrainës përmes Ligjit 8371
Përndjekjet, burgosjet, përdhosjet e vendeve të shenjta të adhurimit, konfiskimet e pronave të kishave dhe të manastireve janë veprime brutale. Ato bëhen edhe më të vrazhda kur imponohen nga organet legjislative të vendeve demokratike.
Ligji nr. 8371/24.8.2024, i nxjerrë së fundmi nga parlamenti i Ukrainës, synon qartazi të shfuqizojë Kishën Orthodhokse kanonike të Ukrainës. Në këtë mënyrë po përndiqen miliona besimtarë orthodhoksë ukrainas, shumë episkopë, priftërinj, murgj dhe murgesha, që janë nën udhëheqjen e mitropolitit Onufri, të gjithë anëtarë të Kishës që është “Një, e Shenjtë, Katholike dhe Apostolike”.
Sipas fjalës së Apostull Pavlit: “nëse njëra gjymtyrë vuan, atëherë vuajnë të gjitha me të” (1 Kor. 12:26), edhe ne, duke vuajtur bashkë me vëllezërit tanë të përndjekur, lutemi gjerësisht për ndërprerjen e luftimeve të përgjakshme, që plagosin të gjithë popullin ukrainas pa përjashtim, si edhe për shfuqizimin e këtij ligji absurd, për mbizotërimin e paqes dhe unitetit të Orthodhoksisë, që ajo të mund të përmbushë dëshminë e saj në mbarë botën.
Tiranë, 25.08.2024