Dëshmorët Adrian dhe Natalia
Ishin një çift bashkëshortësh që banonin në Nikomedi të brigjeve aziatike të Propontidës, në kohën e Maksimianit (286-305). Gjatë përndjekjeve njerëzit e perandorit zbuluan të fshehur nëpër shpella 23 të krishterë, të cilët u dënuan me mënyra të ndryshme. Oficeri idhujtar Adriani, 28 vjeç, mbeti i mahnitur nga durimi i tyre dhe i pyeti për shkakun e dënimeve. Ata iu përgjigjën se e bënin për hir të shpërblimeve qiellore të Perëndisë. Ai u prek kaq shumë, sa kërkoi që të përfshihej edhe emri i tij në listën e tyre. Ndaj tirani, pasi e mori në pyetje, e burgosi.
Gruaja e tij, Natalia, që ishte e krishterë, vajtonte sepse nuk i dinte akuzat që i kishin bërë. Por, kur mori vesh shkakun, veshi rrobat më të mira dhe shkoi në burg. Puthi zinxhirët e të shoqit dhe i dha kurajë. Më pas vajti përsëri me gra të tjera shpresëtare dhe mjekuan atletët e besimit. Kur Adriani mori leje për të parë shtëpinë, kur shkoi atje, Natalia kujtoi se mos mohoi Krishtin, e ofendoi rëndë dhe e la jashtë në rrugë! Por, kur u bind për të kundërtën, ajo lumuroi veten si bashkëshorte martiri.
Pasi tirani e rimori në pyetje, urdhëroi ta rrihnin dhe pastaj e hodhën në tokë dhe e goditën në mënyrë të tmerrshme me shkopinj në bark, saqë i dolën zorrët. Ndërsa trimëresha e re Natalia, nga njëra anë i jepte të shoqit guxim dhe nga ana tjetër nxiste xhelatin. Adriani, së bashku me 23 shenjtorët e tjerë, duroi i pathyeshëm vdekjen e tmerrshme me anën e prerjes së gjymtyrëve. Heroina mbajti njërën dorë të të shoqit si thesar dhe u lye me gjakun si me miro. Një shi i fortë shoi zjarrin ku kishin hedhur lipsanet e martirëve.
Një besimtar i çoi lipsanet në Bizant, ku edhe Natalia e kaloi jetën që i kishte mbetur, derisa fjeti dhe u varros pranë tyre. Shenjtorja quhet edhe “martire”, pa qenë e tillë, pasi u martirizua jo realisht por vetëm “sipas dëshirës” për t’u martirizuar.
* * * *
Oshënar Joasafi
Në kohën e shën Konstandinit të Madh, mbretëronte në Indi një sovran i fuqishëm, Abeneri, idhujtar dhe që i urrente shumë të krishterët. Abenerit i lindi një bir, Joasafi. Me rastin e lindjes së tij, mbreti organizoi një sakrificë solemne, ku magët dhe falltarët do të gjeni të ardhmen e djalit. Kur të gjithë pothuajse po bënin lajka, një prej tyre i bëri të njohur mbretit se djali ishte thirrur të ishte sovrani më i urtë dhe më i lavdëruar dhe se do ta kthente mbretërinë në të krishterë. Mbreti, duke dashur të pengonte realizimin e kësaj profecie, ndërtoi një pallat luksoz dhe e rriti të birin në shoqërinë e të rinjve të zgjedhur, që kishin marrë urdhër të mos flisnin kurrë për varfëri, sëmundje dhe trishtime. Mbreti i caktoi mësues të ditur për të gjitha shkencat, por duke i ndaluar të flisnin për Krishterimin.
Të gjitha masat nuk ia dolën mbanë të mposhtnin prirjet e mira natyrale të princit. Pasi u rrit në luks dhe kënaqësi të kota, u mërzit dhe kërkoi me ngulm të dilte. Mbreti pranoi, por duke i urdhëruar shërbëtorët e tij të dëbonin nga rruga çdo njeri të varfër. Megjithatë, ishte e pashmangshme që princi të përballej me të moshuar e të sëmurë. Kur mësoi se pleqëria dhe vdekja janë fati i mbarë njerëzimit, nisi të përbuzë kënaqësitë e deriatëhershme dhe meditonte pa pushim mbi misterin e vdekjes. Pyeste veten nëse ekzistonte ose jo një tjetër jetë, përtej kësaj barriere të frikshme dhe kërkoi nëpërmjet mësuesit të tij të mësonte të vërteta mbi këto çështje. Mësuesi iu përgjigj se murgjit merreshin duke filozofuar vazhdimisht mbi këto çështje, por ishin persekutuar nga i ati dhe ishin zhdukur nga mbretëria.
Atëherë Perëndia- i cili do që çdo njeri të shpëtojë dhe të njohë të vërtetën- i zbuloi një asketi të shenjtë, të quajtur Varlaam, i cili banonte në shkretëtirën e largët të Senaarit, të dilte së andejmi dhe të shkonte për të mësuar princin. Varlami u vesh si tregtar dhe mbërriti në pallat. Atje i prezantoi Joasafit doktrinën e krishterë. Shpirti i Joasafit, që ishte gati për të marrë dritën e së vërtetës për shkak të predispozitave të natyrshme dhe meditimeve shpirtërore, pranoi se guri i çmuar, që i kishte premtuar jerondi, ishte besimi në Zotin tonë Jisu Krisht, u mbush plot me zell hyjnor dhe i tha: “Çliroje shpirtin tim prej burgut dhe merre me vete atje ku do të jetë i lirë nga çdo kotësi e kësaj bote. Kam vendosur të pagëzohem dhe të ndjek nën drejtimin tënd këtë filozofi të mrekullueshme”. Jerondi iu përgjigj se po ta merrte me vete, do të arrestoheshin nga të dërguarit e mbretit, që do të masakronin të gjithë të krishterët e ngelur nëpër vende të shkreta. Ai e porositi të qëndronte në pallatin e tij dhe të zbatonte porositë e Perëndisë, që të bëhej shkak shpëtimi për të afërmit e tij.
Pasi e përgatiti si duhet, duke e mësuar me detaje mbi dogmat e shenjta, Varlaami e pagëzoi. Pasi u ndanë të mallëngjyer, Varlaami u kthye në shkretëtirë, duke i lënë Joasafit lëkurën e tij të dhirtë, si bekimi dhe mbrojtje në provat që do të duronte më vonë.
Zardani, mësuesi personal i princit, që kishte vënë re vizitat e shpeshta të Varlaamit, lajmëroi mbretin. Sapo Abeneri mësoi konvertimin e të birit, dërgoi këshilltarin e Arahes për të kapur Varlaamin. Këshilltari mbërriti në shkretëtirën e Senaarit dhe kapi një grup murgjish prej 15 vetash, të cilët i dërgoi tek mbreti. Murgjit pohuan besimin e krishterë, duke e dënuar Abenerin për marrinë e tij në mbrojtjen e idhujve. U prenë gjuhën dhe u nxorën sytë, pastaj ua prenë edhe duart e këmbët, derisa ata fituan kurorën e martirit, pa zbuluar se ku ndodhej Varlaami.
Ndërkohë, mbreti dëboi të gjithë filozofët e tij dhe nisi të dyshojë edhe vetë për fuqinë e perëndive të rreme. Për këtë arsye nuk shkonte shpesh në festat dhe kremtimet për nder të tyre. Priftërinjtë e idhujve u shqetësuan kur e panë mbretin në një gjendje të tillë dhe kërkuan ndihmën e një magjistari të fortë e të frikshëm, Theudas, që banonte në një shpellë të shkretëtirës. Ky i fundit i propozoi Abenerit që shërbëtorët e Joasafit të ndërroheshin me vajza të reja të bukura, që do të tregonin të gjitha hiret e tyre për të joshur djalin e ri, ndërkohë që magjistari do të bënte magjitë e tij.
Joasafi i dëlirë u sulmua fort nga tundimet trupore dhe luftoi kundër tyre me vendosmëri. Ai e dëbonte zjarrin e epshit trupor me anë të dashurisë për Perëndinë dhe e mundonte trupin me kreshmë dhe lutje. Shumë u mundua magjistari ta shtinte në mëkat, por më kot. Kur i erdhi për ta vizituar mbreti, Joasafi i denoncoi djallëzinë e madhe të Theudas dhe i bëri të ditur se asgjë nuk mund ta shkëpuste dhe të kthente në kultin e idhujve, të cilat janë vetëm disa imazhe të krijuara prej pasioneve njerëzore. Ai pohoi besimin e krishterë me një fuqi aq të madhe saqë magjistari Theudas u bind për pafuqinë e tij, dogji librat e magjisë dhe u pagëzua.
Gjatë një mbledhje të re të senatit, Arakes këshilloi mbretin, meqë kishte dështuar në të gjitha përpjekjet e tij dhe kështu krishterimi mund të përhapej kudo, që të ndante përgjysmë mbretërinë me të birin. Në këtë mënyrë, shqetësimet e qeverisjes do ta shkëpusnin djalin e ri nga përpjekjet shpirtërore. Joasafi e pranoi propozimin e të atit, mbretëria u nda në dysh dhe atë fronëzuan në një qytet të madh. Menjëherë urdhëroi të vendoseshin kryqe në të gjitha ndërtesat publike dhe ndërtoi një kishë në qendër të kryeqytetit. Joasafi nuk u deh aspak nga pushteti dhe kënaqësitë e kota dhe e dyfishoi përpjekjen e tij asketike, duke i nxitur nënshtetasit e tij ta imitonin në jetën e tyre. Ai punoi shumë dhe në pak kohë mbretëria e tij u bë e krishterë. Priftërinjtë dhe murgjit e fshehur gjatë persekutimeve u pritën prej tij me shumë nderim dhe respekt të madh. Mbretëria e Joasafit përparoi shumë në të gjitha fushat. Ky sukses bëri që shumë njerëz të braktisnin mbretërinë e Abenerit dhe të vendoseshin në atë të Joasafit.
Më në fund Abeneri i mundur i dërgoi të birit një letër, ku i bënte të ditur se e pranonte faktin që ai besonte në Perëndinë e vërtetë, ndërkohë që shpirti i tij i pushtuar nga errësira e pasioneve e pengonte të njihte dritën e vërtetë. I ati i kërkoi Joasafit me përulësi ta falte dhe ta udhëhiqte në rrugën e virtytit. Ai përmbysi të gjitha statujat e idhujve dhe ndërtoi një kishë në vendin ku ndodhej tempulli kryesor i kryeqytetit të tij. Episkopi i krahinës së Joasafit e katekizoi Abenerin dhe e pagëzoi. Pas konvertimit të monarkut edhe populli përqafoi besimin e krishterë dhe mbretëria e tij u mbush plot me kisha. Abeneri nuk kishte më asnjë dëshirë për të ushtruar pushtetin dhe donte të bënte një jetë në pendesë. Për këtë arsye ai abdikoi në dobi të të birit dhe jetoi me kokën e mbuluar me hi e duke derdhur lot.
Pasi Abeneri ndërroi jetë, Joasafi donte gjithashtu të tërhiqej pranë atit të tij shpirtëror.
Pasi vendosi kurorën në kokën e këshilltarit të tij besnik Barakias, Joasafi i dha lamtumirën popullit, me gjithë kundërshtitë e tyre për këtë largim, dhe u premtoi se do të ishin së bashku në lutje.
Pjesën e mbetur të jetës Joasafi jetoi si asket. Kaloi 35 vjet në shkretëtirë dhe pasi u bë apostulli i popullit të tij, u bë edhe martir i ndërgjegjes, duke pasur engjëjt dhe shenjtorët si dëshmitarë të përpjekjeve të tij të mbinatyrshme.
Kur ndërroi jetë, trupin ia varrosën në të njëjtin varr me Varlaaminatin e tij shpirtëror. Trupat e dy asketëve ishin të paprishur dhe lëshonin miro. Ata u transferuan në katedralen e kryeqytetit, ku kryen shumë mrekulli.