– Ungjilli – Mattheu 14:22-34.
Edhe përnjëherë Jisui i shtrëngoi nxënësit e tij të hyjnë në lundër, dhe të shkojnë përtej më përpara se ai, deri sa të lëshojë turmat. Edhe si lëshoi turmat, u ngjit në mal veçan që të falet; dhe si u ngrys, ishte vetëm atje. Edhe lundra ishte tani në mes të detit duke u përpjekur nga valët; sepse era ishte kundër.
Edhe në orën e katërt të natës Jisui shkoi tek ata, duke ecur përmbi det. Edhe nxënësit kur e panë që po ecte përmbi det, u trembën e thanë se është hije. Dhe nga frika bërtitën. Po Jisui përnjëherë u foli atyre, duke thënë: Guxim, jam unë, mos u frikësoni.
Edhe Pjetri iu përgjigj e tha: Zot, në je ti, urdhëromë të vij tek ti mbi ujërat. Edhe ai tha: Eja. Edhe Pjetri zbriti nga lundra dhe eci mbi ujërat, që të vinte tek Jisui. Po kur pa erën e fortë, u frikësua; dhe si zuri të zhytet, bërtiti, duke thënë: Zot, shpëtomë. Edhe Jisui përnjëherë zgjati dorën, e zuri, dhe i thotë: O besëpakë, përse dyshove? Edhe si hynë ata në lundër, pushoi era. Edhe ata që ishin në lundër erdhën e iu falën atij, duke thënë: Me të vërtetë je bir Perëndie. Edhe si shkuan përtej, erdhën në dheun Gjenisaret.