Apostull Titi i Gortinës Nga të 70-t
Dhiata e Re na jep pothuajse tërësinë e të dhënave të tij biografike. “Duke qenë grek” i parrethprerë (Gal 2:3) d.m.th. idhujtar, e kishte prejardhjen ndoshta nga Antiokia. U konvertua nga predikimi i apostull Pavlit (29 qershor). Kështu, në të ardhmen u bë pasues i çmuar dhe bashkëpunëtor i tij, meqë shquhej edhe për karakterin e tij të fuqishëm dhe të pathyeshëm ndaj vështirësive.
Shfaqet për herë të parë të shoqërojë apostullin protokorife për në Jerusalem, për Sinodin Apostolik në vitin 49 (Gal 2:1) si shembull i gjallë i një të krishteri të flaktë, megjithëse nuk ishte hebre, pra që nuk zbatonte ligjin e Moisiut në Sinod, Pavli rezultoi që të krishterët me origjinë pagane të mos detyrohen të mbajnë urdhrat e Dhiatës së Vjetër (Vepra 15.6-29).
Së bashku me Pavlin ungjillëzon Çlirimtarin në Efes (54-58). Më vonë arrin dhe përfundon me sukses (rreth vitit 57) një mision të vështirë në Kishën e Korinthit (II Kor. 7.6,13;12.17-18). Apostulli i madh e lë përkohësisht në Kretë, që të organizojë Kishën atje, prej andej, rreth vitit 66 e thërret në Letrën e drejtuar Titos në Nikopol të Epirit (3:12). Në vazhdim gjendet në Romë ku Pavli është i burgosur. Nga këtu shkon në Dalmaci (II Tim. 4:10) dhe në fund bariton si episkop në Kretë, me seli qytetin e lashtë të Gortinës, deri në fjetjen e tij në pleqëri të thyer.
Në Letrën e tij “Titos, birit të vërtetë” (1:4), Pavli porosit “që të korrigjojë mangësitë” duke vendosur episkopë të denjë (1:5-9) dhe duke u mbështetur në reputacionin e tij të këshillojë dhe të shenjtërojë kategoritë e ndryshme të besimtarëve, duke meshuar dhe duke punuar pa pushim (2:1-3.11).
Kur vdiq, lipsani i tij i shenjtë u varros në Gortinë. Pas shumë shekujve u transferua në Kishën e Shën Markut, në Venetik, por në maj 1966 u kthye në ishullin e tij.