Hierodëshmor Irineu i Lionit
Meqenëse që fëmijë shkonte shpesh te shën Polikarpi i Smirnit (23 shkurt), do të ketë lindur në Smirni, rreth vitit 140. Haset në vitin 177 si prift në Lugdunë (Lion), në Francë. Gjatë persekutimit, Mondanizmi, një herezi e re, e cila ishte e pëlqyer për kushtet e atëhershme, sepse predikonte se po afronte ardhja e Zotit, tërhoqi kryesisht të krishterë të burgosur të painformuar. Prandaj, këta, me anë të Irineut të zellshëm, i dërguan një letër, në favor të asaj herezie, episkopit të Romës, Elefterit, i cili e kishte dënuar si herezi. Por megjithëkëtë, Irineu mbeti orthodhoks.
Besimtarët e bënë kryebari të tyre, pas ekzekutimit të episkopit të tyre, Pothinit, i cili gjithashtu ishte nga Azia e Vogël (177 ose 178). Teksti i martirizimit të tyre, nga më të vjetrit dhe më të bukurit, u përshkrua sipas të gjitha gjasave nga Irineu. Ai u mundua për përhapjen e Krishterimit te grekët, latinët e keltët dhe njëkohësisht luftoi herezitë. Atë i shquar e theolog autentik, zotërues i retorikës, i letërsisë dhe i filozofisë, në sajë të autoritetit të tij ndërhynte paqësisht në problemet kapitale mbarëkristiane. Kështu vërtetoi se ishte shumë më e keqe skizma e Kishës, sesa kremtimi, qoftë edhe i festës kulmore të Pashkës, në data të ndryshme. U martirizua në vitin 202 me shpatë.
Tepër produktiv dhe i talentuar, i ndërgjegjshëm dhe hulumtues i palodhur, ai krijoi shumë, por ruhen vetëm pak vepra apologjetike, eklesiologjike, didaktike e dogmatike; ruhen, kryesisht ato antiheretike, siç është vepra e shkëlqyer “Kontrolli e përmbysja e Dijes pseudonime”.
Me dëshirë e pasion, Irineu e paraqiti Kishën si mbajtëse të Hirit e të autoritetit të besimit të drejtë, që iu dorëzua asaj, në mënyrë të shkruar e të pashkruar nga Krishti, me anën e apostujve. Si misticist i parë, ai nënvizoi shikimin, pjesëmarrjen e Perëndisë dhe hyjnizimin. Referoi si simbole të Ungjillorëve katër qeniet e gjalla (luanin, viçin, njeriun e shqiponjën sipas Apokal. 4:7) dhe Hyjlindësen si kundërpeshë të Evës.
Irine, greqisht do të thotë: paqësor.
* * * * *
Hierodëshmor Irineu i Smirniumit
Martiri i shenjtë i Krishtit Irine ishte episkop i Sirmiumit, në mbretërimin e Dioklecianit dhe Maksimianit (rreth vitit 304), në një kohë kur episkopëve u lejohej ende të martoheshin.
Teksa ai shpallte me fuqi fjalën e Perëndisë dhe ktheu shumë vetë në krishterim, e kapën nga paganët dhe e çuan para guvernatorit Provi. Pasi magjistrati e pyeti për identitetin, e urdhëroi t’u sakrifikonte idhujve, që të jetonte në paqe në atë qytet.
Nxënësi trim i Krishtit iu përgjigj se në asnjë mënyrë nuk do t’i nënshtrohej zakoneve idhujtare dhe se nuk i interesonte paqja që i propozohej. E torturuan me mënyra të ndryshme: rrahje me kamxhik, goditje me grepa hekuri dhe thupra, por qëndroi i palëkundur në pohimin e besimit tek Shpëtimtari Jisu Krisht.
Provi, për t’i bërë torturat më të dhimbshme, mori edhe familjen e shenjtorit për t’i parë. Gruaja dhe fëmijët i puthnin këmbët dhe e lusnin të kishte mëshirë për ta, ndërsa e ëma dhe shërbëtorët vajtonin. Guvernatori i bëri presion, duke i thënë se duhej të ndërronte mendje për hir të këtyre lotëve dhe të mos humbte pjesën më të mirë të viteve të jetës së tij. Por shenjtori u përgjigj se nuk donte të sakrifikonte pikërisht për të mos e humbur jetën e përjetshme.
E dërguan përsëri në burg dhe e nxorën para prokonsullit disa ditë më vonë. Kur i përmendën familjen, shenjtori u përgjigj, duke u ngritur përmbi ndjenjat e natyrës: “Shpëtimtari na ka porositur që kushdo që do më tepër atin, nënë, gruan, fëmijët (shih Mt.10:37), nuk është i denjë për mbretërinë e Qiejve. Kur mendoj për Perëndinë dhe për lumturinë që u ka premtuar shërbëtorëve të tij besnikë, përbuz çdo gjë të kësaj toke. Fëmijët e mi nuk do të humbasin shumë me vdekjen time, sepse u kam lënë për Atë Perëndinë, që ata e adhurojnë së bashku me mua. Jam i bindur se Ai ka për t’u kujdesur për ta dhe do t’i bëjë trashëgimtarë të Mbretërisë së tij. Ti përmbush urdhrat që të janë dhënë”.
Magjistrati e dënoi vdiste i mbytur në lumin Sava. Shën Irineu u përgjigj se ai priste të kishte një vdekje akoma edhe më mizore. Në ato çaste, Provi u xhindos dhe urdhëroi t’i prisnin kokën para se ta hidhnin në lumë. E çuan në urën e Artemisit dhe i zhveshën rrobat, ndërsa shenjtori lavdëronte Krishtin, që e kishte denjësuar të merrte pjesë në lavdinë e përjetshme me anë të këtyre torturave. Pastaj rojat i prenë kokën dhe e hodhën trupin e tij në lumë. Një kishë u ndërtua më pas për nder të tij, në lindje të qytetit, ku nderohej si një prej martirëve më të famshëm të Sirmiumit.
Tregohet se dy të krishterë, me shumë gjasa nga Egjipti, Ori dhe Oropsi, u paraqitën vetë para gjykatës. I flakën në një furrë, por një vesë zbriti nga qielli dhe e shoi zjarrin. I hodhën në kafazin e kafshëve të egra për ushqim, por bishat nuk i cenuan. Në fund, pasi u bënë shumë tortura, u prenë kokat dhe i hodhën edhe ata në lumin Sava.
* * * * *
Dëshmor Lupi
Lupi ishte një skllav në shërbimin e shën Dhimitrit të Selanikut. Ai mori pjesë në martirizimin e zotërisë së tij dhe arriti të sigurojë tunikën e përgjakur e unazën mbretërore të shën Dhimitrit.
Në vazhdim kreu shumë mrekulli dhe shërime me anë të këtyre dy trofeve dhe e forcoi besimin e të krishterëve. Për këtë arsye perandori, i cili ndodhej në Selanik, e arrestoi dhe e dënoi me vdekje. Tregohet se para ekzekutimit të tij, dy ushtarët e caktuar ta kryenin nxorën shpatat kundër njëri-tjetrit dhe u plagosën.
Martiri iu lut Krishtit që të mos vdiste pa hirin e Pagëzimit. Në atë çast, një re e madhe mbërriti sipër tij dhe derdhi ujë. Lupusi u vesh me njeriun e ri dhe fuqinë e Shpirtit të Shenjtë dhe duroi me guxim të madhe torturat para se t’i pritej koka. Kështu u çlirua nga skllavëria e kësaj jete për të fituar Mbretërinë e Qiejve.