– Apostulli – 1 Korinthianëve 14:6-19.
Edhe tani, vëllezër, në ardhsha tek ju duke folur gjuhë, ç’dobi do t’ju sjell, në mos ju folsha ose me zbulesë, ose me dituri, ose me profeci, ose me mësim? Edhe ato që s’kanë shpirt e nxjerrin zë, qoftë fyell, qoftë kitarë, po të mos japin tinguj të veçantë, si do të njihet rënia e fyellit, ose rënia e kitarës?
Sepse, në dhëntë trumbeta zë që s’kuptohet, cili do të bëhet gati për luftë? Kështu edhe ju, po të mos jepni me anë të gjuhës fjalë të kuptueshme, si do të kuptohet ajo që flitet?
Sepse do të flisni në erë. Në botë mbase ka gjithfarë gjuhësh, edhe asnjë nga ato s’është pa kuptim. Nëse nuk e di pra kuptimin e gjuhës, do të jem i huaj për atë që flet, dhe ai që flet, i huaj për mua. Kështu edhe ju, meqë jeni të zellshën për dhuratat shpirtërore, kërkoni t’i shtoni ato për ndërtimin e kishës.
Prandaj ai që flet gjuhë të panjohur, le të lutet që të bëhet i zoti ta përkthejë. Sepse në u lutsha me gjuhë të panjohur, shpirti im lutet, po mendja ime është e pafrytshme. Ç’duhet pra? Do të lutem me shpirtin, po do të lutem edhe me mendjen; do të psal me shpirtin, po do të psal edhe me mendjen.
Sepse në qoftë se bekon me shpirt, ai që është në rrethin e të paditurve, si do të thotë Amin, kur ti falënderon? Se ai nuk di se ç’thua. Sepse ti mirë falënderon, po tjetri nuk ndërtohet. Falënderoj Perëndinë tim se flas më shumë gjuhë se ju të gjithë. Po në kishë dua më mirë të flas pesë fjalë të kuptueshme, që të mësoj edhe të tjerë, se dhjetë mijë fjalë në gjuhë të panjohur.