Dëshmor Agathoniku etj.

 

Në kohën e persekutimit të Maksimianit, Eftolmio u dërgua për të nënshtruar të krishterët. Nga Nikomedia ai shkoi në Pont, duke derdhur gjak kudo ku kalonte. Megjithatë, në kundërshtim me planet e tij, njerëz të vullnetit të mirë, nga ushtarë e deri edhe kusarë, admironin guximin e nxënësve të Krishtit dhe deklaroheshin të krishterë.

Kur Eftolmio u kthye në Nikomedi, u mirëprit nga ovacionet e paganëve dhe të servilëve. I raportuan menjëherë se perandori kishte shkuar në Thrakë dhe gjatë mungesës së tij, ishte kthyer në të krishterë fisniku më i shquar i qytetit, i bindur nga mësimi i të urtit Agathonik, i biri i prefektit Asklepiad. Eftolmio u tërbua dhe dërgoi ushtarë për t’i arrestuar. Kur trupa mbërriti në banesën e tyre, shën Agathoniku lavdëroi Krishtin dhe premtoi, duke vënë tërë shpresën në emrin e Tij, se do të shkonte deri në fund të dëshmisë. Ushtarët u konvertuan kur panë guximin dhe rrezatimin e besimit tek Zoti, por të detyruar të përmbushnin misionin e ngarkuar, e çuan shenjtorin në Nikomedi.

Kur Eftolmio e pyeti nëse e kishte kthyer kryetarin e senatit lokal, shenjtori iu përgjigj, se e duhura është t’i bindemi Perëndisë dhe jo njerëzve dhe i kujtoi dëshminë e lavdishme të martirëve të mëparshëm: Shën Vavilas, Shën Romanit, i cili ishte martirizuar para tij kur ishte ende fëmijë, etj . Apologjia e tij e habiti shumë magjistratin dhe zyrtarët e tjerë. Kur Eftolmio urdhëroi ta rrihnin me kamxhik dhe pastaj e futi në burg, që ta nxirrte në gjyq para perandorit bashkë me fisnikët e tjerë që kishte arrestuar. Kurse të krishterët e një origjine më të ulët urdhëroi t’i vrisnin me shpatë. Njerëzit me influencë në qytet kërkuan nga Eftolmio që ta dërgonte Agathonikun e shokët e tij sa më shpejt tek perandori.

Të nesërmen Eftolmio u nis për rrugë së bashku me të burgosurit dhe të krishterët e Nikomedisë i shoqëronin së largu, duke vajtuar për humbjen e apostullit të ri. Shën Agathoniku u tha atyre: “Kini Jisuin me vete dhe shenjtorët që luten për ju me një zemër të pastër. Qëndroni në të vërtetën dhe në frikën e Perëndisë për gjatë gjithë jetës suaj”.

Tirani i stërmundoi të burgosurit me anë të urisë e gjatësisë së rrugës. Gjatë një ndalese në fshatin e Potamit, zuri Zenonin dhe dy shokët e tij, Theoprepion dhe Akindinin, oficerë të kthyer në Krishterim nga Agathoniku. Meqë torturat nuk sollën asnjë rezultat, urdhëroi t’i vrisnin me anë të katapultave.

Shenjtorët e tjerë u çuan në Bizant, ku i çuan para gjykatës. Agathonikun e pyetën të parin. Ai u përgjigj se fjala e Perëndisë na mëson të mos ua vëmë veshin fjalëve të të pafeve dhe të mos shkojmë në rrugën e mëkatarëve, por të përsosemi në besimin e Krishtit (shih Ps. 1:1). “Nëse është Perëndi dhe Mbret ai që ti pohon, atëherë si u vra nga judenjtë? Si nuk i çliron nga vdekja, ata që në shembullin e tij u kundërvihen perëndive tona? Bindu dhe hiq dorë nga marrëzia jote”- i tha tërë inat gjykatësi.

Shenjtori iu përgjigj, duke pohuar besimin e tij në fuqinë e Shpëtimtarit, që vuajti për hirin tonë. Në fund u mor vendimi për ta torturuar duke e rrjepur të gjallë jashtë mureve.

Teksa po jepte shpirt, Agathoniku u kthye nga shokët për t’i siguruar se vuajtjet e këtij çasti të jetës, as nuk mund të krahasohen në asgjë me lavdinë që ruhet për shërbëtorët e Krishtit në Mbretëri (Rom. 8:18). Këto fjalë, që vërtetoheshin nga gjaku i derdhur, bënë që shumë gjykatës e ushtarakë të ktheheshin në të krishterë.

Të krishterët e Silivrias e nderuan shën Agathonikun më pas si mbrojtësin e qytetit të tyre.

 

* * * * *

Dëshmore Evlalia e Barcelonës

 

Vinte nga qyteti i Barcelonës (Spanjë) dhe ishte edukuar me të gjitha parimet e mëshirës. Ishte ende 12 vjeçe kur perandori pagan Dakiani i përgjakshëm, mik i Dioklecianit, kishte ardhur në vendin e tij me detyrë për të kryer persekutimet kundër të krishterëve. U largua fshehur nga shtëpia e të atit dhe shkoi para perandorit të shpallte Emrin e Shenjtë të Krishtit me guxim, gjë që e befasoi tiranin.

Ky i fundit mendoi se mjaftonte të talleshin pak me këtë fëmijë për ta bindur, kështu një ushtar e mori mbi supe dhe e shëtiti rrugëve të Barcelonës, ndërsa një tjetër e godiste me shkop. Por Evlalia nuk ndihej e poshtëruar, por në të kundërt shkëlqente dhe njerëzit shikonin te kjo qëndrueshmërinë e saj. Por kjo sjellje e tërboi tiranin, kështu vendosi ta zhvishnin e t’ia hiqnin lëkurën me thonj hekuri e më pas t’ia digjnin me pishtarë. E hodhën në një gropë me kafshë të egra dhe më pas i hodhën vaj të skuqur e plumb të shkrirë.

Aq shumë e forcoi Hiri i Perëndisë, saqë nuk ndiente asnjë dhimbje në trup. Torturat nuk përfunduan me kaq. Kur po e lidhnin mbi një kryq, pjesëmarrësit në martirizim e panë shpirtin e saj të ngrihej lavdishëm drejt qiellit, në formën e një pëllumbi të bardhë.

Shën Evlalia është nderuar më pas si mbrojtësja e qytetit të Barcelonës.