Apostull Tadeu

 

Vinte nga qyteti i Edesës në Siri, nga një familje hebre, nga e cila kishte marrë një njohje të shkëlqyer të Shkrimeve. Shkoi në Jerusalem për një pelegrinazh dhe, kur dëgjoi shën Joan Pagëzorin të fliste për pendimin, plot entuziazëm u pagëzua prej tij. Pak kohë më vonë takoi edhe vetë Zotin Krisht. Mrekullitë e shumta që Jisui kryente dhe jeta e tij e panjollë e bindi Tadeun se ai ishte Zoti dhe kështu u bashkua me grupin e dishepujve të Krishtit dhe e ndoqi atë.

Sipas premtimit që Zoti i kishte bërë mbretit Abgar, i cili e kishte ftuar të vinte e ta shëronte, pas Ngjitjes së Zotit në qiell, ai e dërgoi Tadeun në Edesë për ta pagëzuar dhe për ta shëruar tërësisht nga lebra. Apostulli i zjarrtë e pagëzoi atë dhe shumë banorë të mbretërisë e cila ishte e para që shpalli se ishte e krishterë.

Atje apostulli ndërtoi shumë kisha dhe më pas filloi të predikonte Ungjillin e Krishtit në qytete të tjera të Sirisë, sipas disa të tjerëve në Mesopotami. Kur arriti në Berite (Bejrut), në Feniki, pagëzoi një numër të madh paganësh, atje dha dhe frymën e tij. Lipsani i apostull Tadeut u transferua në Konstandinopojë bashkë me lipsanin e shën Andreas, nga shën Artemi në vitin 337.

 

* * * * *

Dëshmore Vasa me Fëmijët e Saj: Theogni, Agapio, Pisti

 

Kur perandori Maksimian publikoi një dekret, ku urdhëronte nënshtetasit t’u ofronin sakrifica perëndive pagane. Ai dërgoi lajmëtarë në mbarë perandorinë. Kur ky lajm mbërriti edhe në Edesë, Pamfili, prokonsulli i Heladhës dhe Vincentinusi, prokonsulli dhe vikari i Maqedonisë e i Thesalisë urdhëruan zbatimin e menjëhershëm të tij. Shumë të krishterë të frikësuar iu bindën, por ata që ishin të themeluar fort në besim, bënë rezistencë heroike.

Mes tyre ishte edhe shën Vasa me bijtë e saj. Ajo ishte e krishterë e rangut senatorial. Ishte martuar me një farë Valeriani, prift idhujtar dhe një prej fisnikëve më të njohur të qytetit, i cili i ofroi i pari sakrificat. Atëherë Vasa mori tre bijtë e saj: Theognin, Agapin dhe Piston, e u tha se nëse i ati i ishte dorëzuar pushtetit të demonëve, nuk duhet ta imitonin edhe ata në këtë akt të dënueshëm, edhe pse ai mund të përdorte autoritetin e tij atëror. “Sillni në mendje dhimbjet e mia kur ju linda në këtë botë dhe vraponi drejt Krishtit, sepse duke braktisur gjërat e përkohshme, do të fitoni të mirat e përjetshme”.

Fjalët e saj patën një ndikim aq të madh, saqë kur Valeriani urdhëroi fëmijët të ofronin blatime, ata iu përgjigjën me një zë të vetëm se e refuzonin këtë urdhër. Valeriani, mizor dhe i egër, i dorëzoi në gjykatë, ku ndodheshin Pamfili dhe Vincentini. Fëmijët iu përgjigjën magjistratëve, se i pranonin urdhëresat e perandorisë sa u takonte pronave dhe ligjeve të jetës publike, por për çështjet e besimit ata ndiqnin shembullin e besimit të mirë të nënës së tyre, duke zbatuar porositë e Krishtit.

Magjistratët e tërbuar torturuan së pari më të madhin, Theognin, në praninë e nënës dhe të vëllezërve. Në mes të torturave, shenjtori tallej me pafuqinë e paganëve dhe shpalli se falë tyre do të arrinte një fitore akoma më të shkëlqyer. E ëma e nxiste që të mos kishte frikë asgjë, sepse kishte tërë armatimin e Krishtit. Atleti i Krishit mori fuqi nga këto fjalë dhe nuk u lëkund derisa fitoi kurorën e martirizmit.

Pastaj sollën vëllain e dytë. Kur gjykatësi i kërkoi emrin, ai i tha: “Nëna ime, kjo shërbëtore e vërtetë e Krishtit, më ka quajtur Agap dhe do të përpiqem të tregohem i denjë për këtë emër, duke i qëndruar besnik dashurisë së Krishtit (agapi-dashuri). “Unë dua të eci në gjurmët e tim vëllai. Meqë pashë me sytë e mi durimin e tij në tortura, e quaj si asgjë këtë jetë dhe dëshiroj që shpirti im të ketë jetën e përjetshme pranë Perëndisë”. Ai po fliste ende, kur tirani i shkuli lëkurën deri në gjoks. Në këtë çast martiri thirri: “Asgjë nuk është më e ëmbël se sa të vuash për hir të dashurisë për Krishtin”. E kështu dha shpirt.

I erdhi radha vëllait të tretë, Pistit. Edhe ai pohoi me kurajë besimin e tij në Krishtin, duke u siguruar që të tregohej i denjë për emrin e tij (pisti – besim). E tërhoqën nga koka dhe këmbët për t’i këputur kyçet, pastaj i prenë kokën. Para se ta ekzekutonin iu lut edhe një herë të fundit mbi këtë tokë Perëndisë, duke e falënderuar. Një zë gjëmoi prej qiellit, që tha se tre martirët ishin të mirëpritur në qiell.

Nëna e tyre, Vasa, u çua në burg nga rojet. Atje shkuan disa paganë, për t’i dhënë ushqim dhe për t’u përpjekur ta bindnin t’u nënshtrohej urdhrave të perandorit. Por ajo nuk u përgjigj fare dhe refuzoi të hante ushqimet e tyre. Meqë Vincentini duhej të kthehej në qytetin e selisë së tij, e mori Vasën me vete. Kur mbërritën në qytet, u përpoq përsëri ta detyronte t’u sakrifikonte idhujve. “ O njeri i pafe dhe i urryer, ti mendon se mund të më kthesh mendjen nga besimi i fëmijëve të mi, të cilët kanë fituar tashmë trofetë e fitores?

Atëherë e futën në një rrëke uji, në fund të të cilës ndodheshin shumë objekte të mprehta, por një engjëll e ndihmoi dhe ajo doli e pacenuar. Njësoj shpëtoi edhe kur e hodhën në një kazan me zift të përvëluar dhe kur e goditën me gurë për ta vrarë. Në fund, ajo i kërkoi Vincentinit ta lejonte të qëndronte për pak në tempull, që t’i tregonte kotësinë e idhujve. Sapo hyri në tempullin e Zeusit, me lutje e rrëzoi përtokë statujën e tij, që u thye në mijëra copa. Prokonsulli u inatos shumë dhe pas shumë torturash, urdhëroi t’i presin kokën, duke i siguruar kështu kurorën e martirizimit.