– Profeti Samuel –

 

Profeti i shenjtë Samuel ishte me origjinë nga Rama, qytet i fisit të Efremit. Nëna e tij, Ana (shih 9 dhjetor), ishte një nga gratë e Elkanait. Ajo nuk kishte fëmijë dhe i duhej të duronte fyerjet e rivales së saj, kur shkonin përvit në altarin e Silos, për të ofruar therore. Por Perëndia ia dëgjoi lutjet dhe lindi një djalë, i cili u quajt Samuel, që do të thotë “i fituar nga Perëndia”. Fëmija iu përkushtua Zotit dhe iu besua priftit Eli në Silo, për t’i shërbyer Perëndisë.

Ai u rrit në shtat dhe në hir. Bashkëbisedimet e vazhdueshme me priftërinjtë dhe njerëzit e bënë shumë të aftë në Ligjin e Moisiut dhe arrinte të dallonte ndikimet pagane, që kishin futur në rrugë të shtrembër popullin e vendosur jo prej shumë kohësh në tokën e Kanaanit.

Një mbrëmje, kur Samueli 12 vjeçar ishte shtrirë pranë altarit, dëgjoi një zë që thirri emrin e tij. Besoi se e kishte thirrur prifti Eli dhe vrapoi pranë shtratit të tij. Por ky i fundit e çoi përsëri të flinte. Kur thirrja u përsërit, Elia e kuptoi se Perëndia po e thërriste fëmijën dhe u përgjigj: “Fol o Zot, sepse shërbëtori yt po të dëgjon”. Sapo tha këtë, Perëndia qëndroi i padukshëm para Samuelit dhe i bëri të ditur se Ai do të ndëshkonte Elinë dhe shtëpinë e tij, për shkak të sjelljes së shtrembër të dy djemve të tij, që i merrnin për vete dhuratat e ofruar nga populli për sakrificë. Në mëngjes, i bindur nga fjalët e Elisë, fëmija i tregoi çfarë i kishte zbuluar Perëndia. Në vazhdim, Perëndia vazhdoi t’i shfaqet Samuelit dhe i tërë populli i Izraelit e njihte si profet.

Ndërsa bijtë e Elisë vazhdonin veprat e tyre të shtrembra, dënimi hyjnor nuk vonoi. Filistinët i shkaktuan disfatë të rëndë Izraelit dhe, për t’i forcuar trupat, hebrenjtë çuan Arkën e Besëlidhjes në vendfushimin e ushtrisë, që e priti me brohoritje të mëdha. Armiqtë u frikësuan, por në vend të largoheshin, luftuan me energjinë që u solli dëshpërimi; 30000 hebrenj u vranë në këtë përleshje. Për më tepër, filistinët zunë edhe Arkën e Besëlidhjes. Një nga të shpëtuarit shkoi për të çuar lajmin e kobshëm. Ai e gjeti Elin, që ishte 98 vjeç, të ulur në pragun e shtëpisë së tij dhe i tha se bijtë e tij ishin vrarë dhe se filistinët kishin marrë Arkën e Besëlidhjes; kur plaku dëgjoi këtë gjë ra përtokë dhe vdiq.

Ndërkohë filistinët çuan Arkën në tempullin e perëndisë pagane Dagon, por të nesërmen e gjetën idhullin të copëtuar. Dora e Perëndisë rëndoi mbi popullin e tyre dhe u shkaktoi tumore. Shumë të shqetësuar, të parët e filistinëve vendosën të dërgonin përsëri Arkën tek izraelitët. Por altari i Silos ishte shkatërruar, populli i Izraelit nuk kishte një vend të përshtatshëm dhe për këtë arsye Arka u vendos në Kiriat- Jearim, në shtëpinë e Abinadabit, ku qëndroi për 20 vjet.

Samueli pasoi Elinë si gjykatës të Izraelit, d.m.th. kryetar suprem i ngarkuar për të udhëhequr popullin nën zgjedhën filistine. Ai predikoi në mbarë vendin pendimin, ruajtjen dhe zbatimin e Ligjit, si dhe braktisjen e kultit të Baalit dhe Astartes. Ai organizoi një asamble në Mispa, për të udhëhequr popullin dhe gjatë kësaj izraelitët kreshmuan dhe pranuan haptazi fajin e tyre ndaj Perëndisë. Filistinët mësuan për këtë mbledhje e vendosën t’i sulmojnë izraelitët. Por Samueli, me kërkesë të popullit, ofroi një qengj si therore dhe e luti Perëndinë që t’i shpëtonte nga armiku. Zoti iu përgjigj menjëherë, me një gjëmim të tmerrshëm në qiell, saqë filistinët i pushtoi paniku dhe u mundën. Kështu izraelitët rimorën qytetet e pushtuara.

Kur u vendos paqja, Samueli vazhdoi të gjykonte Izraelin në Rama, ku kishte ngritur një altar. Kur u plak, u transferoi pushtetet të bijve, por këta u treguan të padenjë; nisën të pranojnë dhurata dhe bënë që e drejta të shtrembërohej. Pleqtë e Izraelit shkuan dhe iu ankuan Samuelit në Ramë, duke i kërkuar t’u vendoste një mbret mbi krye, si popujt e tjerë. Samueli u pikëllua shumë kur dëgjoi këtë kërkesë, por u bind për shkak të një urdhri që i dha Perëndia. Ai i lajmëroi se, për shkak të institucionit të mbretërisë, ata do të humbnin lirinë e madhe që gëzonin.

Samueli u dërgua nga Perëndia pranë Saulit, të cilin e vajosi mbret.

Sauli nisi luftën kundër filistinëve. Kur u ndodh një herë në pozitë të vështirë dhe Samueli po vononte të vinte për të ngushëlluar trupat që po humbnin kurajën, mbreti e ofroi vetë theroren me djegie, duke kapërcyer pushtetet e tij dhe duke i dhënë vetes atribute priftërore. Kur Samueli mbërriti, i hodhi poshtë të gjitha arsyetimet e Saulit dhe i tha se meqë ai nuk e kishte zbatuar Ligjin, mbretëria do t’i merrej. Sauli në vend të pendohej, nguli këmbë në krenarinë e tij. Ai bëri luftë në të gjitha anët, kundër Moabit, amonitëve, Edomit, Amalekit dhe filistinëve dhe e çliroi Izraelin me anë të trimërisë së tij. Megjithatë, këto fitore ngeleshin të brishta, sepse mbështeteshin mbi forcat njerëzore. Sauli korri një fitore të re kundër amalekitëve, me urdhrin e Perëndisë, që iu transmetua prej Samuelit. Por në vend që ta zbatonte deri në fund porosinë e Perëndisë, ai e kurseu mbretin Agag dhe pjesën më të mirë të bagëtisë, duke i ofruar Perëndisë vetëm kafshët e dobëta. Samueli i bëri të ditur Saulit që kjo mosbindje e kishte vulosur rënien e tij: “Bindja vlen më tepër se sa sakrifica, ëmbëlsia më shumë se sa yndyra e deshëve. Meqë ti ke hedhur poshtë fjalën e Zotit, Ai ta ka hequr mbretërinë” (1 Sam.15:22).

Ndërsa po vajtonte për fatin e mbretit Saul, Samueli u dërgua nga Perëndia në Bethlehem, tek Jeseu i fisit të Judës dhe fshehtazi vajosi birin e tij, Davidin e ri dhe të hirshëm, mbret të Izraelit. Fryma e Perëndisë u largua nga Sauli dhe mbreti u pushtua nga një frymë e keqe, duke vuajtur kriza çmendurie. Në këtë kohë, Davidi hyri në shërbimin e mbretit si stallier dhe e qetësonte Saulin duke i rënë harpës. Ai gëzonte favorin e mbretit, por kur Davidi nisi të korrë fitore dhe fitoi admirimin e popullit, dashuria e Saulit u shndërrua në urrejtje. Davidi iku dhe gjeti strehë në Ramë, pranë Samuelit, që i ishte përkushtuar soditjes shpirtërore.

Profeti fjeti pak kohë më pas dhe i tërë populli i Izraelit u mblodh në Ramë për ta vajtuar. Ai u nderua mes ndërmjetuesve të mëdhenj të Dhiatës së Vjetër, si Moisiu dhe Aaroni. Lipsanet e tij u transferuan në mënyrë solemne nga Palestina në Konstandinopojë në kohën e perandorit Arkad (19 maj 406). U vendosën përkohësisht në kishën e Shën Sofisë dhe më pas në kishën e ngritur për nder të tij në Hebdomon, në periferinë e kryeqytetit (7 tetor 410).

 

* * * * *

37 Dëshmorët në Vizi

 

Disa e kishin prejardhjen nga Bizanti, disa nga Filipopolis i Thrakës, Plovdivi i sotëm i Bullgarisë. U kapën në kohën e Licinit (308-323) në Vizi të Thrakës Lindore (sot Turqia Evropiane) nga pushtetari i saj. U torturuan në mënyra të ndryshme dhe përfunduan në furrë, pasi më parë iu kishin prerë duart dhe këmbët. Në jetët e Sevirit dhe Memnonit, shenjtorë, që kremtohen sot së bashku me dëshmorët tanë, si vendi i martirizimit të 37 martirëve përcaktohet Filipopolis.

Një kodik i vjetër shkruan emrat e tyre, dhe nga njëra anë transferon vendin e “ushtrimit” të tyre në Filipopolis, ndërsa nga ana tjetër i numëron 38: Orioni, Antilini, Molias, Evdemoni, Siluani, Savini, Efstathi, Stratoni dhe Bosvi nga Bizanti dhe nga Filipopolis: Timothei, Palmati, Mesti, Nikoni, Dhifili, Domiciani, Maksimi, Neofiti, Viktori, Rini, Satornini, Epafroditi, Kerkai, Gai, Zotiki, Kronioni, Anthani, Evri, Zoili, Tirani, Agathoi, Panstheni, Arqilea, Panthiri, Krisanthi, Athinodhori, Pantoleoni, Theosevi dhe Genethli.

Gjithashtu edhe një kodik tjetër kujton me një mënyrë të ngjashme në 24 gusht 33 martirët që jetuan në kohën e Dioklecianit (248-305), që u vranë në Thrakë bashkë me shenjtorët Sevir dhe Memnon. Mjaft nga emrat e këtyre shenjtorëve nuk përputhen plotësisht me ato të martirëve të sotëm, pasi kanë pësuar ndryshime gjuhësore, dukuri e zakonshme në lashtësi.

Shtojmë se në 23 gusht kremtohen “38 shenjtorë martirë në Thrakë, që përfunduan në shpatë”. Meqë nuk ekziston jetëshkrimi i tyre, disa pretendojnë me rezerva se bëhet fjalë për shenjtorët e sotëm.

 

* * * * *

Dëshmor i ri Theohari

Në vitin 1740, perandoria osmane ishte në luftë dhe sulltan Ahmedi urdhëroi grumbullimin e të gjithë fëmijëve meshkuj të krishterë. Theohari, që ishte jetim, u kap së bashku me fëmijë të tjerë dhe e luste Perëndinë ditë e natë që ta çlironte prej atyre mundimeve të mëdha.

Një ditë, kadiu i Neapolis në Kapadoki vuri re djalin e ri, që e mori në shërbimin e tij dhe e vuri të punojë në stalla. Një natë, gruaja e kadiut pa Theoharin, që po lutej i ulur në gjunjë, me duart e ngritura lart në qiell për një kohë të gjatë. Asaj i bëri përshtypje të madhe shpresëtaria e tij dhe vendosi, së bashku me të shoqin, ta martonin me vajzën e tyre. Kur kadiu i propozoi të bëhej dhëndri i tij dhe trashëgimtar i pasurisë së shtëpisë së tij, me kushtin e vetëm që të ndryshonte fenë, Theohari iu përgjigj: “Unë jam i krishterë dhe jam i pagëzuar. E kam të pamundur të mohoj fenë e të parëve të mi”. Kadiu e konsideroi këtë përgjigje një fyerje të rëndë dhe e dënoi të vdiste urie.

Atëherë Theohari shkoi në kishë, ku u rrëfye dhe u kungua me Misteret e Shenjta dhe pastaj u kthye tek i zoti, para të cilit rrëfeu përsëri besimin e tij të krishterë. E futën në një qeli të errët dhe e lanë pa ushqim për shumë ditë, por Theohari ushqehej prej lutjes dhe nuk i ndjente fare sulmet e urisë, duke u kënaqur vetëm me pak ujë, kohë pas kohe.

Më 20 gusht 1740, hodhi përsëri poshtë propozimet e zotërisë së tij dhe e çuan një orë larg qytetit. Pyetjeve të fundit të xhelatëve u përgjigj duke u lutur. Këta të fundit menduan se ai po tallej me ta dhe e goditën me gurë, pastaj e varën në një plep. Kur e hodhën trupin në gropën që kishin gërmuar atje pranë, shpërtheu një stuhi e tmerrshme, duke ngjallur panik tek turqit. Lipsanet e tij u zbuluan më vonë me anë të një shfaqjeje dhe u transferuan në Selanik, në kishën e shën Ekaterinës, gjatë emigrimit të popullsisë së krishterë të Azisë së Vogël, më 1923. Plepi ku e varën u bë një vend pelegrinazhi si për të krishterët, ashtu edhe për myslimanët.