– Apostulli – 1 Korinthianëve 11:31-12:6

 

Sepse po të dallonim veten tonë, nuk do të gjykoheshim. Po kur gjykohemi, ndreqemi prej Zotit, që të mos dënohemi bashkë me botën. Prandaj, vëllezër, kur mblidheni për të ngrënë, pritni njëri-tjetrin. Po në i ardhtë uri ndonjërit, le të hajë në shtëpi të tij, që të mos mblidheni për dënim. Edhe të tjerat, kur të vij do t’i vë në rregull.

Edhe për dhuratat shpirtërore, o vëllezër, nuk dua të jeni të paditur. E dini se kur ishit kombe, tërhiqeshit pas idhujve të pagojë si të tërhequr prej dikujt. Prandaj ju bëj të ditur, se askush që flet me fjalë Perëndie nuk thotë për Jisuin qoftë i mallkuar; edhe askush nuk mund të thotë se Jisui është Zot, veçse me anë të Frymës së Shenjtë.

Edhe ka ndarje dhuntish, po Fryma është po ajo. Edhe ndarje shërbesash, po Zoti është po ai; Edhe ndarje punësh, po Zoti është po ai që punon të gjitha në të gjitha.