Ndërroi Jetë z. Thoma Dhima
Me hidhërim të thellë njoftojmë për jetëndërrimin e z. Thoma Dhima. Ai shërbeu me përkushtim pranë Kishës sonë për tri dekada, si gazetar, përgjegjës i zyrës së shtypit dhe kryeredaktor i gazetës “Ngjallja”. Ishte një nga bashkëpunëtorët e ngushtë të Kryepiskopit Anastas që në vitet e para të ringritjes kanonike të Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë.
Ishte gjithashtu një bashkëshort, një prind i përkushtuar dhe një koleg me frymë bashkëpunimi. Ai do të mbahet mend si fjalëpak dhe gojëmbël, i cili rrezantonte mirësi dhe si i tillë gëzonte respektin tek të gjithë. Familja humbi një bashkëshort dhe një prind shembullor, Kisha humbi një punëtor të mirë dhe Kryepiskopi Anastas një bashkëpunëtor të ngushtë. Kontributi i tij në Kishën Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë do të kujtohet për shumë kohë.
Përgjatë gjithë periudhës së sëmundjes dhe gjendjes së rënduar të z. Thoma, e më tej në fjetjen dhe varrimin e tij Kryepiskopi Anastas i qëndroi pranë familjes së tij me interesim të vazhdueshëm, lutje dhe ngushëllim. Në shërbesën e varrimit, që u mbajt sot, më 18 gusht 2024, në Kishën e Ungjillëzimit në Tiranë, në prani të mjaft familjarëve, miqve dhe kolegëve të shumtë të z. Thoma, Fortlumturia e tij shprehu mirënjohjen dhe vlerësimin e thellë për kontributin e tij të shumëçmuar në këto tri dekada, mirësinë, virtytet dhe gatishmërinë që e karakterizonte.
Lutemi që Perëndia ta prehë shpirtin e tij me të drejtët!